Perez telefonon Agnellin për yllin e Realit: Është yti për 40 milionë euro

Marko Asensio dhe Juventusi mund të jenë një prej tratativave që mund të shkojë deri në fund të kësaj merkatoje vere, nëse një tjetër skuadër nuk shpejton dhe këmbëngul më shumë sesa bardhezinjtë.

Madje, sa më shumë kalojnë ditët aq më tepër shtohet interesi e konkurrenca dhe vetvetiu ankandi rrit edhe çmimin minimal që Reali i Madridit kërkon për kartonin e lojtarit në fjalë.

Shumë të interesuar po aq sa Juvja kanë qenë edhe Arsenali e Milani, por fakti se kësaj “valleje” i janë shtuar edhe skuadra të tjera si Mançester Junajtidi e Liverpuli, Asensio nis të kushtojë më shtrenjtë.

Gjithsesi, duke njohur miqësinë e fortë mes presidentëve Andrea Anjeli dhe Florentino Perez, nga Spanja nënvizojnë se ky i fundit ka telefonuar homologun bardhezi, duke i nënvizuar se është gati që të presë dhe të shtyjë ofertat edhe për pak kohë, ndonëse për kartonin e 26-vjeçarit Reali i Madridit pretendon 40 milionë euro nga Juventusi.

Asnjë qindarkë më pak!


Shtuar 22.06.2022 21:28