Kur Kanuni e ndëshkonte më drejt përdhunimin
Nga Mentor Kikia

Policia arrestoi një djalë në Durrës, i akuzuar nga një studente për përdhunim. Në ditën e parë të takimit(pasi ishin njohur ne fb), ata kishin pirë kafe, kishin ngrënë darkë dhe kishin përfunduar në hotel, ku ai e kishte përdhunuar. Vajza ka thënë se ai e kishte kërcënuar të shkonte në hotel, dhe më pas e kishte dhunuar. Ekspertiza doli në konkluzionin se vajza nuk kishte shenja dhune.

Kjo histori më kujtoi një ngjarje të ngjashme shumë vite më parë, kur punoja si gazetar i kronikës së zezë dhe hasëm në një seancë gjyqësore në Gjykatën e Tiranës. Tri studente në Tiranë, kishin denoncuar tre djem të saponjohur, se i kishin përdhunuar në një hotel në Lezhë.

Vajzat thanë në dëshminë e tyre se djemtë i kishin ftuar për kafe në mëngjes dhe ato kishin pranuar. Pastaj ata i kishin ftuar në një diskotekë, (në Tiranë diskotekat hapeshin që në orën 8 të mëngjesit), dhe ato kishin pranuar.

Pastaj ata i kishin ftuar të hanin drekë në një restorant në lagunën e Patokut në Lezhë, dhe ato kishin pranuar. Deri këtu mund të jetë edhe normale shoqëria mes tre djemve e tri vajzave. Pastaj ata i kishin kërkuar që të ngjiten në dhomat e hotelit, dhe ato kishin pranuar.

Pastaj ata i kishin përdhunuar…Vajzat nuk kishin patur shenja dhune, dhe padyshim që djemtë nuk u dënuan. Mund të jetë e vertete se vajzat edhe mund të jenë kërcënuar, si në rastin e parë ashtu dhe në këtë të fundit, të ngjiten në dhomat e hotelit ku u përdhunuan.

Por për këto lloje “përdhunimesh”, edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit kishte qenë më i qartë: Duke iu referuar terrenit malor, Kanuni thoshte: Nëse vajza dhe djali janë ndodhur poshtë rrugës(në një shpat mali, kuptohet), atëherë djali mund të akuzohet për përdhunim, sepse mund ta ketë tërhequr vajzën me forcë.

Nëse akti ka ndodhur sipër rrugës, atëherë djali nuk akuzohet, sepse vajza është ngjitur vetë.
Padyshim që akti i përdhunimit mund të ndodhë edhe mes një burri e një gruaje që kanë 30 vjet martuar. Mund të ndodhë që edhe dikush ta tërheqë zvarrë një femër e ta përdhunojë.

Por kur akuzat vijnë nga vajza, që pasi kanë bredhur nëpër kafene e restorante me djemtë tërë ditën, dhe në mesnatë përfundojnë në dhomat e hoteleve duke ngjitur shkallët me këmbët e tyre, atëherë duhet të mbajnë pak dorën në publikimin e emrave, si policia ashtu edhe media. Të paktën deri në sqarimin se kush është i përdhunuari./Albeu.com/
Shtuar më 23/10/2016, ora 10:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori