Mbahet sot mbledhja e parë e Komisionit të Reformës Territoriale

Ditën e sotme mbahet mbledhja e parë e Komisionit për Reformën Territoriale.

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist bëri me dije në një deklaratë dje se komisioni i posaçëm parlamentar do të bëjë një hulumtim se si është zbatuar deri tani Reforma Territoriale, në të ardhmen mund të shihet ideja e rajoneve, ku bashkitë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në nivel rajonal.

“Duhet të mbahen mbledhjet e para të dy komisioneve. Mbajtja nesër e mbledhjes për reformën territoriale që quhet mbledhja e konstituimit. Do të ngrihet grupi i punës për hartimin e një objekti. Besoj që edhe opozita t’i përmbahet atij objekti. Për të parë edhe mundësinë e një roli më të ndryshëm se ai aktual i qarqeve. Edhe komisioni duhet të shohë të gjitha mundësitë për të parë edhe një lloj bashkëpunimi rajonal mes bashkive. Në kuadër të procesit të integrimit edhe organet e qeverisjes vendore duhet ta përqasin rolin e tyre”, tha Balla.

Ai tha se PS nuk ka propozime konkrete për ndarjen territoriale në vend dhe theksoi se puna do të jetë në komision.

“Nuk jam këtu për të komunikuar propozimet e grupit tonë. Puna do të jetë në komision. Askush prej palëve nuk duhet ta shohë veten si përfaqësues i njërës palë. Jemi 8 vite pas miratimit të reformës territoriale. Vlerësimi im është që qarqet kanë humbur peshën e tyre. Duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë organizimi rajonal”, u shpreh Balla.

Kujtojmë se tetë vite më parë, kur u miratua Reforma Territoriale diskutimet u bojkotuan nga kreu i atëhershëm i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ndarja e vendit u bë nga mazhoranca socialsite në 4 rajone, ndërsa sot bëhet fjalë për për të njëjtën hartë territoriale, e cila nuk gjeti miratim në atë kohë.

Në bazë të ndarjeve të rajoneve, janë krijuar drejtoritë e bujqësisë, drejtoritë e arsimit, të shëndetësisë, drejtoritë e kujdesit social dhe ato të thesarit.