Kush u kujdes gjatë pandemisë COVID-19 për romët e Fushë-Krujës?

Në 8 Mars 2020 Autoritetet raportuan rastin e parë të COVID-pozitive. Po atë ditë, Qeveria Shqiptare vendosi mbylljen e kufijve. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vendosi që kushdo që kthehet nga jashtë, veçanërisht nga zonat e kuqe, duhet të vetë-karantinohet menjëherë.

Sfida më e madhe për të gjithë grupet vulnerabël ishte se si do të do të vijonte dita e tyre duke qënë se nuk kishin asnjë të ardhur rezervë dhe ushqimet e tyre po mbaronin. Në media shihej që romët nisën të protestonin pasi nuk kishin mbështetje nga autoritetet shqiptare për paketa ushqimore dhe higjeno-sanitare. Një ndër zonat problematike ishte ajo e Fushë-Krujës, Fatmira Dajlani përfaqësuese e organizatës “Porta Rome për Integrim” na shpjegon situatën e Romëve në këtë qytet, nëpërmjet intervistës që ndodhet më poshtë:

Në Kohën e pandemisë COVID-19, kur të gjithë ishim të izoluar, romet lëshuan apel për ndihmë nga të 4-ta anët e Shqipërisë, cili ka qënë kontributi juaj në këtë rast për romët e Fushë-Krujës ?

“Është e vërtetë, edhe komuniteti i Fushë-Krujës u gjend në një situatë shumë të vështirë. Edhe pse një situatë pandemie, jam munduar të dal çdo ditë në punë duke u mbrojtur me sa mundem nga virusi, për të vetmen arsye për t’i qëndruar komunitetit afër. Kam dërguar shumë emaile të gjithë kontakteve që kisha, kam komunikuar ne telefon, ku fokusin e kisha të siguroja ushqime për ta.”

Çfarë ka qënë nevoja më e madhe për komunitetin ? Sa familje kanë përfituar nga donacionet tuaja ?

“Nevojat ishin nga më baziket, duke filluar që nga mungesa e ushiqimit, materialet higjenike si dhe ilacet. Jam fokusuar më shumë në shpërndarjen e ushqimeve. Rreth 120 familje rome kanë përfituar nga ushqimet që kam arritur të siguroj për ta.”

Si ka qënë bashkpunimi me institucionet, keni patur marrveshje me njëra-tjetrën ?

“Faktikisht, me institucionet, bashkëpunim më të ngushtë kam patur me shkollat. Duke qenë se nxënësit rom nuk kishin mundësi aksesimi onlinë në mësim, bashkë me shkollën dhe 4 vullnetarë të cilët u gjendën të gatshëm për t’u futur në grupet online të klasave dhe më tej për t’i çuar mësimet nxënësve rom në shtëpi që nuk kishin mundësi se si të përfshiheshin online në mësim. Me institucionin e Bashkisë kemi bashkëpunuar pak herë, por më së shumti kam kërkuar vetë ndihmë për komunitetit në organizata e donatorë të ndryshëm.”


Po përsa i përket organizatave rome, keni patur bashkpunime me njëra-tjetrën ?

“Patjetër, organizata Amaro-Drom ka qenë një ndihmesë e madhe e cila ka ofruar rreth 100 paketa ushqimore për komunitetit në kuadër të programit ECSORI, dhe kjo ka qenë një nga ndihmesat më të mëdha të komunitetit gjatë pandemise. Padyshim që ka patur dhe organizata të tjera që kanë kontribuar sadopak, por që kanë dhënë dhe ata një ndihmë sa do e vogël të ketë qenë.”

Si është situata e romëve tani pas pandemisë, ka patur përmirësime, cila është nevoja emergjente që ka nevojë komuniteti Rom në qytetin e Fushë-Krujës ?

“Nevojat e komunitetit lidhen me punësimin, arsimimin dhe gjendjen e vështirë socio-ekonomike. Këto tre pika lidhen ngushtë me nevojat e tyre.

Që prej pandemisë kanë punuar shumë pak, sepse shumica mos të themi të gjithë prej tyre merren me tregëti të rrobave, apo materialeve të riciklueshme, kështu me bllokimin e rrugëve ose kufizimet tjera kanë patur pak ose aspak punë. Fëmijët nuk janë pjesëmarrës në shkolla, mësimi online i ka mënjanuar të gjithë dhe prej muajsh nuk përfshihen në mësim. Gjithashtu nga gjendja ekonomike, papunësia ka ndikuar shumë saqë numri i familjeve me nevoja emergjente është rritur shumë për ndihma ushqimore dhe nevoja të tjera immediate. Le të themi se romët po përballen me vështirësi të shumta që i janë shtuar për mbi atyre që kishin.”

Po për familjet Rome të cilët jetojnë në Fushë-Krujë, a dini raste nga komuniteti, të cilët janë prekuar nga COVID-19 ?

“Fatmirësisht, asnjë për momentin nuk ka patur shenja të COVID-19. Dhe pse i bëj shpesh herë apel të ruhen dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme!” /Olsi Sherifi
Shtuar më 05/12/2020, ora 10:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori