Kushëri i Loshit të Karbunarës, hakmarrja e frikshme e Lul Cakës për vrasjen e nënës
Lulzim Caka, ose i njohur shkurt si Lul Caka, tashmë po shijon lirinë pasi kreu dënimin për akuzat e vërtetuara nga prokuroria. Ai qëndroi 16 vite pas hekurave dhe tashmë është liruar.

I dënuar për tri vrasje, Lul Caka ka lënë qelinë e Burgut të Kosovës, në Lushnjë. Ai ishte dënuar në dhjetor të vitit 2002, kur Gjykata e Apelit në Vlorë la në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Fierit. Ngjarja për të cilën u dënua, ka ndodhur në muajin mars të vitit 1998, kur Caka u ka bërë rezistencë forcave të Policisë.

Në atë kohë, i sapoliruar nga burgu me një manipulim dokumentesh i ishte kthyer aktivitetit kriminal. Pas një informacioni për vendosjen e tij në fshatin Pobrat, është angazhuar e gjithë Drejtoria e Policisë së Beratit. Forcat e Policisë, të kryesuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi, të vrarë në një atentat më vonë, rrethuan Lul Cakën së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij.

Por, të armatosur me kallashnikov, ata i bëjnë për rreth gjysmë ore qëndresë Policisë. “Unë në ’97-ën nuk jam aktivizuar me bandat, ashtu siç kam lexuar nëpër gazeta. Unë kam pasur një djalë tezeje, Bujar Sulën ose, siç njihej atëherë, Losh Karbunara, që ka qenë një djalë i shkathët”, tregonte Caka në një intervistë të dhënë nga burgu në vitin 2008.


Historia
Motivi për vrasjen për të cilën u akuzua Lul Caka, është supozuar hakmarrja, e cila, sipas Policisë, ka nisur qëkur një vëlla i tij mbeti i vrarë nga rivalët e vëllezërve Caka, të identifikuar si fisi i çamëve të Fierit.

Më pas, vdes dhe i ati i tyre, shkak për vdekjen e së cilit u bë hidhërimi nga humbja e të birit. Ngjarja më e dhimbshme ndodh më 1 korrik të vitit 1999, kur e ëma e Lul Cakës, Xhevria, vritet në mënyrë tragjike. Fill pasi e kishte takuar Lulin në burgun e Fierit, ajo rrëmbehet nga disa persona, të cilët kaluan rrëmbimthi me makinë. Më pas ajo gjendet e masakruar në periferi të qytetit.

Për Policinë këto ngjarje e kanë bërë më të egër Lulzim Cakën, por nuk kanë qenë këto që e kanë bërë të tmerrshëm. Emri i tij mësohet se është regjistruar në dosjet e Policisë që prej vitit 1995, kur në Sematicë ai qëllon mbi disa policë, të cilët kishin rrethuar banesën e tij.

Aksioni përfundon pa realizuar kapjen e Cakës, me të cilin bashkohet edhe një pjesë e bashkëfshatarëve të tij. Më tej, në shkurt të vitit 1999, ai që sot mban vulën “i tmerrshmi” përballet me Edmond Kosenin, shefin e atëhershëm të Policisë së Lushnjës. Banda e Karbunarës, në të cilën bënte pjesë edhe Caka, hap zjarr mbi Policinë, duke lënë të plagosur njërin nga policët. Forcat e shumta nga radhët e bluve arrijnë të shoqërojnë në Polici një numër të madh personash, ndërsa Lul Caka shpëton. Rasti i fundit, ku Caka tregon forcën e tij me Policinë, ka qenë 25 marsi i vitit 1998.

Përdhunimi dhe vrasja e nenës së Lul Cakës
Pas gati 9 vitesh Policia dhe Prokuroria e Fierit arritën të hidhnin dritë mbi vrasjen e nënës së Lulzim Cakës.

Për këtë vrasje janë akuzuar 3 persona, Fatmir Emini dhe vëllezërit Artan e Bledar Yzeri.

Emini ndodhej në burg në momentin që u zbulua pjesëmarrja e tij në ngjarje, Bledar Yzeiri ishte arrestuar në Belgjikë, ndërkohë që i vëllai, Artani, vijon të jetë person i shpallur në kërkim.

Ngjarja, që ka ndodhur më 1 korrik të vitit 1999, është dokumentuar tërësisht. Mes vapës së verës, Xhevrie Caka niset për në komisariatin e Fierit për të takuar djalin e saj, pikërisht Lulzim Cakën që gjendej në paraburgim.

Kur ishte pranë komisariatit, pranë saj është afruar një makinë me dy persona në të, të cilët e kanë marrë me forcë.

Ajo u gjet e tortoruar dhe më pas vrarë me armë zjarri në Seman.

“Vrasjen e nënës ma ka treguar një polic nga ata të shërbimit. E mbaj mend si tani. ‘Ti je Luli?’, më tha. ‘Po’, i thashë unë. Unë e kisha një parandjenjë të keqe në fakt, se ajo nuk rrinte dot pa ardhur, ma ndiente shpirti.

Ai polici m’u drejtua pastaj. ‘E di që je mërzitur’, më tha. ‘Po fol’, i thashë, ku e ke hallin’. ‘Nënën tënde ta vranë’, më tha. ‘Rrofsh që ma the’, i kam thënë, por unë e dija si isha në ato momente.

Por më tha të mos i tregoja njeriu që ma kishte thënë ai. Detyrimisht, edhe pse u mërzita ku s’bëhet më shumë, unë nuk e dhashë veten.

Më tha që nënën ma kishin marrë Milja, Bledi, Artani, kanë qenë edhe dy nipërit e Miles dhe një nga Hoxhara e Fierit, me mbiemër Hoxha.

E kanë çuar aty tha dhe e kanë vrarë. Për momentin nuk e dhashë veten. Kur u futa brenda, kërkova takim me drejtuesit e Policisë, kërkova dhe drejtorin që të ma shpjegonin tamam të gjithë atë histori”, tregonte Lul Caka nga burgu disa ditë pasi u zbardh vrasja e nënës së tij.

Pas vrasjes së nënës, hekurat e burgut nuk ishin më pengesë për Lul Cakën.

Më 6 janar 2001, nëpërmjet një sharre, ai arriti të priste hekurat dhe të largohej nga qelia për t’u hakmarrë për përdhunimin dhe vrasjen e nënës së tij, Xhevries 56-vjeçare dhe vëllait Bardhoshit.

Dy personat e dyshuar për krimin e fundit, Valter Bega, 21 vjeç, dhe Maringlen Cami, 22 vjeç, u vranë më 22 mars 2001 prej tij. Në dhjetor të vitit 2001, ai u kap në Foxhia të Italisë. Ndërsa në vitin 2003 u ekstradua në Shqipëri.
Shtuar më 31/07/2019, ora 15:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori