Kur Mbreti Zog solli në Shqipëri eshtrat e Naim Frashërit (FOTO LAJM)

Memorie.al publikon historinë e panjohur të sjelljes në Shqipëri të eshtrave të poetit të madh kombëtar, Naim Frashëri, nga ana e Mbretit Zog, qeveria e të cilit mori përsipër të gjitha shpenzimet e ceremonive madhështore që u zhvilluan në qytetin e Tiranës. Kush ishin politikanët e lartë të Monarkisë që mbajtën fjalimet e rastit dhe rivarrimi i apostullit të shqiptarizmës në Teqen e Bektashinjve

Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së tij, nga viti 1925 e deri në 1939-ën, Mbreti Zog i kushtoi një vëmendje të veçantë përkujtimit, vlerësimit e nderimit të shumë figurave e personaliteteve të ndryshme historike, të cilat në të kaluarën kishin dhënë kontributin e tyre në dobi të çështjes shqiptare, duke luftuar me pushkë apo me penë.

Në këtë kuadër, çdo 28 nëntor, kur festohej Dita e Flamurit, pas propozimeve të komisioneve qeveritare të ngritura që më përpara për këtë problem, Mbreti Zog dekoronte me medalje dhe urdhra të ndryshëm mjaft patriotë shqiptarë nga të gjitha rrethet e krahinat e vendit.

Madje, një pjese të atyre patriotëve që nuk jetonin më, Zogu u akordonte pensione patriotike për familjet, pensione të cilat mjaft familje të dëgjuara për kontributin që të parët e tyre kishin dhënë për çështjen shqiptare, vazhduan t’i merrnin deri në nëntorin e vitit 1944.

Përveç kësaj, disa personaliteteve dhe figurave më të spikatura të patriotizmës shqiptare, me dekret të veçantë, Mbreti Zog u ngriti statuja, monumente apo përmendore në qytetet e tyre, ku në raste festash zhvilloheshin homazhe.

Në këtë kontekst u ngritën dhe monumentet e Themistokli Gërmenjit në Korçë, Çerçiz Topullit në Gjirokastër, kolonelit Tomson në Durrës, major Llesh Topollajt në Tiranë, apo heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, në disa qytete të Shqipërisë.

Në kuadrin e vlerësimit dhe nderimit të këtyre figurave patriotike, në vitin 1937, me niciativën e Mbretit Zog u bë e mundur sjellja në Shqipëri e eshtrave të Naim Frashërit, poetit tonë kombëtar, i cili që nga viti 1900 prehej në varrezën Merdinveqoi në Stamboll.

Ardhja e eshtrave të Naimit dhe rivarrimi i tij në Teqen e Bektashinjve në periferi të Tiranës u bë me ceremoni madhështore, ku morën pjesë personalitetet më të larta të shtetit dhe populli i kryeqytetit.

Për të pasur një ide më të qartë rreth kësaj ngjarjeje, po publikojmë disa nga shkrimet e gazetave të asaj kohe, ku shihet më së miri vlerësimi që i kushtoi qeveria e Mbretit Zog apostullit të shqiptarizmës, dhe poetit kombëtar, Naim bej Frashërit.

Ceremonitë madhështore në Tiranë

Shqipëria e lirë pret me mallëngjim ligjëronjësin e shqiptarizmës, Naim Frashërin.

Me një apothezë madhështore u kurorëzua dëshira fisnike dhe patriotike e L.M. së Tij, Mbretit

Erdh Naim Frashëri. Dhe tërë populli i Tiranës dje pasdreke grumbullohej tej legatës amerikane, në mes të disa lëndinave të gjelbëruara, ku vargjet “Bagëti e Bujqësi” ndiheshin si kambanë mallëngjimi në veshët e atyre që qysh në djep kanë dëgjuar emrin “Naim”. Dhe cili shqiptar, sidomos i ri, nuk është ushqyer nga drita atdhetare e këngëve të Naimit?

Ja shiko djemt e rij, fëmijët e shkollave, ndonëse jo të radhitur, bredhin përpjetë rrugës për të pritur eshtrat e atdhetarit të madh.

Çquanin atje autoritetet e vendit. Kryeadjutanti i Mbretit, Gjeneral Serregji, Kryetari i Parlamentit, Ministri i P. të Brendëshme, Ministri i P. të Jashtme, Kryetari i Bashkis, Prefekti, Gjeneral Mirdashi, Gjeneral Araniti, të tërë deputetët, Kleri, oficera, gazetarë, nënpunës, popull.

Populli i mbledhur mizëri kishte mbushur anët e rrugës s’Elbasanit, ndërsa bataljoni “Deja” paraqiti armë se automobili me arkivolin e “yllit të idhës Shqiptare” po vinte aty nga ora 5. Për nder armë. Tingulli i bajonetave qëndruan gati në atë heshtje kupti-mplotë të turmës së madhe e cila me dhimbjen mbante vështrimin nga automobili që binte mbeturinat e një “shenjtori të Shqiptar”, nuk u ndie fare se zemra e të gjithëve rrinte pa papritur se Naimi erdhi.

Erdh Naim Frashëri! Erdh ai që tha: “Kur më shihni se jam tretur, Mos kujtoni se kam vdekur!..

Dorzimi i eshtrave

Dhe në atë çast, kur në mendjen e cilitdo vërtiteshin këto vargje të pavdekura del z. Shatku, i çuditur nga pritja madhështore, nga një pritje e papritur, që as programi, as rregulli s’e kishte parashikuar, përshëndet prej z. Musa Juka dhe z. Faik Shatku, dorzon “eshtrat” të mbyllura në një arkivol me vija kuq e zi dhe me një zë të mallëngjyer tha:

“Ora e madhe me të cilën erdh që idealet t’ona të dalin në dritën e begatëshme që vendi, Drejtësia dhe Liria mund të japin, erdh…Naim! Shiko si të pret Shqipnia e tanë kryenaltë. Naim të njoftoj ty dhe tanë botës shqiptare se kjo vepër i kushtohet atij që çdo sakrificë të bamun për Atdhe.

Le të qetohet pra shpirti yt i ndritur që erdhi për t’u qetue në tokën e Atdheut…” Zoti Abedin Nepravishta, porsa mori në dorzim arkivolin, të cilin bashkë me Xhaxhan, prefektin dhe të tjerë, e vendosën përmbi një karro-topi të veshur me të zi, u kthye nga Zoti Shatku dhe foli: “Zoti N-kolonel!

Për mua asht një detyrë aq e shenjt sa edhe e kënaqëshme të marr tash në dorzim, në emën të Kryeqytetit, kët arkivol, që me inisiativën e N. M. Tij, sjell prej mërgimit eshtnat e shenjta të Patriotit të Math, të Poetit t’onë Kombëtar, Naim Frashëri…” Pastaj duke u kthyer nga ana tjetër vazhdon:

“Tash kemi para eshtrat e atij Idealisti të pavdekshëm Shqiptar që gjatë gjithë jetës së vet me gjuhën e tij të zjarrtë, vajtoi me mallëngjim fatin e atdheut të robënuem, me penën e tij homerike përshkoi madhështinat e kombit t’onë, trimëritë dhe heroizmat e strëgjyshërve t’anë dhe më së fundi me “Historinë e Skënderbeut”, bashkë me heron t’onë Kombëtar, përjetësoi epopenë kombëtare.

Naimi me zemrën e vet të madhe, me ndjenjën e tij të naltë, me gjuhën e tij të zjarrtë, dashuroi, imagjinoi dhe këndoi një atdhe të lirë, një Shqipëri të madhe. Por fatkeqsisht nuk mundi ta shikonte me syt e tij.

Dhe tash që eshtrat e tij të bekueme me urdhrin e naltë Mbretnur sillen për me u qetësue në tokën e lirë t’Atdheut, në Kryeqytetin e Mbretit Zog, Shpirti i Shenjtë i Naimit ndjen një gëzim të madh të përzjiem me një hidhërim të thellë.

Ai gëzohet passi mbas sodit, eshtrat e tij kanë me u qetësua në tokën arbënore, nën hijen e Flamurit të liris, por njëkohësisht, dëshprohet pse s’mujti me jetue për me e pa me syt e vet sot atë flamur me famë të Kastriotëve që valon me krenari mbi pallatin e Mbretit të Madh të Shqiptarëve.

Por gëzimi i Shqipërisë së lirë dhe sigurimi i fatit të saj prej drejtimit gjenial të Mbretit t’onë të madh e qetëson për jetë shpirtin e ndritshëm të Poetit të pavdekshëm.

Përulje nderimi

Naim Frashëri midis nesh? -Po aty afër, po “në mes t’onë ka qëndruar dhe është duk’ u përvëluar!”. Zoti Musa Juka vërren i mallëngjyer, lëviz andej këndej, diçka kërkon: të fluturoj nga gëzimi për këtë pritje të jashtëzakonëshme.

Kokat përulen si shenjë nderimi dhe adhurimi ndaj promotorit të idhës (idesë, Shënimi ynë) çlirimtare. Popull në të katër anët. Po ku janë nxënësit? Ku janë arsimtarët dhe intelektualët?

Përse të mos shpërngulen dhe bangot e shkollave për të takuar Naim Frashërin, bilbilin e Liris s’sonë? 37 vjet dergjej në baltën e huaj. Dhe tani. Ah, tani dheu shqiptar krenar ka për të rënë mbi “pluhurin” e ndritur të “mburrjes s’onë” ligjëronjëse.

Fjalimet e personaliteteve

Zoti Delvina me fjalimin e tij plot afsh zjarrtar patriotik, i frymëzuar nga i madhi Naim që kishte pranë, shumë pranë, mallëngjen dëgjonjësit aq, sa aty këtu nëpër sytë e disa të rinjve çquheshin sytë e përlotura.

Po pse? -Doemos nga mallëngjimi…Pa pritur del në mes z. Eshref Frashëri, afër të cillit ishte familja dhe zonja Neime Xhelal Rusi, e vetmja trashëgimtare e Naimit. Ky me pak fjalë të qarta kallzon jetën e Naimit. Thotë përpjekjet e mëdha dhe mbledhjet e fshehta që bënte Naimi.

Falenderon L. M e Tij për zhestin fisnik dhe patriotik që bëri duke sjellur eshtrat e pionierit lëgjëronjës të liris s’onë. “Naimi me kohë e kish paralajëm,ruar që do të vinte dita që perëndia do të dërgonte një shpëtimtar. Dhe me të vërtetë: Dita e bardhë që Naimi ëndërronte, erdhi.

Shpëtimtari ynë sot pasi realizoj përjetsin e Shqipnis, kthen sytë nga historia…Qetohu pra o Naim në kët atdhe që ti ëndërroje t’a shihje të lirë dikur…Dhe ja si e gjen të lirë e të lumtur”.

Funeralet e Naim Frashërit

Për në Teqe. “Në mes t’onë ke qëndruar!” Gjashtë kuaj

t’artilerisë së rëndë heqin karron e baterisë fushore mbi të cilën qëndron “kafka” e lehtë e Naim Beut! Batlajoni me bandën në krye marshon me ngadalë, ndërsa mijra e mijra njerëzish të heshtur pasojnë arkivolin kuq’ e zi.

Ku janë fëmijët të hedhin lule? Lule,lule mbi Naimin që përçan rrugët e Tiranës, rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë së Lirë. Ah sikur të fliste Naimi, çdo të thoshte? Kushedi se çkishte për të ligjëruar..!

Dhe në rrugën e ngushtë plot ferra e gjelbërime që shpie për në Tqen e Bektashive, familjet kanë dalë dhe duar lidhur pyesin njëri tjetrin: -Kush ka vdekur? -Jo bre, u ngjall Naimi, tha një vajzë shkolle.-Cili Naim?- Naimi ynë…

Dorzimi
Në “bregoren bukuroshe” ku ngrihet Teqja, një grumbull i madh njerëzish prite. Nja njëzet e ca dervishllar’ e baballarë, midis të cilëve çquhet dhe zoti Kostaq Kotta dhe Vissarioni. Dhe ndërsa Baba Ali Tomorri duke patur pranë arkivolin e shenjtë, ligjëronte:

“O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjat녔, atje poshtë dielli me ambëlsi gati humbiste në majat e bregoreve të largme. Baba Aliu me fjalë të thella e t’arta përmëndi rëndësinë dhe vlerën e Poetit të Madh dhe sjelljen eshtrave n’ Atdhe.

Para arkivolit quheshin kunora e L. M së Tij, e Qeveris, e Parlamentit, e Ushtrisë Kombëtare, e klerit Bektashian, e mbesës së tij Naimes, etj… Dhe përpara se të perëndonte fare dielli i skuqur, Jashar Erebara dolli mu në mes dhe u lut që ta dëgjonin dhe t’a falnin për pak fjalë që do të thoshte:

“Në mes tuaj kam qëndruar / Dhe jam duke u përvëluar / Që t’u jap pakëz dritë / Natën t’ua bëjë drit녔 Mirë po u emocionua aq shumë sa mezi tha: “Kur më shihni se jam tretur / Mos pandehni se kam vdekur..”

Tregoi me pak fjalë kujtimet e ëmbla dhe të mëdha të Naim Beut, fytyrën e shkëlqyer të këngëtorit t’onë duke thënë se ky është për neve babai i gjuhës, i poezis, i urtësis dhe adhetaris. Ishte kuptimplote kjo paraqitje e thellë e Jasharit i cili u mallëngjye për së tepërmi.

Dielli kish perënduar kurse Xhaxhai, i heshtur me Hiqmetin, me Pogën që gati qante, me Vissarionin që kush e di se ç’desh të thoshte, me Shtakon, me Avramin, me Fuad Asllanin e me shumë të tjerë muarnë arkivolin dhe e dorzuan bektashive, të cilët e vendosën në mes të një salle, ku cicërimi i zogjve ka për t’i ligjëruar mëngjez për mëngjez këngët e tij duke i përsëritur me ambëlsi:

“Flë i qet o Naim, se këtu jashtë ndihet kënga Shqiptare!…Dhe ikën të përkulur me radhë që të gjithë para atij arkivoli të shenjtë, nga duhet të kalojë dhe të përkulet e gjithë Shqipëria. (Gazeta “Shtypi”, dt. 3 qershor 1937)

“Djalari shqiptare, përkuluni para këtij arkivoli”
Fjala e Faik Shatkut, që Zogu e dërgoi për të marrë eshtrat në Turqi

Në mes shumë personaliteteve të larta të Monarkisë së Zogut që morën fjalën në ceremonitë madhështore që u organizuan me rastin e ardhjes së eshtrave të Naim Frashërit në Shqipëri, ishte dhe nënkolonel, Faik Shatku, të cilin mbreti Zog e dërgoi në Turqi, ku që nga viti 1900, preheshin eshtrat e poetit të madh të Kombit shqiptar.

Lidhur me këtë, gazeta “Shtypi” e asaj dite, (4. Qershor 1937) ka shkruar: “Z. Faik Shatku, i mallëngjyer flet: “Vllazën Shqiptar, Sot arrijtën në tokën e Atdheut eshtrat e Naim Frashërit!

Një mallëngjim i papërshkrueshëm në këtë çast pushton shpirtin t’onë, ndjejmë një gëzim, por më anë tjetër zemra mbushet njëkohësisht edhe me melankoli të patregueme kur mendojmë të kaluesen e vjershëtorit atdhetar, të Naimit me plot mundime, përpjekjet e tij plot sakrifica dhe kështu pa dasht lotët na ngjiten në sy!

Në këtë moment eshtrat e Naimit ndodhen këtu midis nesh. Kush është Naimi pra? Emni i tij tingëllon vesh më vesh, fluturon buzë më buzë të gjithë Shqiptarëvet, i madh apo i vogël qoftë, dhe ky fenomen ësht fare i natyrshëm pse, rilindja shqiptare do t’ishte gja e pakuptueshme në qoftë se kujtimi dhe veprimtaria atdhetare e veteranëvet të Shqipërisë nuk do t’jetojshin në zemrën t’onë dhe emni i tyne nuk do të ishte objekt respekti.

Naimi asht ndërmjet të parëvet, që ndjen flagën e atdhetarizmës, i cili tuj punue, tue u mundue aqe tepër sa u tret, për një të vetmin ideal, për atë të triumfit të çështjes kombëtare dhe ndoshta për hirën e këtyre virtyteve të shenjta e bani një vjershëtor impresionues, një edukator për me fillue në lëvizje idetë kombëtare shqiptare edhe basqicën e udhëzimit t’Arsimit Kombëtar.

Gjuha amtare e pa-levrueme gjeti në të, frymëzuesin e gjallë, artistin me plot elekuencë, gjeti nevojën e tij, bilbilin e palodhun i cilli, tue këndue, tuj vajtue anë e mbanë elektrizonte nervat e tan popullit shqiptar për me e zgjua nga gjumi i rand dhe fatal që ishte turr si konsekuenca e kularit të tmershëm të skllavëris shekullore të perandorisë së kalueme.

Naimi ndërroi jetë më 1900. d.m.th. plot 37 vjet më parë dhe mbeti i mbuluem në Merdinveqoi të Kryeqytetit të Turqisë, lark tokës së bëkueme ku lumturisht triumfuen frymëzimet e tij. Por sot Naim, asht koha e Zogut, periudha e konsolidimit të shtetit, të Bashkimit Kombëtar, të celebrimit të patriotizmës, të forcimit të shpirtit të shqiptarizmit, dhe koha e nalëtsimit të ndjenjave të nacionalizmit.

Mbreti ynë i madh, shpirti i shpirtnave zemra e zemrave. Skënderbeu i rij, që fitoi rekordin e shqiptarizmës nuk duronte ma me të lanë ty të mbyllyn në Merdivenqoi por i shjtytun nga zëmërdhembsia e Tij, muer iniciativën e shkëlqyeshme dhe sjell eshtrat e Naimit, dhe kështu personifikoi një dëshirë, të popullit, me kryemjen e kësaj vepre të naltë patriotike.

Tash kalo pra, një jetë të qetë, të përjetëshme në Atdheun t’andërruem prej teje dhe lumturisht të realizuem prej…Shpëtimtarit të Kombit, përpjekjet vigane dhe vëzhgimi vazhdues i syve të pafjetura të Skënderit të ri, që realizoi gjithë aspiratat e patriotëve, janë sigurime të plota për naltësimin dhe jetën e ndërtesës së Shoqnisë Kombëtare Shqiptare.

Prehe pra shpirtin tand të ndritshëm. Naim ti që këndove fatin e Shqipërisë, ti që na mësove ta duam atdheun, ti që na mësove të shkruajmë shqipen, ti që bëre kaq e kaq sakrifica për të ngjallur idenë e çlirimit nga robëria, prehu sot n’atë vend që ti kërkove me mall dhe dashuri.

Populli Shqiptar me Mbretin në krye respekton, kujton me adhurim çdo atdhetar, por përmbi të gjith tyj o Naim, tyj o bilbili i Kombit, apostull i idesë nacionale…(Pastaj me një ton drithëronjës që trondit gjithë ata që e dëgjonin, kthehet nga Rinia) Djalëri. Ku je o djalëri? Ja, shikoni, përuluni para këtij arkivoli, para këtij profeti të shqiptarizmës…”

Eshtrat e shenjta të Naim Frashërit”
Shkrimi i patriotit e poetit Milto Sotir Gurra në gazetën “Shtypi”

Në mes shumë shkrimtarëve, poetëve dhe publicistëve që morën penën e hodhën në letër mbresat apo impresionet e tyre me rastin e ardhjes në Shqipëri të eshtave të poetit tonë kombëtar, Naim Frashërit, ishte dhe Milto Sotir Gurra, i cili në artikullin e tij të botuar në gazetën “Shtypi” të datës 4 qershor, 1937, midis të tjerash shkruante:

“Bota e madhe filloi të mësoj se në Ballkan lindi doktrina e një feje të re, fesë së shqiptarizmës. Kjo fe e re e shqiptarizmës kishte nevojë për apostuj që ta predikojnë.

Po, mjerisht, megjith se në shkallët e lartëra, në të gjith dikasteret e ish imperatorisë Turke, kishte shqiptarë, as kush jo që nuk u interesua për çlirimin e Shqipërisë, e pranimin e fesë së Shqiptarizmës, po sillnin dhe shumë pengime dhe ndjekje të repta.

Të pakët qenë ata që muarrë parasysh interesat personale . Një prej këtyre ishte dhe Naim Frashëri. Ky nuk morri pushkën, nuk dolli maleve, nuk organizoj kryengritje, po pregatiti zemrat e shqiptarëvet që ishn gati për t’i bërë gjith sa duhet një populli për të fituar lirinë e plotë; ky e formuloj dhe e plotësoj doktrinën e fesë së shqiptarizmës.

Naim beu e këndoi lirinë dhe çdo shqiptari me ndjenja i shartoi dashurinë për atdhe dhe për liri dhe nxehu gjer n’atë pikë sa dhe pa pritur rastin e derdhi jashtë gjithë urrejtjen që kish kundër sundonjësvet. Po…Naimi këndoi paqësisht dhe paqesisht e predikoi çlirimin.

Kur nuk tha drejt: “Rrëmbeni pushkët o trima”, po na dha Istorinë e Skënderbeut me ato vargjet e zjarrta që rrjedhin si krua e na dha të kuptojmë se kemi qenë njëherë të lirë se kemi patur një trim të math që u mat 25 vjet me rradhë me Titanin e Mollës së Kuqe dhe e dërmoj nga hera.

Me vjershat e tij të thjeshta na tha se shqipja ësht aq e lartër dhe e pasur sa mund të shkruhen edhe kryevepra vetëm mjafton që të dimë ta mësojmë. Na tha se kemi toka të frytshme dhe bagëti të majme e të ritëshme për të cillat na kanë zili gjith fqinjët.

Dhe Istorija e Skënderbeut e shkruar prej Naimit (e them me bindje se është fakt) për fenë e shqiptarizmës ka bërë ato që ka bërë ungjilli për krishterët dhe kurani për myslymanët. Dhe mund ta them:

“Po të mos ishte Historija e Skënderbeut nuk e dimë se gjer në ç’pikë do të qe përgatitur ndjenja e fesë së shqiptarizmës. Naimi veproj jo si ç’i thoshte interesi material për të kapur pozita e për t’u pasuruar, po si ç’i thoshte qumështi i nënës bashkë me nani-nanin e këngëve të djepit.

U dha i tërë pas shkrimit për të nxjerrë në shesh thesarët e gjuhës, dhe për të predikuar që nga goja e ujkut, pa reshtur gjer në minutën e fundit kur e dha shpirtin. Po shpirti i tij që në atë minutë fluturoj në Shqipëri; aty ishin veprat e tij dhe vazhdoj punën duke predikuar dashuri për atdhe dhe forcim për fenë e shqiptarizmës.

Se n’atë kohë kur Naimi, e dha shpirtin, Cajupi, i ndyjeri Anton Zakoja, vjershtori i Baba Tomorrit, që nga brigjet e Nilit e vajtoi kështu:..(vjersha e njohur për Naimin, Shënimi ynë).

E qau… dhe sot eshtrat e tij po shtypen prej tokës së Misirit dhe po vuajnë prej mallit për t’u prehur në Atdheun e lirë ku mbretëron Zogu i Parë dhe ku vajton lirisht Flamuri kuq e zi me zhgabën dykrenore.

Nisja u bë. N. M. e Tij, Zogu i Parë dhe urdhrin dhe hoq shpenzimet dhe eshtrat e vjershëtorit të Math, e predikatoret më të math dhe e formullatorit shumë të math të doktrinës së fesë së shqiptarizmës, u prunë dhe po prehen në Atdheun e lirë.

Pas këtij do të vazhdoj zinxhiri i sjelljes së eshtrave e të gjithë atyre që kanë shërbyer për çlirimin e këtij vendi dhe për përhapjen e fesë së shqiptarizmës. Dhe kështu do të vijë dita që, t’jatri, në distanca toksore, po në të gjith ata që ishin larg në distanca toksore, po shumë afër në mejtime e në predikime, do të bashkohen në tempullin e Fesë së Shqyptarizmës, e cila triumfoi në më 1912 dhe u plotësua më 1925 me zhenialitetin e Zogut të Parë.

Ay di të çmojë sakrificat, di të çpërblejë mundet dhe di të verë se cilin në piedestalin që meriton. E nesër, te ky tempull i mbaruar dhe i plotësuar me eshtrat e veteranëve dhe i ngrehur me arkhitekturë Pellazgo-Maqedhoan-Iliro-Molloso-Shqiptare, do të vijë gjithë djelmurija shqiptare, do të gjunjëzojë, do të falet, do të forcohet e do ta vazhdojë punën e madhe të Fesë së Shqiptarizmës e cila do t’i thyejë dhe pengesat e fundit të të ndarjes.

Se kur ta kemi që të gjithë mbi krye myron e Fesë së Shqiptarizmës, nuk do të mbetet më shtek e nuk do të gjejë më tokë për mbjellje as nonjë intrigë që ta përçajë Kombin Shqiptar; se ky sot drejtohet prej Birit të math të Kombit t’onë dhe po lartësohet në shkallët më të larta të përparimit, të forcër së pasurisë e të lumturisë kombëtare”./Memorie.al

Shtuar më 22/10/2019, ora 13:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori