Kuvend, Dade: KiE i shqetësuar për 21 janarin
Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, deklaroi në Kuvend se komuniteti ndërkombëtar ka përcjellë me shqetësim ngjarjet e 21 janarit në Shqipëri duke dënuar përdorimin e armëve nga forcat e sigurisë.

“Zhvillimet tragjike të 21 janarit alarmuan Këshillin e Europës. Sekretari i Përgjithshëm. Jagland dënoi përdorimin e armëve me pasojë humbjen e jetëve të katër demonstruesve paqësorë, i kërkoi politikës të mos ndërhyjë në hetimin dhe të bashkëpunojë me Prokurorinë, si dhe bëri thirrje për dialog politik për të zgjidhur krizën dhe qetësuar situatën. Përkundrejt këtyre sugjerimeve dhe këshillave Kryeministri dha dhe njëherë dëshmi të pakontestueshme se ai vetë është në konflikt permanent me opozitën, me institucionet e pavarura, me median, dhe me shoqërinë shqiptare”, tha Dade gjatë fjalës së mbajtur në emër të grupit parlamentar të PS.

Ajo theksoi se sulmet dhe presionet ndaj Presidentit të Republikës, Prokurores së Përgjithshme, Shërbimit Informativ Shtetëror nuk janë praktika dhe parime që burojnë nga anëtarësimi në këtë organizëm. Përkundrazi ato përbëjnë shkelje të angazhimeve të anëtarësimit.

Sipas Dades, për këto arsye Këshilli i Europës vazhdon të na monitorojë, për këto arsye Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës vendosi të shtojë me personel e të forcojë praninë zyrës së tij në Tiranë duke rritur nivelin e përfaqësimit, që në 2003 kjo zyrë u reduktua për arsye të funksionimit normal të demokracisë.

“Këshilli i Europës pas masakrës se 21 janarit ka dërguar komisionerin për të drejtat e njeriut, z. Thomas Hammarberg, si dhe përfaqësues të Komiteti Kundër Torturës në Këshillin e Evropës, të cilët bashkëpunuan me një sërë institucionesh vendase dhe evidentuan shkelje flagrante të konventave të ratifikuar nga ky Parlament. Dhuna në komisariate e në qelitë e paraburgimit u vërtetua gjatë vizitës së përfaqësuesve të Këshillit të Europës, si edhe në raportin e përgatitur nga Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KE. Shkelja e parimeve dhe vlerave të materializuara në dokumentet themelore të një organizate ku një vend aderon përbën akt të dënueshëm që shoqërohet me penalizime që i vuajnë shtetasit e këtij vendi”, tha Dade.
Shtuar më 03/03/2011, ora 12:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori