Kush i njoftoi hajdutët për furgonin e Rinasit?
Operacioni që blutë e Tiranës po kryenin disa ditë më parë për arrestimin e autorëve të grabitjes në Aeroportin e Rinasit, ka dyshime se është dekonspiruar. Në kohën që policia ishte informuar për vendndodhjen e furgonit të bardhë që ishte përdorur nga grabitësit për t’u larguar nga vendngjarja, dikush ka informuar autorët dhe ata janë larguar para se policia të mbërrinte në adresën ku ata ndodheshin, raporton "Panorama".

Nisur nga kjo, tashmë ka nisur një tjetër hetim për mundësinë e dekonspirimit të operacionit të policisë. Furgoni i përdorur nga grabitësit e 1 milion eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit është gjetur i braktisur në afërsi të “Pallatit me Shigjeta”, në Tiranë.

Automjeti i bardhë, tip “Ford”, pa targa, ndodhet i sekuestruar prej afro 10 ditësh, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ekspertët po kryejnë ekzaminimet e nevojshme për administrimin e provave.

Burimet thanë se deri tani ende nuk është gjetur asnjë gjurmë gishtash apo ndonjë mbetje biologjike që të çojë në identifikimin e autorëve.

Furgoni është gjetur në Tiranë mbrëmjen e datës 12 korrik dhe ka të njëjtat karakteristika me mjetin e fiksuar nga kamerat e sigurisë përgjatë rrugës nga Rinasi në Laknas e deri në Kamzë.

Një automjet i ngjashëm, furgon mallrash i bardhë, është përdorur nga grabitësit e Rinasit për t’u larguar nga vendngjarja, pasi i vunë flakën makinës “Benz”, me të cilën u futën brenda pistës së avionëve. /albeu.com/
Shtuar më 24/07/2016, ora 09:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori