Kushner: Per Francen pavaresia e Kosoves eshte e pakthyeshme
Albeu.com
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner, në prag të vizitës së tij në Beograd dhe Prishtinë.
Në një intervistë të dhënë për mediat serbe, Kouchner ka thënë se gjithsesi, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për Serbinë për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.
Kouchner në intervistën për "Veçernje novosti" tha se të hënën vjen në Beograd që të japë mbështetje nga Franca për integrimin evropian të Serbisë. Ai shtoi se pas suksesit me ndërprerjen e vizave për BE-në për qytetarët serbë edhe pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së përkohshme, "tani duhet të përparohet nga statusi kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim".

Shefi i diplomacisë franceze tha se autoritetet serbe janë njoftuar se "në mesin e kushteve për pranim në BE, nuk është edhe njohja e pavarësisë së Kosovës".

"Por, edhe këtë asnjëherë nuk e kemi fshehur, pasi që me miqtë hapur bisedojmë, Serbia, si dhe cilido vend tjetër kandidat duhet t'i zgjedh problemet e veta me fqinjët, me të gjithë fqinjët e vet, para se të hyjë në BE, domethënë edhe me fqinjët të cilët gjithashtu kanë për qëllim të bëhen anëtare të BE-së", tha Kouchner.

Kouchner vlerësoi se Serbia dhe vendet nga rajoni gjatë muajve të fundit kanë arritur zhvillim të rëndësishëm dhe shtoi se kandidaturat për anëtarësim në BE do të vlerësohen sipas meritave.

"Sa më shpejtë që i zbatoni reformat e rënda, të dobishme për afrimin evropian, aq më shpejtë do të hyni në BE. E kam të njohur vendosmërinë e Qeverisë suaj. Kam besim në të se do t'i ndajë përpjekjet dhe se në këtë mënyrë do të vijë deri tek integrimi në familjen evropiane. Do të jemi këtu që t'i ndihmojmë në secilën nga etapat, deri në përfundimin e negocitave" tha Kushner.

Sidoqoftë, ai ka përsëritur faktin se Serbia duhet t’i zgjidhë problemet me fqinjët e saj para se të hyjë në BE, duke theksuar këtu fjalën “me të gjithë fqinjët e saj”, çka nënkupton edhe Kosovën.

Kouchner, gjatë qëndrimit në Kosovë pritet të takohet e zyrtarë më të lartë të vendit tonë dhe me përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Prishtinë.

Kuvendi i Kosovës ndërkaq, do të mbajë një seancë solemne për nder të ministrit të Jashtëm francez, ku ai do të mbajë edhe një fjalim të rastit.
Shtuar më 27/02/2010, ora 22:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori