Kushner: Kosova është një rast i veçantë që nuk mund të shfryt&
Albeu.com
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të G8-es janë përplasur të mërkurën rreth së ardhmes së Kosovës, pasi Rusia kishte tërhequr vërejtjen se plani i Kombeve të Bashkuara për të trasuar rrugën drejt pavarësisë nga Serbia do të mund të trimëronte lëvizjet separatiste në rajonet pro ruse në Gjeorgji, shkruan gazeta "Internatinal Herald Tribune".Gjatë diskutimeve të nxehta me ministrin e jashtëm britanik, kanadez, francez, gjerman, italian, japonez dhe amerikan, Sergej Lavrov, ministri i jashtëm rus e ka bërë të qartë se synimi i Moskës është zhvillimi i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës para se të merret parasyshë plani i pavarësisë. Edhe pse diplomatët kanë thënë se nuk kanë shpresuar për ndonjë përparim të madh mbi çështjen e Kosovës në takimin e Potsdamit, shkruan gazeta, ata megjithatë jane befasuar me qëndrimin e ashpër të zotit Lavrov. Një diplomat evropian, i cili ka marrë pjesë në takimin e së mërkurës, ka thwnw se Lavrov e ka krahasuar Kosovën me Palestinën. Ai i ka pyetur ministrat se "pse janë duke u ngutur aq shumë për t'i dhënë Kosovës pavarësinë, ndërkohë për 40 vite me rradhë ata kanë dështuar t'i japin Palestinës një pavarësi të këtillë". Që prej marsit të këtij viti, Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi kanë thënë se deri në qershor do të prezantojnë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit, për t'i dhënë fund edhe ligjërisht protektoratit ndërkombëtar në Kosovë, duke e lejuar atë që të lëvizë drejt pavarësisë. Por, muajin e kaluar Rusia është kërcënuar me veto nëse një rezolutë e këtillë del në tavolinë. Frank - Valter Shajnmajer, ministri i jashtëm gjerman, citohet ta ketë pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë ministrin Lavrov gjatë takimit nëse Rusia do të vërë veto në cilëndo rezolutë që i jep fund protektoratit ndërkombëtar në Kosovë. Një diplomat tjetër i pranishëm në takim, ka thënë se Lavrov nuk ka arritur të japë përgjigje të prerë. Ai megjithatë ka thënë se nëse Kosova arrin pavarësinë, atëherë Osetia dhe Abkhazia kanë arsye për të mëtuar të njejtën gjë. "Sjelljet e Gjorgjisë drejt qytetarëve të Osetisë dhe Abkhazisë, sipas ministrit të jashtëm rus, kanë qenë shumë më të rënda se sjellja e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë". Në këtë kuadër, ministri i jashtëm francez, Bernar Kushner, ka thënë se se Kosova është një rast i veçantë, i cili nuk mund të shfrytëzohet si precedent. Sipas tij, Kombet e Bashkuara nuk janë ngutur fare në marrjen e vendimit pë Kosovën dhe se me zgjidhjen e statusit, stabiliteti në këtë pjesë të Ballkanit do të rikthehej, shkruan "Interneshënell herald tribjun", transmeton Radio Evropa e Lirë. qik
Shtuar më 31/05/2007, ora 16:06
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori