Trafikonin lëndë narkotike në kutitë e ushqimeve, arrestohen 2 shqiptarë në Greqi

Dy shqiptarë, 30 dhe 38 vjeç, u arrestuan në kuadër të një operacioni në Kallithea, nga punonjës policie të Nëndrejtorit të Prokurorisë së Narkotikëve pranë Sigurimit të Atikës, të akuzuar për trafik droge.

Sipas mediave vendase, pas kontrollit në një zonë pranë shtëpisë së 38-vjeçarit, iu gjet kokainë, e cila ishte e ndarë në 10 pako, me qëllim shitjen e menjëhershme, si dhe 2 pako me kanabis të papërpunuar. Në të njëjtën kohë, 30-vjeçari kishte në shtëpinë e tij edhe 3 pako me kokainë.

Vërehet se një element karakteristik i veprimit të 38-vjeçarit, gjatë trafikut të lëndëve narkotike, ka qenë përdorimi i një motori mbi të cilin ka vendosur një kuti për transportin e produkteve të një kompanie shpërndarëse ushqimore, me qëllim ‘çorientimin’ e organeve të ndjekjes dhe shmangien e kontrollit dhe arrestimit. Madje, 38-vjeçari është arrestuar edhe në të kaluarën për krime të ngjashme.

Në total, nga hetimet e policisë u gjetën dhe sekuestruan: 1936,5 gram kokainë, 1880 gram kanabis të papërpunuar, shumën 44334,4 euro, 3 peshore elektronike, një makinë, një motor, 2 celularë dhe një kuti nga një kompani shpërndarëse ushqimore. Dy të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Penale të Athinës.