Rriten me 91% pagesat vjetore të taksës së ndërtesës për bizneset në Tiranë, shtohen detyrimet edhe për pronarët e garazheve dhe bodrumeve

Rritja e çmimeve fiskale për 32 zonat kadastrale dhe të 5 njësive administrative të Tiranës, shtrenjton nivelin e taksës së ndërtesës edhe te bizneset.

Pagesat vjetore të bizneseve për taksën e ndërtesës do të rriten nga 5 deri 91%. Krahasuar në vlerë taksa vjetore e ndërtesës që paguajnë bizneset me çmimet fiskale të 2023 është gati 9 herë më tepër se pagesat e familjarëve për taksën e apartamenteve.

Formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit, ndërsa vlera e dyqanit në Tiranë llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.

Për qytetet e tjera, çmimi i vlerës së dyqaneve është 1,5 herë më shumë se çmimi për metër katror i apartamenteve. Për bizneset e rretheve niveli i taksës së ndërtesës nuk ndryshon, pasi nuk kanë ndryshuar çmimet e referencës, mbi bazën e të cilës llogaritet vlera e ndërtesës.

Konkretisht nëse një pronar dyqani me sipërfaqe 100 metër katror me vendndodhje në zonën kadastrale 1/1 ku çmimi i referencës me vendimin e vitit 2018 ishte 97,700 lekë për metër katror paguante në vit taksë për ndërtesën 39,080 lekë (97,700x2x100 m2 vlera e dyqanit është 19,540,000 lekë. Taksa që paguhet është sa 0,2% e vlerës së dyqanit e llogaritur sipas dyfishit të çmimit fiskal të apartamenteve për zonën kadastrale 1/1 ku ndodhet edhe ndërtesa e biznesit).

Me rritjen e çmimeve fiskale, konkretisht në zonën kadastrale 1/1 çmimi i referencës për 2023 është 102,800 lekë për metër katror, biznesi do të paguajë 41,120 lekë në vit taksë. Krahasuar me më parë taksa është shtuar në vlerë 2,040 lekë në vit apo 5% më shumë.

Ndërsa një familje që zotëron një apartament me sipërfaqe 90 metër katror në zonën kadastrale 1/1 (përfshin zonat nga Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë deri te Depo e Ujit) nga 4,396 lekë në vit që paguante taksë për ndërtesën do të paguajë 4,626 lekë në vit. Pra taksa në vlerë i shtohet 230 lekë në vit apo 5%. Krahasuar me pagesat e biznesit ato janë 9 herë më të ulëta.

Ndërsa për ndërtesat e bizneseve rritja më e lartë e pagesës vjetore të taksës do të jetë në zonën kadastrale 7/4, ku edhe çmimet referuese të apartamenteve u rritën 76% krahasuar me nivelet e vitit 2028. Sipas llogaritjeve të Monitor nëse një biznes posedon një dyqan në këtë zonë me sipërfaqe 100 m2 katror, pagesat vjetore do t’i rriten 23,800 lekë në vit apo 91%.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave arkëtimet vjetore të taksës së ndërtesës në Tiranë janë në vlerën e 30 mln eurove në vit, ku 7 mln euro të ardhura arkëtohen nga familjarët dhe 23 mln euro nga bizneset.

Me taksimin e ri në vitin 2018 qeveria përfshiu edhe garazhet dhe bodrumet e mbyllura. Taksa për garazhet dhe bodrumet është 0,2% e vlerës, por për garazhet dhe bodrumet taksa llogaritet sa 70% e çmimit fiskal, për parkimit e hapur sa 30% e çmimit fiskal të apartamenteve dhe magazinat e përpunimit për 50% e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse sipas qyteteve.

(Për llogaritjen e çmimit të referencës për metër katror sipërfaqe ndërtimi për ndërtesat që nuk shërbejnë për banim referoju Aneksit 2, të vendimit nr. 132, datë 7.3.2018 “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”.)

Pronari i garazhi apo bodrumi me sipërfaqe 50 m2 në zonën kadastrale 1/2 ( përfshin zonat nga Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, LanaBregas, Linzë, Sauk) më përpara paguante në vit 5,460 lekë në vit. Me rritjen e çmimit fiskal të zonës pronari i garazhit do të paguajë 6,804 lekë taksë në vit. Pagesat i shtohen në vlerë 1,344 lekë në vit apo rreth 25%.

ANEKSI 2

ÇMIMET MESATARE PËR METËR KATROR SIPËRFAQE NDËRTIMI PËR NDËRTESAT QË NUK SHËRBEJNË PËR BANIM

a) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për veprimtari tregtimi dhe shërbimi është 1.5 (një pikë pesë) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas qyteteve. Në këtë kategori do të përfshihen edhe ndërtesa tregtare, ku njëkohësisht realizohen edhe procese të përziera prodhim, tregtim ose/edhe shërbime me pakicë. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky koeficient është 2 (dy) herë më i lartë.

b) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të mbuluar dhe bodrume është 70 (shtatëdhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

c) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të hapur është 30 (tridhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

ç) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për veprimtari industriale, si: prodhim, përpunim ose magazinim të mallrave industriale, duke përfshirë fabrikat, depot, magazinat dhe objektet e tjera të ngjashme, është 50 (pesëdhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse sipas qyteteve.

d) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi që përdoren për bujqësi dhe blegtori apo veprimtari mbështetëse, si grumbullim, magazinim dhe ruajtje të produkteve bujqësore dhe blegtorale është 30 (tridhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse, me përjashtim të përpunimit ushqimor.

dh) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për banim në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të vetëqeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 115/2014, reduktohet deri në 35 (tridhjetë e pesë) për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky reduktim është deri në 30 (tridhjetë) për qind krahasuar me çmimin e zonës më të afërt.

e) Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, çmimi për metër katror është 70 (shtatëdhjetë) për qind e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së parë. /Monitor


Shtuar 16.08.2023 08:21