KOMENT / Kur drejtësia “vritet"
nga Dionis Xhafa - Grushti i Arben Frrokut, pak pasi gjyqtarët e çështjes e liruan atë nga akuza e vrasjes së Dritan Lamajt mund të jetë grusht që e ka goditur për kaq vite shoqërinë shqiptare dhe shtetin shqiptar.

Ai mund të jetë një grusht kundër mazhorancës që nuk po mundet të kryejë reformat në drejtësi, kundër opozitës që ka penguar të bëhet reforma në drejtësi dhe kundër shoqërisë që është mësuar që drejtësia të mos vihet.

Sot "drejtësia u vra" dhe kjo është një shenjë se në këtë vend të jesh në anën e drejtësisë do të thotë të jesh i “persekutuar”.

Kundër Arben Frrokut prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm, e ndërsa gjyqtarët dhanë vendimin për ta liruar atë.


Argumentat që sillte gjykata për këtë vendim ishin të dobëta.

Megjithatë, ligjërisht Arben Frroku konsiderohet të jetë i pafajshëm.

Vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt tashmë është pa autor.

Nuk dihet se kush e ka kryer atë krim kundër tij e për rrjedhojë kundër shtetit, së paku zyrtarisht.

Kjo është dëshmi e faktit se në këtë vend nëse e lufton krimin, ai mund të të luftojë ty dhe madje edhe mund të të mposhtë.

Dritan Lamaj sot u vra për të dytën herë, për shkak se nuk dihet se kush e ka vrarë atë.

Ai është personi që simbolizon shtetin ligjor, që sot më shumë se kurrë ndihet i vrarë dhe i tradhëtuar.

Tanimë çdo polic i ndershëm i Republikës e ka më të vështirë ta luftojë krimin.

Polici tashmë nuk është i sigurt, sepse gjykata dhe drejtësia në shumë raste nuk funksionojnë ose bëhen me “të fortët”.

Ta mendosh se ngjarja (vrasja e Dritan Lamajt e mbetur pa autor) ndodh pikërisht tani, kur po flitet për dekriminalizim të politikës dhe për një “polic ndryshe”, që nuk korruptohet dhe që e lufton krimin.

Drejtësia "u vra" (vrasja e Dritan Lamajt mbeti pa autor) dhe frika ndër policë shtohet, sepse ata nuk janë të mbrojtur nga ky shtet./albeu.com/


Shtuar më 03/04/2015, ora 20:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori