Ministrja e Arsimit në Përballë: Universitetet dhe konviktet vatra infeksioni!
Ministrja e arsimit Evis Kushi thotë se vendimi i beftë për nisjen e vitit akademik online ishte i nevojshëm pasi komiteti teknik i ekspertëve arriti në përfundimin se auditoret dhe konviktet mund të ktheheshin në vatra infeksioni.

Në një intervistë për gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë, Kushi sqaroi pse vendimi erdhi vetëm dy ditë para celjes së universiteteve.

"Kjo pandemi ne na mësoi që parashikimet nuk mund ti bëjmë një muaj para. Dinamika është e tillë që ka vendime që merren edhe në orët e fundit apo ditët e fundit dhe ky është një rast. Komiteti i ekspertëve sugjeron.

Komiteti ka autoritetin dhe përgjegjësinë për të përcaktuar strategjinë e gjurmueshmërisë së virusit dhe për të udhëzuar qeverinë për hapat që do të marrë dhe për vendimet që duhet të marrë.

Dhe komiteti arriti në konkluzionin që universitetet e sidomos konviktet mund të jenë vatra të mundshme infeksioni." -theksoi Kushi në Përballë.

Sipas ministres kosto do të ishte shumë me e madhe nëse universitetet do të nisnin në auditore.

"Dhe unë po të isha studente do të kisha dashur auditorin dhe jo nga shtëpia. Nuk kishte më keq për mua që te uroja ditën e parë me auditore të zbrazura.

Kosto do të ishtë shumë më e madhe nëse do të fillonte universiteti në auditore dhe pastaj do të kishim një përhapje më të madhe të virusit. Do të kishim pasoja shumë më të rënda. " - tha Kushi.

Ndërsa doktor Skënder Brataj, anëtar i komitetit teknik argumentoi në emisionin Përballë se përse eskpertët arritën në këtë vendim.

"Për një arsye shumë të rëndësishme. E tregoi eksperienca e SHBA-ve që kur u hapën konviktet dhe sallat e leksioneve ku të gjithë bëhen bashkë, kapërceu numri i infeksioneve. Tjetra, në Shqipëri përqëndrimin e universiteteve e kemi në Tiranë.

Që të sjellësh 40 mijë 50 mijë të rinj në Tiranë në këtë moment kur Tirana është një zonë e kuqe. Këto persona në darkë nuk do të rrijnë në konvikte, në fundjavë do të shkojnë sërish në shtëpitë e tyre. Pra është burim infeksioni kryesor." - theksoi Brataj në Përballë.
Shtuar më 10/11/2020, ora 21:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori