Wagner reagon ndaj kërcënimeve të Putinit: Bëri zgjedhjen e gabuar, së shpejti do të kemi një President të ri

Menjëherë pas fjalimit të Presidentit Vladimir Putin ka ardhur reagimi i grupit “Wagner”.

Në një mesazh Telegram, organizata e Yevgeny Progozin i bëri të qartë presidentit rus se ai “bëri zgjedhjen e gabuar” dhe njoftoi zhvillimet në garën presidenciale të vendit.

“Putin bëri zgjedhjen e gabuar. Aq më keq për të. Së shpejti do të kemi një president të ri”, thuhet në mesazhin e “Wagner.”

“Kërcënim vdekjeprurës për Rusinë – Ata do të mbajnë përgjegjësi.”

Presidenti Vladimir Putin e përshkroi sot “rebelimin e armatosur” të liderit të kompanisë mercenare Wagner, Yevgeny Prigozhin kundër hierarkisë ushtarake ruse si një “kërcënim vdekjeprurës”, duke folur për rrezikun e “luftës civile” në Rusi.

Me një ton luftarak, okupatori i Kremlinit iu drejtua në orën 10:00 popullit rus pa e përmendur kreun e Wagner dhe i quajti “tradhtarë të kombit” të cilët do të ndëshkohen.

Kjo është një “thikë pas shpine për vendin tonë dhe popullin tonë ,” tha Putin.

“Ajo me të cilën kemi të bëjmë nuk është asgjë më pak se tradhti. Tradhti për shkak të ambicieve të tepruara dhe interesave personale”, shtoi ai, duke iu referuar indirekt por qartë Prigozhin.

Më herët, themeluesi i kompanisë mercenare njoftoi se ndodhet në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë ruse në Rostov, një qendër e operacioneve në Ukrainë dhe se forcat e tij kontrollojnë instalime të ndryshme ushtarake.

“Ne jemi në selinë qendrore, është ora 07:30 ,” tha Yevgeny Prigozhin në një video që ai ngarkoi në Telegram.

“Objektet ushtarake të Rostovit janë nën kontrollin tonë, përfshirë aeroportin.”

Disa orë pas deklaratave të Yevgeny Prigozhin, Presidenti Putin pranoi se situata aktualisht është “e vështirë” në Rostov.

Pas kryengritjes, zyra e prokurorit të përgjithshëm të Rusisë njoftoi se po hetonte një “rebelim të armatosur” kundër Prigozhin dhe 25,000 luftëtarëve të tij./Albeu.com/


Shtuar 24.06.2023 11:22