Kushtetuesja merr vendimin e parë pas 3 vitesh
Gjykata Kushtetuese mori dje vendimin e parë në seancën plenare, duke rrëzuar kërkesën e gjyqtarëve penalistë për Kodin Penal.

Shtatë anëtarët e rinj të kësaj Gjykate, u mblodhën për herë të parë në seancë plenare pas tri vitesh, nga mbledhja e fundit, ajo e vitit 2018, ndërsa muaji shkurt do të jetë më i ngjeshur për ta. Kalendari i punës së kësaj Gjykate parashikon disa çështje muajin e ardhshëm, mes të cilave dhe kërkesën e Shoqatës Kombëtare Pronësi me Drejtësi për ligjin e pronave.

KËRKESA

Në seancë plenare, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese shqyrtuan kërkesën e gjyqtarëve për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të togfjalëshit “nga Gjykata e Shkallës së Parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit “… i së njëjtës Gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/ 2017.

Gjykata vendosi mospranimin e kërkesës. Kështu që ankimet për gjykimet në mungesë rishikohen nga Gjykata që ka dhënë vendimin në dhome këshillimi me një gjyqtar, pra në shkallë të parë. “Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me ligjin nr.99/ 2016″, thuhet në vendimin Kushtetueses.

Prej 2017 Kodi i Procedurës Penale i ndryshuar parashikon se ankimet për gjykimet në mungesë rishikohen nga gjykata që ka dhënë vendimin në dhomë këshillimi me një gjyqtar. Kjo është ankimuar nga gjyqtarët penalistë të Tiranës. Pas shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi që të rrëzonte kërkesën e tyre duke mos e ndryshuar Kodin e Procedurës Penale për gjykimet në mungesë.

Deri në 2014 ky nen parashikonte shqyrtim nga një gjykatë më e lartë përfshirë apelin, ose të lartën me 3 gjyqtarë apo 5 gjyqtarë. Ankmimi në Kushtetutë është bërë nga gjyqtari Penal i Tiranës, Erion Bani. Në momentin e ankimimit ai, ndër argumentet që dha ishte se, Kodi i Procedurës Penale sipas ndryshimeve thotë që shqyrtohet kërkesa në dhomë këshillimi nga Gjykata e Shkallës së parë. Duke vlerësuar se Kushtetuta thotë që ‘rigjykimi bëhet nga një gjykatë më e lartë dhe jo shkalla e parë kërkohet të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese dispozita e Kodit të Procedurës Penale, pasi unë nuk jam një gjykatë e lartë në raport me një gjyqtar tjetër të së njëjtës shkallë apo me Gjykatën e Apelit’.

DOSJET

Anëtarët e Gjykatës kushtetuese kanë përpara tyre çështje të nxehta politike që pritet të diskutohen në muajt në vijim. Gjykata Kushtetuese u plotësua në fund të dhjetorit me 7 anëtarë, ku Vitore Tusha është kryetare e komanduar deri në plotësimin e saj me 9 anëtarë, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fjona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja, anëtarë. Pa datë mbeten paditë me përmbajtje politike si çështja e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, përplasja mes Kryeministrit dhe Presidentit për dekretet e ministrave, si dhe padia e Partisë Republikane që kundërshton ndalimin e tubimeve politike për shkak të masave anti-COVID. Sidoqoftë, për shqetësimin e masave anti-COVID, pavarësisht se kur do të zbresë në seancë për ta shqyrtuar kërkesën në fjalë, Gjykata Kushtetuese është treguar e qartë me njoftimin se seancat plenare do të mbahen pa praninë e publikut për shkak të masave kufizuese anti-COVID.
Shtuar më 27/01/2021, ora 09:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori