Kushtetuesja në krizë, Bashkim Dedja ka një apel të fortë
Gjykata Kushtetuese tashmë ka hyrë në krizën më të paprecedentë që prej krijimit të saj pas vitit 1990.

Tashmë rrezikon që roja e ligjit më të lartë në vend të bjerë. Pas shkarkimit të Fatos Lulos dhe dorëheqjes më herët të Besnik Ymerajt, Gjykata Kushtetuese ka mbetur vetëm me pesë anëtarë.

I kontaktuar me telefon kryetari i kësaj gjykate, Bashkim Dedja pyetjes nëse ka rënë apo jo Gjykata Kushtetuese iu përgjigj:

“Jo , unë nuk mund të them që Gjykata Kushtetuese ka rënë, por mund të them që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon më në disa aspekte të saj që janë vendimet e seancës plenare dhe vendimet e mbledhjes së gjyqtarëve”, tha Dedja.

Por mos funksionim në seancë plenare do të thotë se gjyqtarët kushtetues nuk mund të dalin më në seancë për të zhvilluar këto procese sipas këtij kalendari të paralajmëruar.

Bashkim Dedja përsëriti sërish të njëjtin apel për zëvendësimin e vendeve vakante.

“Tashmë Gjykata Kushtetuese nuk formon më dot kuorumin me gjashtë anëtarë, e vetmja gjë që mund të them është të përshpejtohen procedurat për zëvendësimin e vendeve vakante”, tha ai.

Edhe më herët Bashkim Dedja ka deklaruar se “Gjykata Kushtetuese në këto kushte nuk po ju hyn çështjeve që në thelb rrezikojmë të na çojnë në Strasubrg”.

Në lidhje me vettingun Bashkim Dedja theksoi se shpresoj ta kalojnë të gjithë, por uroj që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt me qëllim që jo vetëm Gjykata Kushtetuese, po tërë sistemi gjyqtarë e prokurorë, të ndahet njëherë e mirë shapi nga sheqeri.

“Elementi që na bashkon të tërëve është ana profesionale, vendimmarrja është kolegjiale dhe secili ka mendimin e tij, që mund të jetë shumicë, apo pakicë.

Kushdo që ka ardhur në Gjykatën Kushetuese është i vlerësuar në këtë aspekt, kurse anët e tjera, pasuria dhe personaliteti janë probleme individuale për secilin”. /TCH/
Shtuar më 24/03/2018, ora 15:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori