Kurti: EULEX-i nuk pranon pavaresine e Kosoves
Albeu.com
Në një intervistë për Alsat, lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, tha se përmes gjykimit të tij, EULEX-i po synon ta ndalojë qëllimin e kësaj lëvizjeje për përfshirjen eventuale në politikë me pjesëmarrjen në ...... zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të cilat do të mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Këto komente Kurti i bëri në kohën kur Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës së Qarkut po e kërkon atë në mënyrë që ta detyrojë të merr pjesë në seancat gjyqësor kundër tij. Por, Kurti ka mohuar mundësinë e dorëzimit të tij në polici, dhe pjesëmarrjen në seancën e radhës gjyqësore, e cila do të mbahet më 2 mars.

“Mendoj që EULEX-i neve na ka problem edhe nëse garojmë apo jo në zgjedhje. Viti 2010 është vit shumë i rëndë dhe i vështirë për Kosovën dhe ata frikësohen se mund të ketë ndonjë shpërthim të pakënaqësisë të cilës mbështjelljen politike do t’ia jepte Vetëvendosja... Unë nuk do të dorëzohem në polici vullnetarisht, po ashtu nuk do të shkojë as në seancën e ardhshme që është planifikuar të mbahet në 2 mars me qenë se konsideroj që EULEX është një mision jo-demokratik, i cili nuk e pranon pavarësinë e Kosovës”, tha Kurti.

Sa i përket arrestimit të tij nga Policia e Kosovës, Kurti mendon se “nuk ka pasur vullnet shumë të madh nga Policia e Kosovës, duke filluar edhe nga policët e thjeshtë” që të vihen në kërkim të tij, dhe sipas liderit të “Vetëvendosje”, kjo është arsyeja që ai është në liri.

“Por në anën tjetër mbase ka shumë interes dhe vullnet nga kreu i policisë dhe nga EULEX-i që unë të arrestohem. Sido që të jetë unë do të mbes në liri, do të mbes jashtë burgut në momentin kur unë do të has në polic të cilët zakonisht janë njësi speciale të EULEX-it ose polic të tjerë të Kosovës të cilët u janë nënshtruar plotësisht EULEX-it”, shton Kurti. (alsat/albeu)
Shtuar më 28/02/2010, ora 18:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori