Kush e zgjidhi krizen?
Albeu.com
Ende pa mbaruar fjalia e fundit e Edi Ramës ku njoftonte se PS do hynte në Parlament, në korridoret e politikës, në ekrane mediash e kollona gazetash, nisën ngrefosjet e para për të marrë atributet e njerëzve që ishin ata dhe vetëm ata që e zgjidhën këtë krizë.
Ishte meritë e Ramës që u fut në Kuvend? Apo meritë e Berishës që bëri qendrestarin? Ishte qëndrimi i Këshillit të Evropës dhe i Mevlut Çavushoglusë apo i Soares? I Hannes Zvobodës së grupit parlament socialist apo i ambasadorëve në Tiranë Lohan, Montobio dhe Withers?

Ishte meritë e Gramoz Ruçit që këshillonte nga afër Ramën apo e Astrit Patozit që kujdesej deri në detaje që negociatat të shkonin paq? Kësaj galerie personazhesh si në një ekspozitë i shtoheshin edhe ca të tjerë të padukshëm që dërgonin sms-ra të shkruara me dialekt apo të tjerë akoma që dërgonin e-mail-a pa fund dhe që në publik njiheshin me emrin e vjetër diplomatik eminenca gri.

Të gjithë u ranë tamtameve, të gjithë rrahën gjoksin, të gjithë u përmendën dhe të gjithë morën gradat për këtë hyrje disi të beftë në Parlament.


Vetëm një, vetëm një fare, media gati e harroi fare. Presidenti i Republikës Bamir Topi askund nuk u përmend. Askush nuk tha se cili ishte roli i tij, se çfarë bëri ai për krizën dhe çfarë tregoi konkretisht për këtë krizë. A thua të jetë thjesht një harresë rastësore e përzjerrë me "gëzimin e lajmit që më në fund PS u fut në Kuvend"? Urojmë të jetë kështu!

Historia e kësaj krize në fakt me Topin ka një të veçantë. Që në fillim nuk u mor seriozisht nga Berisha. Më shumë se një herë ish-shefi i tij në PD kishte lënë të kuptohej se nuk do ta pranonte për negociator. Madje duke i atashuar edhe akuzën e rëndë nëpër korridore se në zgjedhje kishte punuar kundër PD-së.

Megjitahtë ishte po vetë Berisha ai që jo thjesht ndryshoi mendim. Por në çdo fjalim dhe deklaratë gjatë ditëve të negociatave e niste me fjalën "falenderoj presidentin e Republikës".

Edhe në kampin e majtë në fillim rrudhën buzët kur Topi shprehu gatishmërinë për të qenë ai negociatori nëse palët dëshironin. Ishte kjo parti që vazhdonte ta kontestonte zgjedhjen e tij në krye të shtetit dhe në memorien e saj ende ruhej një folder kompjuterik ku gjashtë deputetë të cilësuar heretikë kishin votuar por Topit për ta zgjedhur president, me vota që PS vazhdon ti quajë të blera me miliona lekë. Nga ana tjetër, ata i frikësoheshin një qendrimi të presidentit pro ish-partisë së tij, si kompensim të ftohjes shumë mujore.

Gjithsesi, kjo situatë e dyshimtë nuk zgjati shumë. Dalëngadalë të dy palët, PS e PD jo vetëm e pranuan Topin për të qenë ai negociatori, por e trajtuan institucionin e presidencës si të vetmin institucion garant për zgjidhjen e kësaj krize.

Dhe dalëngdalë nisi të ravijëzohej jo thjesht një figurë politike që deri tani kishte bërë karrierë në parti dhe papritur ishte bërë edhe president Republike. Por negociata treguan se për herë të parë për një krizë politike, presidentin Topi nuk e sulmoi asnjë palë. Për herë të parë, presidentin e Republikës e pranuan të gjitha palët. Pas rrëzimit të sistemit komunist si Ramiz Alia. Sali Berisha, Rexhep Mediani dhe Alfred Moisiu janë anatemuar si nga të djathtët dhe të majtët. Në këto 20 vjet, për një palë ata kanë qenë më të mirët dhe për palën tjetër e kundërta.

Në rastin e Topit kemi një figurë që ndonëse në një situatë delikate, të vështirë dhe me një background politik dhe profil të qartë, ai nuk mori mbi shpinë akuza e epitete mbështetësë të kësaj apo asaj force politike.

Aktualisht, nuk jemi të sigurtë nëse Shqipëria ka presidentin më të mirë në detyrë që nga rrëzimi i komunzimit. Por për një gjë jemi të të sigurtë ama që kriza që po kalojmë e vuri Bamir Topin në një provë prej të cilës ne mund të themi se Shqipëria së paku kemi një president që e pranojnë të dy palët dhe pas negociatave për zgjidhjen e krizës politike nuk e sulmon asnjë palë. Dhe në xhunglën e politikës shqiptare kjo nuk është pak.
Shtuar më 25/02/2010, ora 23:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori