Kur Dritëro Agollin e nxirrnin nga rreshti se kishte veshur pallto grash dhe këpucë të grisura
Pas luftës, Dritëroi u bë një eksponent aktiv i lëvizjeve progresiste, rinore në Shqipëri. Kështu, ai mori pjesë në hekurudhën Durrës-Peqin, që filloi punimet në vitin 1945, ku punoi për një muaj si vullnetar.

Pas Çlirimit, në vendin tonë u krijua një atmosferë entuziaste, që përfshinte rrëmujën ndërtimtare të veprave industriale dhe infrastrukturës rrugore. Njerëzit ishin të mbushur me shpresa dhe kurajë se po lindte një jetë e re, pa agallarë e shfrytëzues.

Ata e lëshuan veten në spiralet e itinerarit të ri, ku mendonin se do shihnin parajsën. Në atë kohë, një banor i Menkulasit, që ishte me Dritëroin në hekurudhë, hodhi publikisht lugën e drurit në pus dhe nuk pranoi as lugë alumini, ngaqë shpresonte, qysh në vitin e parë, të shihte lugët e floririt. Por një funksionar, kur e pa se pritshmëria e fshatarit ishte emergjente, e qetësoi atë duke i thënë: “Mos u mërzit, se sapo jemi çliruar, prandaj në fillim do bëjmë rrugët, pastaj lugët”. Vetë funksionari që ia tha këto fjalë kishte një xhaketë doku, të arnuar në tri-katër vende dhe kur hapi gojën u dallua se shumë dhëmbë i mungonin.

Pra, sekretarët e partisë, që trumbetonin lugët e floririt ishin po aq të drobitur sa edhe të tjerët që dëgjonin, me përjashtim të faktit se ata merrnin rrogën për të bërë propagandë, një rrogë që afrohej me rrogën e shkrimtarit. Ata gënjenin atëherë njëlloj siç bëjnë sot deputetët e Kuvendit nëpër fushata elektorale, duke premtuar parajsën.

Traseja Durrës-Peqin ishte linja e parë hekurudhore me skartament standard nga Durrësi në Peqin, pa llogaritur linjat minerare dhe ushtarake me skartament të ngushtë, të ndërtuara ndërmjet viteve 1917 dhe 1930 nga austro-hungarezët dhe italianët. Siç e thamë, hekurudha filloi në vitin 1945 dhe përfundoi në nëntor të vitit 1947. Por Dritëroi atje u aktivizua në periudhën e parë, duke ndenjur një muaj si vullnetar.

Ndërkaq, ai vazhdonte shkruante dhe duke respektuar talentin e vet, i nxirrte vjershat e tij në gazetat e murit. Vëllai i tij, Tajar Agolli, sqaron se: “Në atë kohë Dritëroi inspirohej ose frymëzohej nga veset e shëmtuara njerëzore, që ishin vjedhjet dhe mashtrimet e ndodhura në fshat.

Kjo duket te theksi që ai vinte te vargjet e tij, duke dashur të godiste veset e këqija me vargje të hijshme, të cilat pëlqeheshin shumë prej banorëve të zonës”. Nga kjo gjë ata çuditeshin, por edhe kënaqeshin për dy arsye kryesore: E para, sepse godisnin individët që shkelnin rregullat dhe e dyta, kishte të bënte me faktin se në gjirin e tyre po lindte një poet i ri, që mund ta bënte krahinën e Devollit të njohur e të dëgjuar në të gjithë Shqipërinë.

shkollën e Bilishtit
Pasi mbaroi muajin e vullnetarizmit në aksionin hekurudhor, Dritëroi u regjistrua në Shkollën Unike të Bilishtit, ku pas diplomimit, mund të bëhej mësues. Atëherë ishte 15 vjeç dhe kishte bindje të plotë për të vazhduar të gjitha ciklet shkollore, deri në universitet, meqenëse nga familja nuk kishte asnjë pengesë.

Bilishti ishte zona kryesore, ose kryeqendra e Devollit, që ka shumë fshatra të tjera përreth. Kjo quhej “Shkolla Unike”, trevjeçare, që nxirrte mësues. Ajo ishte paragjimnaz dhe aty mund të hyje pasi të mbaroje pesë klasat e fillores. E kishte programin më të gjerë se 9-vjeçarja e sotme, se edhe po të mos mbaroje shkollën e mesme, quhej si një “arsim plotësues”. Lidhur me këtë periudhë, Dritëroi thotë: “Atje ne algjebrën e bënim siç e bën gjimnazi tani, po ashtu letërsinë, gramatikën në gjuhë, por kishim edhe gjuhën franceze, që e mësonim në tre vjet.

Bënim gjuhën franceze, se nuk kishim pedagogë rusë, ishte vazhdimi i shkollës franceze dhe profesorët tanë të asaj shkolle ishin të kësaj edukate, të liceut francez. Kështu që ishim më të përgatitur se tani, sepse është e zgjatur koha e mësimit”.

Aty mund të regjistroheshe pasi bëje shkollën fillore. Ajo ndryshonte pak me tetëvjeçaren që kemi sot, pasi atje mësimet ishin thuajse si gjimnazet. Madje, e quanin ‘paralice’. Mësimet ishin më të vështira, ndërsa për të fjetur shërbente konvikti me pagesë. Por gjatë ditëve të shkollës Dritëroi qëndroi në një shtëpi me qira në Bilisht së bashku me një shok tjetër, që quhej Sulo Kadia.

Dritëroi i vlerësonte të gjithë mësuesit e shkollës, por në mënyrë të veçantë ai fliste për mësuesen e letërsisë, e cila e kishte shumëfishuar dëshirën dhe pasionin e tij për botën letrare. Ajo quhej Virgjini dhe ishte 14 vjet më e madhe se Dritëroi, i cili sapo kishte mbushur 15 vjeç, por kureshtja për botën e kishte mbushur plot memorien e tij prej fëmije. Pikërisht në lëndën e saj të letërsisë, Dritëroi shkëlqeu, sidomos me hartimet që bënte. Një ditë, kur në Bilisht binte dëborë, mësuesja i kish caktuar si temë të hartimit që të përshkruanin atë ditë dimri me dëborë.

Mësuese Virgjinia e kishte zakon të përzgjidhte e të lexonte hartimet më të mira para nxënësve të tjerë. Dhe kur ajo shpërndau hartimet, kish zgjedhur hartimin e Dritëroit dhe të një shoqes së klasës së tij, si më të mirët. Midis të tjerave, Dritëroi kish shkruar: “I nxjerrim nga ahuri lopët, qetë, kalin, dhentë. Në govatat e pusit pinë ujë. Pastaj i nxjerrim nga porta e madhe për të shëtitur pak, pasi iu ziejnë gjunjët. Duke ndenjur në ahur, gjithnjë me gjunjët e mpirë, qetë nuk do të mund të lërojnë tokën në pranverë”.

Siç kujton shkrimtari, mësuesja e tij, Virgjinia ndenji 2 vjet në Shkollën Unike dhe pastaj u zhvendos në Institutin e Parë Pedagogjik. Por në ato dy vjet, prej saj ai mori mësime të vyera.
Kur ishte në klasën e 7 të kësaj shkolle, pikërisht në muajin shtator të vitit 1947, ai botoi vjershën e parë që titullohej “Vullnetari”. Këtë vjershë e kishte shkruar gjatë pushimeve verore, kur punoi si vullnetar në hekurudhën Durrës-Peqin.
Para se ta çonte për botim në Tiranë, Dritëroi ia tregoi poezinë e tij mësueses së letërsisë, Virgjinisë, pasi kishte një besim shumë të madh jo vetëm tek aftësia e saj, por edhe te mirësia që reflektonte me rekomandimet që jepte.

Por ajo nuk bënte kompromis me vlerat letrare dhe kur diçka nuk i pëlqente, e thoshte menjëherë se ku çalonte vargu, ose ku i kishte vrarë veshin ndonjë rimë. Vjershat e Dritëroit i kishte qejf, megjithëse ndonjërën prej tyre e kishte penguar për ta dërguar në redaksitë e Tiranës. “Kjo nuk bën, – i thoshte ajo haptazi dhe vazhdonte – por, ti ke një penë të shkëlqyer dhe do të bëhesh poet”.
Ndërsa, kur i dha poezinë, “Vullnetari”, ajo ia lexoi me kujdes dhe në fund të leximit tundi kokën e bindur se poezia ishte shkruar bukur.

-Po, kjo poezi mund të botohet – i tha ajo Dritëroit, i cili u mrekullua nga pohimi i saj dhe e futi menjëherë në një zarf, duke e dërguar në gazetën “Rinia” të asaj kohe. Gjithçka u krye në mënyrë të përshpejtuar, sepse emergjenca e pasionit të nxënësit të saj priste të merrte krahë për të fluturuar. Dy-tri ditë pas dërgimit të zarfit në redaksi, Dritëroi pothuajse nuk flinte fare. Ai e kishte mendjen se çfarë po ndodhte në atë moment me poezinë e tij, atje larg, në Tiranë, ku redaktorët mblidheshin për të caktuar materialet që do botoheshin. “Ah, sikur të dalë këtë të shtunë”, – thoshte Dritëroi, me vete, por të tjerëve nuk u shprehte asgjë.

Sepse dashuria e tij për letërsinë ishte e fshehtë, si një margaritar, që nuk mund të shpërdorohej duke ua treguar të tjerëve. Sikur ta kishin ditur këtë gjë, redaktorët e vunë menjëherë në grupin e materialeve që do të botoheshin të shtunën, pra pas tri ditësh. Dhe ashtu ndodhi. Poezia u botua dhe u pëlqye. Ajo bënte fjalë për hekurudhën e parë të vendit, që do të fillonte të lidhte nëpërmjet shinave, qytetet e Shqipërisë dhe zemrat e njerëzve. Në këtë mënyrë, shtrimi i hekurudhës, sipas poezisë, ishte një rrugë drejt qytetërimit. Dritëroi u gëzua pa masë kur pa emrin e tij në gazetë.

Gjer atëherë, atij i qe dukur gazeta si një portë, ku mund të hynin vetëm poetët e mëdhenj, shqiptarë, që kishin dhënë prova të hershme të talentit të tyre. Ndërsa, për vete kish menduar se kjo gjë do të ndodhte patjetër, por pak më vonë, kur vargjet e tij të kristalizoheshin qartazi nëpërmjet përvojës e talentit.

Dalja në gazetë ishte një lloj licence, që kërkonin të rinjtë për t’u siguruar në bazamentet e talentit të tyre. Por gjithçka ndodhi shumë shpejt, sa hap e mbyll sytë. Ai tanimë ishte bërë papritur një poet i publikuar, që kishte dalë në gazetë. Tani gjithkush mund ta lexonte emrin e tij në të gjithë republikën.

Babai i Dritëroit, Rexhepi, gjithashtu u emocionua shumë nga botimi i poezisë së parë dhe kur pa emrin e djalit të tij, e grisi faqen e gazetës dhe e vuri në kutinë e duhanit, që t’ua tregonte shokëve e bashkëfshatarëve, duke i thënë: “Ja ç’ka shkruar djali im”.

Ndërsa mësuesja e tij e letërsisë, Virgjinia e mori dhe e recitoi vjershën para nxënësve, duke thënë: “Ja, do të dalin nga kjo shkollë edhe poetë”.

Emocioni i parë e nxiti Dritëronë të shkruante me më shumë intensitet e pasion, për të zbuluar projeksione të ndryshme të jetës sociale për njerëzit tanë. Më vonë botoi në gazetë edhe vjersha të tjera: për jetën, për partizanët, për ndërtimin e vendit etj., etj.

Botimi i parë e inkurajoi Agollin, i cili i rriti kërkesat ndaj vetes duke pikësynuar jo vetëm tematikën, por edhe vlerat letrare të vargut të tij.

Për këtë eveniment, pra për aksionet e rinisë në hekurudhë, Dritëroi shkroi edhe disa poezi që i botoi në gazetat “Letrari i ri” dhe “Rinia”. Në faqen e dytë të saj ishte botuar një vjershë me emrin e tij. Ajo fillonte me vargjet: “Ky gjoksi i sulmuesit sa bukur qëndisur,/ Me tri-katër ‘S’ bukur stolisur./ Këto ‘S’-të e tij me ngjyrë të verdhë/ Na tregojnë punën, djersën që ka derdhë”.

Në gazetën “Letrari i Ri”, më 16 gusht 1948 u botua një poezi, ku midis të tjerave shkruhej:


Prej Tirane, gjer në det, mina, kazma po buçet
Shket vagoni, plot me dhe, se ndërtohet jetë e re
Jetë e re e lumturisë, me aksionin e rinisë
Dhe të rinjtë, me sytë si zjarr, që u shkëlqejnë porsi ar
Po sulmojnë me furi, me guxim e trimëri”, etj.
Kjo poezi u vendos më vonë në një ekspozitë të hapur në Bibliotekën Kombëtare me rastin e 85-vjetorit të lindjes së poetit.

Ekspozita e çelur përmbante relike të gazetave, “Letrari i ri” e “Rinia” të vitit 1948, materiale të tjera, që nga vëllimet e para poetike “Në rrugë dola”, e deri te dorëshkrimet e fundit, të shkruara me dorën e dridhur, për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore të shkrimtarit.

Aty u ekspozua edhe makina e shkrimit dhe fotografitë e çasteve më kulmore të jetës së Dritëro Agollit.

Dritëroin e nxjerrin nga rreshti për këpucët e vjetra
Vëllai i Dritëroit, Tajari, tregon: “Përpara se Dritëroi të shkonte tek ‘Asim Zeneli’ në Gjirokastër, u bë festa e punëtorëve në 1 Maj të vitit 1947. Gjatë asaj dite u bënë parakalime, por Dritëroin e nxorën nga rreshti, sepse kishte veshur një pallto grash dhe një palë këpucë të vjetra. Pas kësaj ngjarjeje bëri një poezi që titullohej “Opinga dhe këpuca”, të cilën e nxori te gazeta e qendrës kulturore. Për këtë e vlerësuan të gjithë. Kjo gjë ndikoi që ai të fillonte shkollën pedagogjike në Gjirokastër”.

Ngjarja në fjalë ishte sa e hidhur, aq edhe groteske, por ky episod mund të bëhej shkak që Dritëroi të humbiste të drejtën e shkollimit për atë vit, ose të shihej me një sy diskriminues nga instancat përkatëse.

Ajo që ndodhi ishte e thjeshtë dhe e zakonshme. Njerëzit në atë kohë ishin të veshur me rroba të sajuara, ashtu siç ndodhte në të gjitha familjet shqiptare. Sepse kushtet ekonomike ishin të vështira dhe shqiptarët përpiqeshin të përshtateshin me përditshmërinë e tyre. Në atë kohë, blerja e një xhakete ishte një luks jo vetëm për adoleshentët, por edhe për të rriturit.
Sidoqoftë, puna u sqarua shumë shpejt dhe gjithçka u rregullua vetëm me një poezi. Pas kësaj, Dritëroi bëri gati valixhen e tij për të ndjekur ëndrrën e shkollimit drejt gjimnazit të Gjirokastrës.

Atij i kishte dalë bursa. Siç e thamë edhe më lart, Dritëroi kish kryer arsimin shtatëvjeçar, apo siç quhej atëherë, “arsimi unik”, që kish marrë në Bilisht dhe kjo mjaftonte që ai të bëhej mësues, por steka e pikësynimeve të tij ishte ngritur shumë lart, duke kërkuar të gjitha stadet e shkollimit të mundshëm të asaj kohe. Arsyeja e përzgjedhjes së Gjirokastrës kishte të bënte thjesht me perceptimin e tij për tradicionin kulturor të këtij qyteti, ku përmendeshin emra të njohur intelektualësh. Natyrisht, mendimi i parë për të zgjedhur Gjirokastrën kishte të bënte me kushtet e konvikteve të fjetjes.

Sepse në qytete të tjera, duke përfshirë edhe Korçën, nuk kishte konvikte, apo kushte stimuluese për vendqëndrimet e studentëve, të cilët përfundonin nëpër shtëpitë private me qira, që kushtonin shumë. Ndërsa, Gjirokastra e kishte këtë fat, ngaqë atje kishte një konvikt, ku thuajse të gjithë konviktorët ishin djem. Me sa duket, mentaliteti i kohës nuk i lejonte prindërit që të dërgonin vajzat e tyre larg shtëpisë, në qytete të tjera, ku ishin jashtë kontrollit dhe tutelës familjare.

Vendndodhjen e gjimnazeve që kishin konvikte, Dritëroi e kish mësuar më parë, gjatë kohës kur kish vendosur të vazhdonte Shkollën Unike, duke pikësynuar një qytet të madh si Korça, por duke përfunduar në një qytezë si Bilishti. Në atë kohë, gjimnaze të arsimit të përgjithshëm kishin vetëm disa qytete si Tirana, Shkodra, Korça, Elbasani dhe Gjirokastra. Në Korçë nuk kishte konvikte, prandaj Dritëroi zgjodhi gjimnazin tjetër më të afërt, që ishte në Gjirokastër.

Shoku i tij ngushtë i gjimnazit, Gaqo Veshi, tregon: “Ishte mesi i gushtit të vitit 1948, kur u njohëm për herë të parë me Dritëronë në ambientet e Agjencisë së Udhëtarëve në Korçë. Na kishte dalë bursa për të vazhduar shkollën e mesme ‘Asim Zeneli’ në Gjirokastër dhe duke pritur për të shkuar në Gjirokastër, mësova se kisha të bëja me një poet të ri, që shkruante vjersha e që disa prej tyre i kishte botuar në shtypin e kohës, si në gazetën ‘Rinia’ apo ‘Letrari i ri’.

Në atë vit, rrugën Korçë-Gjirokastër e bënte një herë në javë një kamion i zbuluar dhe ishte e zorshme të merrje biletë, prandaj ne të dy çdo mëngjes zinim ‘kamaren’ e agjencisë, por në vend të merrnim biletë, merrnim njoftimin: ‘Biletat u mbaruan’. Si u endëm ditë të tëra, duke u shkëputur për t’i bërë telegram shkollës: ‘Shkak komunikacioni, vonohemi. Dritëro Agolli, Gaqo Veshi'”. Por, pasi pritën disa ditë, më në fund ata u nisën drejt Gjirokastrës.

Gjimnazi i Gjirokastrës i përmbushte më së miri të gjitha pritshmëritë e tij, si në famën e traditës, kushtet e akomodimit dhe në nivelin e profesoratit, ku kishte emra të mëdhenj. Nëse do të zgjidhte diçka më shumë, për fatin e tij padyshim do të kish qenë prezenca e vajzave në konvikte, ku mosha rinore kish futur në prizë elektrodat e zemrave.

Historia e ngritjes së gjimnazit “Asim Zeneli” nis më 23 nëntor të vitit 1923, kur Këshilli Bashkiak i asaj kohe mbështeti kërkesën e popullit të Gjirokastrës dhe rrethinave të saj për hapjen e tij. Sipas historikut të atyre viteve, themelet e këtij gjimnazi u piketuan dhe u ngritën nga franko-zviceranët qysh në vitin 1922. Në fillim ideja ishte për ngritjen e një liceu dhe ai u quajt Liceu Francez i Gjirokastrës, por më vonë u kthye në gjimnaz, duke marrë emrin e heroit të popullit, Asim Zeneli, që ishte vrarë në betejën e Mezhgoranit, pranë Gjirokastrës.
Në fillim liceu nisi nga puna duke kombinuar kulturat e botës nëpërmjet mësuesve, që kishin studiuar në vende të ndryshme si Francë, Zvicër, Gjermani, etj. Liceu nuk pati jetë të gjatë, por shumë shpejt u krijua Liceu-Gjimnaz dhe më vonë Gjimnazi “Asim Zeneli”.

Gjimnazi ndodhej në lagjen “Varosh” dhe ai kishte një konvikt me rreth 200 vende, ku duhej të vinin nxënës me biografi të pastër, sepse për shkaqe biografie ishin përjashtuar shumë konviktorë dhe 3 prej tyre u burgosën me akuza qesharake. Meqenëse po flasim për letërsinë dhe meqenëse nga ky gjimnaz dolën dy figurat kryesore të saj, atëherë këtu mund të vëmë re fenomenin dhe mund të shtrojmë pyetjen: çfarë disidence kërkonim ne nga shkrimtarët, në një vend që i përjashtonte dhe i burgoste gjimnazistët pa bërë asnjë faj, por vetëm për çështje biografie? /Ilir Bushi-Gazeta Shqiptare/
Shtuar më 25/09/2017, ora 11:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori