Messi vendos t’i thotë të gjitha: Nuk jemi për Champions, CR7 të jep shumë më shumë se gola (VIDEO)

Lionel Mesi ka vendosur që t’i thotë të gjitha, si i ftuar special në një intervistë ekskluzive për katalanasen “Mundo Deportivo”.

Por edhe pse situata te Barcelona nuk është shumë e lehtë, argjentinasi me spaletat e liderit dhe kapitenit të skuadrës vendos që të flasë hapur, duke nisur nga konfirmimi për të qëndruar te Barcelona dhe çështja e klauzolës, flet pa barriera për polemikën në distancë me drejtorin sportiv Erik Abidal, largimin e ish-trajnerit Ernesto Valverde, por mbi të gjitha konfirmoi se do të ishte shumë i lumtur nëse do të kishte në skuadër si Nejmarin, ashtu sikurse edhe interistin Lautaro Martinez.

Çfarë ka ndryshuar nga Mesi 16-vjeçar kur debutonte me Barcelonën deri më tani, si kapiten i saj?

Shumë, vërtet shumë. Janë shumë vite intensive në të cilat ka ndryshuar gjithçka, si në aspektin sportiv, ashtu sikurse në atë personal. Tashmë jam martuar, jam baba i tre fëmijëve, kam akumuluar shumë eksperiencë mbi shpatulla në skuadrën e parë. Shumë, shumë ndryshime në globalitet…

Flisni për fëmijët tuaj si aspektin që ju ka ndryshuar më shumë jetën. Por si e përjetojnë ata faktin që kanë baba Leo Mesin?

Shumë normalisht. E vërteta është se Tiago është ai që i pëlqen futbolli sa për të tre bashkë. Tiago, por edhe Mateo janë ata që kuptojnë më shumë nga ky aspekt tani, pasi më vizitojnë gjithashtu në fushë, në stërvitje dhe janë ata që qëndrojnë më pranë meje.

Dhe për çfarë ju pyesin më shumë?

Më pyesnin gjatë gjithë kohës për futbollin, por jo vetëm për Barcelonën, por edhe për skuadrat e tjera në përgjithësi, për ndeshjet. Tiago i pëlqen shumë dhe ka interes të madh për të pasur sa më shumë informacion rreth botës së futbollit.

Ka Tiago ndonjë lojtar të preferuar, përveç babait të tij?

Ka disa dhe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Tiago flet shumë me Luisin (Suarezin) dhe e pëlqen stilin e lojës së tij, edhe prej faktit që unë me Suarezin kemi një lidhje të ngushtë familjare. I pëlqen gjithashtu Grizmani, por mbi të gjitha adhuron Vidalin, sidomos për modelin e flokëve. Por ka edhe lojtarë jashtë Barcelonës si Mbape, Kristiano Ronaldo dhe Nejmar që i adhuron, sepse Tiago jo vetëm që i njeh dhe i ndjek shumë ato, por më kërkon edhe mua mjaft informacione për ta.

mesi

Antonela është ajo që ju ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës. Sa e rëndësishme ka qenë ajo në gjithë vazhdimësinë e karrierës suaj?

E kam thënë edhe më parë. Ajo ka qenë gjithmonë përkrah meje dhe familjes sime madje. Antonela është personi që më ka dhënë gjithmonë qetësi totale për të bërë siç duhet punën time, pasi në çdo moment ajo bën punën e të dyve, edhe kur unë mungoj.

Për më tepër, ajo di se si të më bëjë të lumtur dhe është i vetmi person që më bën të harroj futbollin. Është personi më i rëndësishëm i jetës sime. Shumë, mjaft mirë. E dashuroj Barcelonën njësoj si Rosarion. Kjo është shtëpia ime, pasi kam jetuar më shumë këtu sesa në Argjentinë.

Si është një ditë normale e Lionel Mesit?

Normale, si të gjithë. Fatmirësisht profesioni im më garanton shumë kohë për të qëndruar me fëmijët. Pas stërvitjes vrapoj të drekoj ose darkoj me Antonelën dhe të marrim fëmijët. Në ditët e pushimit jam i fokusuar totalisht tek aktiviteti me fëmijët, me të cilët dëfrehemi gjatë gjithë ditës, ndonjëherë më lodhin për vdekje, por më mirë kështu, sepse në mbrëmje fle edhe më shpejt sesa zakonisht. Të martën dhe të enjten fëmijët kanë stërvitje në qendrën stërvitore të Barcelonës, por maksimumi në 7, 7:30 të pasdites jemi gjithmonë në shtëpi. Më pëlqen rutina e jetës sime…

E dini që për tifozët ju nuk mund të largoheni kurrë nga Barcelona. Prandaj pyetja është, do ju shohim ndonjëherë me një fanellë tjetër?

E kam thënë shumë shpesh se ideja ime është që të qëndroj gjithmonë këtu, derisa tifozët dhe klubi të jenë të kënaqur me mua. Në të njëjtën kohë kam konfirmuar se edhe unë pres gjithmonë një projekt fitues dhe të zbres i qetë në fushë, sepse objektivi im është që të fitoj të paktën një tjetër Champions, kampionate dhe çdo trofe të mundshëm që do të kem mundësi.

Leo Mesi

Por e kuptoni gjithashtu se klauzola, e cila ju lejon që të largoheni gratis në fund të këtij sezoni, po bën nervoz shumë njerëz?

Është e vërteta që klauzola ekziston, por deri më sot edhe pse ka pasur shumë klube që janë interesuar për mua, por edhe mjaft klube të tjera që kanë qenë të gatshme të paguanin edhe klauzolën time të mëparshme, në fund unë kam vendosur që të qëndroj gjithmonë te Barcelona. Në asnjë moment nuk më ka kaluar nëpër kokë që të largohem, së fundmi akoma më pak. Por e ritheksoj, unë do qëndroj nëse edhe klubi kërkon që të më mbajë mua.

Pak ditë më parë të gjithë mësuam për lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Kobi Brajantit. Si e përjetuat?

Isha me fëmijët duke parë lajmet dhe thjesht pasi e dëgjova u shokova. Në fillim mendova se ishte një gabim, nuk doja ta besoja. Ishte thjesht e tmerrshme.

Të kthehemi te futbolli… Ju pret një javë shumë e rëndësishme: Eibari, Champions-i dhe më pas “El Clasico”. Si po ecën skuadra deri në këtë pjesë të sezonit?

Jemi në një periudhë tranzicioni, pas ndërrimit të trajnerit. Secili ka idetë e veta, mënyra të ndryshme të të lexuarit të ndeshjeve, të lojës dhe ne po përshtatemi me atë që Setien kërkon. Nuk është e lehtë, sepse kishim disa vite që punonim me Valverden, me të cilin luanim në një formë tjetër. Por e vërteta është se po mësojmë shpejt dhe duhet ta bëjmë edhe më shpejt madje nëse duam që të fitojmë gjithçka kemi programuar si skuadër, si klub.

Në ndeshjen e fundit kundër Getafes, hasët shumë vështirësi, aq sa për disa momente edhe u vërshëllyet nga publiku. Si e shpjegoni këtë?

Është normale që disa rezultate të mërzisin tifozët, por periudha që po kalojmë së fundmi është diçka normale kur ndryshon trajner. Tifozit nuk mund t’ia frenosh sjelljen, por unë dëshiroj pak qetësi dhe besim te ne, pasi finalja e sezonit është e gjitha për t’u luajtur.

mesi

Çfarë ju kërkon juve specifikisht Kike Setien?

Disa gjëra varen nga lloji i ndeshjes, por më ka dhënë liri totale. Por në disa raste, si në ndeshjen e Kupës me Bilbaon, më kërkoi edhe që të luaja si “9 fals”, ndonëse në 90 për qind të rasteve më lë të lirë, pasi kështu krijojmë më shumë superioritet numerik dhe sulmojmë më shumë, më rrezikshëm.

Në një vit ndryshimesh si ky, mendoni se është e mundur që të fitoni si kampionatin, ashtu sikurse edhe Champions-in?

E kush e di këtë… Faktet thonë se si ne, ashtu sikurse Reali i Madridit nuk kemi pasur vazhdimësi rezultatesh në kampionat. Kemi humbur shumë pikë rrugës, ndaj kjo do të bëjë që beteja të jetë e hapur deri në fund. Por jam gjithashtu i sigurt se sido që të përfundojë edhe “El Clasico”, nuk do të jetë ajo ndeshje që do ta vendosë përfundimisht titullin.

Në të njëjtën kohë më duhet të pranoj se objektivi ynë kryesor sivjet është Champions-i. Ky kompeticion është dyfish i vështirë, pasi duhet të jesh gjithmonë perfekt në fushë për ta bërë tëndin trofeun. Ndonëse, me formën e shfaqur deri tani, nuk mendoj se jemi në gjendje për të tentuar Champions-in.

Përshëndetja që i bëtë ishte shumë domethënëse. Si e jetuat largimin e Ernesto Valverdes nga stoli i Barcelonës?

Shumë keq, sepse humbëm jo vetëm një trajner të madh, por mbi të gjitha një person fantastik dhe këtë e them realisht. Në këtë sezon, por edhe në të kaluarën, më shumë sesa i trajnerit, ka qenë faji ynë në humbjen e disa ndeshjeve. Por në futboll dihet që më shumë se kushdo tjetër paguan trajneri dhe shumë prej nesh realisht janë të zhgënjyer dhe të mërzitur për mënyrën se si përfundoi aventura me Valverden.

mesi

Iku Valverde, mbërriti Setien. Çfarë ju surprizoi më shumë tek ai, në përballjen e parë sy më sy që patët së bashku?

E vërteta është se e kisha njohur që më parë. Në përballjet mes nesh në fushë kishim folur për disa minuta, por teksa po e njoh nga afër kuptoj se ai studion me imtësi detajet, i pëlqen kjo gjë dhe futbolli i bukur dhe nuk lodhet së më foluri për këto gjëra.

Më parë thatë se mungojnë disa detaje për të fituar Champions-in sivjet, duke parë gjendjen aktuale të skuadrës. Cilat janë këto?

E para dhe më e rëndësishmja është vazhdimësia në lojën tonë dhe të kolaudojmë të gjitha risitë që ka sjellë Setien, sa më parë të jetë e mundur. Por mbi të gjitha, të mos përsërisim në asnjë moment të vetëm atë që na ndodhi me Romën dhe Liverpulin, në dy sezonet e fundit. Nëse i realizojmë këto, mund ta tentojmë Champions-in.

E keni gjetur përgjigjen e atyre që ju ndodhën me Romën e Liverpulin?

Realisht jo. Nuk arrij t’i jap një shpjegim, sidomos për ndeshjen e vjetshme me Liverpulin. Përmbysja me Romën mund të të ndodhë njëherë, një surprizë që futbolli e njeh, por ta përsërisësh, madje duke luajtur edhe më keq vetëm një vit më pas dhe me një avantazh më të thellë ndaj Liverpulit, kjo është e pashpjegueshme.

Thatë edhe që as “El Clasico” nuk do të jetë deciziv për titullin, por gjithsesi është një 90-minutësh që të rrit ndjeshëm moralin…

Të rrit mbi të gjitha vetëbesimin. Nga këto ndeshje del më i fortë, sepse është kryendeshja, është trampolina për të marrë kreun dhe të jep stimujt që të bësh edhe më shumë pikë deri në fund të kampionatit. Do të jetë një udhëkryq i rëndësishëm i La Ligas, pa dyshim…

Sa ka humbur Reali i Madridit, pas largimit të Kristiano Ronaldos?

Pikësëpari ka humbur shumë gola… Diçka e tillë pritej, por nuk po flas vetëm për golat, pasi Kristiano Ronaldo të jep shumë më shumë se vetëm gola. Pasi u largua nga Madridi, unë e paralajmërova, por dihej që kjo do të ndodhte, sepse një lojtar që të garanton të paktën 50 gola në sezon nuk e gjen këdo, madje nuk e kanë në grup. Reali sigurisht që ka kampionë të tjerë të rëndësishëm, por një Ronaldo dhe një grabitqar prej 50 golash në sezon nuk e kanë. Me gjithë respektin…

Mesi

Folëm për Valverden dhe pikërisht tema e Valverdes ishte ajo që ju nervozoi shumë, ju detyroi të përplaseni në distancë dhe direkt me drejtorin sportiv, Erik Abidal. Po shokët e tjerë të skuadrës si e pritën deklaratën e Abidalit?

Nuk e di se çfarë i kaloi në kokë Abidalit kur bëri atë deklaratë, por personalisht u ndjeva i akuzuar drejtpërdrejt dhe unë nuk mund ta lejoja këtë. Nuk m’u duk aspak e drejtë që një drejtues klubi, një drejtor sportiv, të dalë dhe të akuzojë lojtarët apo edhe trajnerin, teksa ai i pari është përgjegjësi për detyrat që ka në klub. Një drejtor sportiv që punën më të vështirë e ka të afrojë dhe të bindë lojtarë e trajnerë, nuk mund të dalë me të tilla deklarata. Prandaj, pasi e dëgjova atë, nuk mund t’ia lejoja vetes që drejtori sportiv i skuadrës të më sulmonte dhe akuzonte në atë mënyrë.

Deklarata e Abidalit ju dogji si Leo Mesi apo si kapiten i skuadrës? Sepse e vërteta është që ju akuzoheni edhe shpesh si ai që merr, por në të njëjtën kohë aprovon vendimet kryesore te Barcelona…

Më dogji si Leo Mesi, por edhe si kapiten i skuadrës. Pasi mendoj se për vitet që kam në këtë skuadër, por edhe për shiritin që mbaj në krah, të paktën përpara një akuze të atillë, duhej të isha informuar… Por thënë këtë, nuk është aspak e vërtetë që unë jam ai që marr vendime. Për diçka të tillë më akuzojnë edhe në Kombëtaren e Argjentinës…

Shumë thonë se jam unë ai që e bëj formacionin, sidomos ato që duhet të luajnë në sulm me mua, unë preferoj që të luajnë vetëm shokët e mi, unë jam ai që vendos se kush do të grumbullohet ose jo, apo akoma më shumë jam unë ai që vendos se cili duhet të jetë trajneri.

Nuk dua të mendoj keq, por ndoshta diçka e tillë ka dalë se unë kam shumë vite që luaj për Barcelonën dhe Argjentinën. Gjithsesi, koha ka treguar se e vërteta është krejt ndryshe… Unë si kapiten kam opinionin tim, klubi të vetin, por në fund rrallëherë më është plotësuar ndonjë kërkesë në Kombëtare apo te Barcelona.

Çfarë ju tha presidenti në takimin që patët të martën, për polemikën për rrjetet sociale?

Në fakt, unë isha në udhëtim në Dubai dhe i mora vesh gjërat pak më vonë, por m’u duk diçka shumë e çuditshme. Presidenti na tha ato gjëra që kishte thënë në konferencë dhe ato që kishte bërë publike. Nuk mund të thoshte gjë tjetër. Edhe me ne kapitenët foli të njëjtat gjëra.

Po ju jeni të bindur se presidenti nuk ka gisht në këtë histori?

E vërteta është se më duket një temë shumë e çuditshme. Na tha se kishte prova dhe tani na duhet vetëm të presim se çfarë do të ndodhë. E vërteta është që ishte një temë realisht shumë e çuditshme.

leo mesi

Keni ofruar shtatë asiste në 5 ndeshjet e fundit, por nuk keni shënuar asnjë gol. Sa e rëndësishme është për ju të shënoni?

Raste për të shënuar kam pasur, por nuk i kam konkretizuar ato, pasi tashmë edhe unë vetë dua që të jem më tepër në brendësi të lojës, të ndihmoj në organizim dhe të krijojmë sa më shumë superioritet numerik në zonën rivale, pasi baza e lojës së Barcelonës është zotërimi i topit. Prandaj, për sa i përket mungesës së golave nuk jam i shqetësuar. E rëndësishme është që të fitojmë dhe golat do të vijnë vetvetiu.

Miku juaj Suarez është parë shumë aktiv dhe optimist ditët e fundit në rrjetet sociale. Do ia dalë që të jetë në fushë për fundin e sezonit?

Luis është një i çmendur, i cili po bën gjithçka që të kthehet sa më shpejt dhe ne të gjithë shpresojmë që ta kemi atë në grup. Është një lojtar jetik për lojën e Barcelonës dhe në ndeshjet e fundit besoj se kjo është kuptuar shumë qartë. Na mungon shumë dhe kjo nuk mund të fshihet.

Ansu Fati duket se me ju dhe Suarezin po përjeton të njëjtën gjë që t’i kalojë përkrah Ronaldinjos dhe Dekos, të cilët ju ndihmuan që të përmirësoheni. Është e vërtetë se ju e mbroni shumë atë?

Ansu është një lojtar tepër i rëndësishëm, një surprizë fantastike për Barcelonën dhe të gjithë ne që bëjmë pjesë në këtë grup. Gjithsesi, ai duhet të rritet pa presion, duhet të punojë i qetë, pasi momenti i tij do të vijë. Nëse i vë një adoleshenti shumë përgjegjësi mbi shpatulla, rrezikon që ta djegësh.

Dhe sot, për Fatin është më e vështirë që të integrohet shpejt te Barcelona, kundrejt periudhës sime. 16 vite më parë, Barça e kishte një ideologji të sajën, ritmin e duhur, lojtarët e padiskutueshëm dhe për mua ishte shumë më e lehtë kur zbrisja në fushë me ta, pasi kishte se kush i zgjidhte ndeshjet. Ndërsa sot, shumë ndryshime kanë ndodhur, sidomos në muajt e fundit, ndonëse Fati ka cilësi të jashtëzakonshme, të cilat duhen lënë të kultivohen me qetësi.

mesi

Sa shumë do e dëshironit rikthimin e Nejmarit te Barcelona?

E kam thënë shumë herë. Në nivel sportiv Nejmar është një ndër lojtarët më të fortë në botë në rolin e tij dhe do më pëlqente shumë që të rikthehej.

Po tifozëve dhe drejtuesve që e sulmojnë për mënyrën që u largua, çfarë do u thoshit?

Është normale që tifozët mendojnë në një mënyrë ndryshe, pasi u largua, sepse edhe mua nuk më pëlqeu për disa momente. Por për t’i bindur tifozët dhe drejtuesit që ta mendojnë ndryshe do t’i thosha se të gjithë këtu te Barcelona, që duam të fitojmë, duhet të bëjmë një hap prapa dhe ta pranojmë Nejmarin, pasi cilësitë e tij janë të rralla dhe sigurisht që Barcelonës do t’i bënin shumë punë.

Do ishte gati Nejmari të kërkonte falje, për t’u rikthyer?

Unë kam folur me të dhe e di prej kohësh dëshirën që ka për t’u rikthyer, por në të njëjtën kohë edhe faktin se e ka kuptuar që bëri gabim që u largua. “O’Ney” bëri shumë përpjekje që të rikthehej në verë, por gjithsesi hapin e parë për t’u ribashkuar e ka hedhur tashmë.

Nejmar duket se është rikthyer në nivelet e tij. Edhe në Champions u rikthye që të shënojë…

Gjithmonë ka qenë në nivele të larta. Është një lojtar që i mungon Barcelonës, pasi shkakton disekuilibër në mbrojtjet rivale, është vdekjeprurës në duelet një kundër një dhe të garanton shumë gola çdo vit.

Abidal tha gjithashtu se nuk është e pamundur që si Lautaro, ashtu sikurse edhe Nejmari t’i bashkohen një ditë Barcelonës…

Nëse për Nejmarin e thashë çfarë mendoja edhe Lautaro pranoj se është një sulmues spektakolar. Sivjet ka shfaqur një formë mahnitëse. Dukej qartë se do të ishte një lojtar i madh, por këtë sezon më shumë se kurrë ka shpërthyer përfundimisht dhe po e tregon në çdo ndeshje.

Ajo që më surprizën sidomos tek ai është forca fizike që ka, edhe pse me trup është i vogël, i ashpër dhe deciziv në duelet një kundër një. Për më shumë e njeh portën në një mënyrë të frikshme, në zonë di se si t’i shpëtojë markimit, nuk ka frikë të përplaset, di se si të lëvizë me trupin në zonë dhe të gjejë portën nga çdo kënd. Është një lojtar i kompletuar.

mesiii

Lautaro tha se studion Luis Suarezin. Do të ishte bombastike t’i kishit të dy përkrah jush te Barcelona?

Nëse do të ishte për mua, do t’i doja të gjithë, edhe Nejmarin, edhe Lautaron, pasi në këtë mënyrë të gjithë së bashku do të luftonim për Champions-in. E vërteta është se Lautaro ka shumë ngjashmëri me Suarezin, sidomos në lëvizjet me trup që bëjnë në zonë dhe mënyrën se si e kontrollojnë topin. Po, vërtet ngjasojnë shumë…

Por në pritje për të kuptuar nëse do ta keni te Barcelona, e sigurt është se do ta keni koleg sulmi tek Argjentina.

Në Kupën e Amerikës së edicionit të kaluar bëri një turne të rëndësishëm, shënoi gjithashtu. Kombëtarja u shpreh shumë mirë në fushë, duke treguar stabilitet. Edhe në miqësoret që ka luajtur, Lautaro është shprehur shumë mirë dhe shumë shpejt besoj se do të kemi një tjetër shans për të luajtur së bashku tek Argjentina.

Fakti që Suarezi ka shprehur se Barcelona duhet të nisë të kërkojë për një pasardhës të tijin, mendoni se Lautaro do të ishte pasardhësi i duhur te Barcelona për Luisin?

Siç thonë, një lojtar i mirë di se si të adaptohet në çdo skuadër. Nëse Lautaro vjen, atëherë Luisi fillimisht t’i mësojë disa hile më shumë të profesionit, të na ndihmojë edhe për disa kohë dhe më pas le të ikë (qesh)… Jo, vërtet, Suarezi do të ishte mësuesi ideal për Lautaron, për t’i mësuar stilin e lojës së Barcelonës.

Mesjavën e ardhshme rikthehet muzika e Champions-it, ku skena juaj e ardhshme do të jetë “San Paolo” i Napolit. Do të shkelni në stadiumin që për disa vite ka qenë i Maradonës. Çfarë ndjesish ju jep kjo?

Prej shumë vitesh kisha dëshirë që të shkelja në stadiumin që ka luajtur Diego, por fati e bëri të mundur sivjet këtë gjë. Do të jetë bukur që ta shoh nga pranë atmosferën që ofron “San Paolo”.

Napolitanët janë shumë pasionalë dhe kanë ëndërruar prej shumë vitesh që të kenë një tjetër “Maradonë” aty, pse jo Lionel Mesin…

Po, e njoh çmendurinë pozitive të napolitanëve për futbollin. Kam pasur shokë si Laveci që kanë luajtur aty dhe ai më ka treguar shumë nga gjërat që ka përjetuar aty. Ndaj, për mua do të jetë dyfish kurioze që ta ndiej nga afër atmosferën e “San Paolo”-s.

leo mesi

Ju surprizoi fitorja e Atletikos kundër Liverpulit?

Realisht jo. Ditën e shortit, në klub, folëm me disa prej shokëve gjatë drekës dhe realisht e prisnim që ky të ishte një ndër duelet më të forta. Vetë Atletiko, në ndeshjet me eliminim direkt është një ekip shumë i hidhur, pasi në 90 apo 180 minuta, me forcën fizike që tregojnë në fushë dinë se si ta bëjnë diferencën. Ndaj, edhe ndeshja e kthimit nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u parashikuar.

Ndërkohë, ajo që rrezikon të mos marrë pjesë në Champions, për dy sezonet e ardhshme është Mançester Siti. Si ju duk ky vendim?

Ishte një surprizë, pasi askush nuk e kishte menduar se mund të ndodhte diçka kaq e rëndë. Edhe PSG-ja mos gaboj u përball me diçka të tillë, por ia hodhi me një gjobë, edhe pse nuk e di mirë… Por nëse në fund, ky vendim do të konfirmohet, duke marrë parasysh fuqinë ekonomike dhe lojtarët që Siti ka në përbërje, kjo do të jetë diçka shumë e rrallë.

E keni pyetur Agueron se mos ndoshta pas këtij vendimi mos ka dëshirë që t’i bashkohet Barcelonës?

Po ju çfarë doni, që t’i blemë të gjithë?! (qesh)

Por nëse do mundnit, kë do zgjidhnit nga lojtarët e Mançester Sitit?

Nuk e di, por nëse Siti nuk merr pjesë në Champions, ndoshta do të ketë shumë lojtarë që do kërkojnë të largohen. Champions-i është shumë i bukur dhe i rëndësishëm për t’u luajtur dhe dy vite pa atë mund të jetë një rrënim i madh.

Cilët janë sipas jush favoritet për Champions-in?

Të gjitha çiftet sivjet ishin të rrezikshme. Në ndeshjet e para pamë që PSG-ja u mposht në Dortmund, ndërsa Atletiko mposhti Liverpulin. Gjithsesi, në letër mendoj se sot për sot, Liverpuli, Juventusi, PSG-ja dhe Reali i Madridit janë favoritet.

Mesi

Nëse mbyllni sytë, e shihni veten në Stamboll, duke ngritur në qiell trofeun e Champions-it sivjet?

Shpresoj. Kjo është dëshira ime më e madhe, sepse pavarësisht sukseseve të mëparshme, ka kaluar shumë vite nga hera e fundit e këtij trofeu.

Keni pengje kundrejt sezonit të kaluar?

Po, vjet ishim shumë pranë nga fitorja e mundshme e Champions-it, por e lejuam që të na shpëtonte në mënyrën më të keqe të mundshme.

Do ju pëlqente të ndesheshit sërish me Liverpulin?

Në fillim të mendojmë të kalojmë Napolin, pastaj të mendojmë…

Si po ju duket rendimenti i sivjetshëm i Kristiano Ronaldos?

Nuk më habit që vazhdon të shënojë, pasi siç e thashë, ai është një sulmues grabitqar. E adhuron të shënojë dhe nëse do të kishte mundësinë që të luante çdo ditë, çdo ditë do të shënonte. Ka shumë gjëra pozitive si sulmues dhe në gabimin e parë të ndëshkon.

Nëse do të luanit një ditë me Ronaldon, do ia pasonit topin?

Besoj se po. Do ta provoja njëherë vetëm aksionin, por në fund po, do ia pasoja…

Cila është dëshira juaj për këtë fundsezoni?

Që të korrigjojmë lojën tonë, të zbresim të qetë në fushë dhe të ofrojmë rendimentin më të mirë të mundshëm, në ndeshjet që na presin. Deri në fund rruga mund të jetë ende shumë e gjatë, prandaj duhet durim dhe të kalojmë sa më shpejt këtë situatë të vështirë momentale.

Në ceremoni, pas tërheqjes së të gjashtit “Top të Artë” në karrierë thatë se tërheqja juaj nga futbolli duket gjithmonë e më pranë. Por me siguri nuk do të ndodhë shumë shpejt apo jo?

E vërteta është që vitet kalojnë dhe mosha nuk fal askënd, ndonëse unë realisht, së fundmi ndihem shumë mirë sesa shumë vite më parë, kur isha edhe më i ri. Është e vërtetë se së fundmi nuk po fitoj më shumë trofe dhe nuk po realizoj gola si në të kaluarën, por fizikisht ndihem shumë i fortë dhe këmbët e gjunjët duket se më mbajnë ende mirë.

Pra, do ju shohim në fushë deri 40 vjeç?

Të shohim, të shohim…

/panoramsport/


Shtuar 21.02.2020 22:33