Kur "Fake News" bën Dua Lipën materialiste dhe Rita Orën atdhetare
Pëlqej
Lajmet e rrema ose sic njihen ndryshe " Fake News" u shfaqën përsëri në Kosovë e këtë herë në fushën e muzikës.

Pak ditë para festimeve për pavarësinë e Kosovës doli lajmi që Rita Ora do të performojë në Prishtinë pa asnjë cent ndërsa Dua Lipa ka kërkuar 200 mijë euro për performimin e saj në Prishtinë.

E menjëherë ky lajm mori dhenë dhe u përhap me shpejtësi pothuajse në të gjitha mediat shqip-folëse. Dhe pas kësaj menjëherë publiku u irritua dhe filluan ta sulmonin Dua Lipën me sharje e ofendime në profilet e saj zyrtare në rrjetet sociale.

Kurse, Rita Ora u prit si heroinë dhe me mijëra qytetarë dolën në shesh të dëgjonin për disa minuta këngët e saj drejtpërdrejt.

Por gjithë ai sulm ndaj Dua Lipës doli që të ishte "Fake News" me qëllim apo pa qëllim.

E vërteta qëndron se Dua Lipa nuk ka pasur ftesë zyrtare nga institucionet e Kosovës dhe normalisht që as nuk është folur me pagesë apo 200 mijë eurot.

“Të gjitha diskutimet që i kemi bërë për ardhjen e mundshme të Duas në Prishtinë kanë qenë lidhur me kohën dhe orarin e saj, por edhe këto biseda kanë qenë në forma miqësore, krejtësisht jozyrtare. Prandaj nuk është i vërtetë as pretendimi e as shuma e cila është përfolur në këto portale, pasaktësi për të cilën ne ndiejmë keqardhje”, ka thënë babai i Dua Lipas për gazetën Koha Ditore.

Por kjo u konfirmua edhe nga organizatorët e Prishtinës që Dua Lipa nuk ka kërkuar para. Atëherë pse këta të ashtëquajtur organizatorë nuk i kanë bërë ftesë Duas të performonte në Prishtinë?

Tashmë e vërteta u mësua, por ato komente fyese për Dua Lipën nuk mund të kthehen pas në kohë por do të jenë aty të paprekshme që ndoshta kanë ndikuar edhe te këngëtarja e talentuar shqiptare që po shkëlqen në SHBA./Ervin Shkulaku-albeu.com/


Shtuar më 21/02/2018, ora 12:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori