Kur do te hapet Tuneli i Kalimashit?
Albeu.com
Tuneli i Kalimashit ka hyrë në muajin e lëshimit të tij. Muaji maj 2010, siç kanë thënë kompetentët, do të shënojë fillimin e lëvizjes së lirë në vijë të shkurtër Kukës-Tiranë dhe anasjelltas.Por, asgjë nuk është e sigurt për datën e hapjes së tunelit që do të nxjerrë nga gjysmë izolimi ku ndodhet në verilindjen e Shqipërisë dhe do të afrojë Kosovën, shkruan “Gazeta Shqip”, të dielën.
Datat e diskutueshme kanë qenë java e parë e majit, për hatër të Ditës së Shëngjergjit, data 15 maj e thënë nga vetë ministri dhe nga ekspertët ndërtues, si dhe një datë e fundit, ajo 21 maj 2010, e thënë nga zv.ministri.
Mirëpo ndërtuesit e tunelit të famshëm Thirrë-Kalimash nuk premtojnë përfundimin e punimeve për asnjërën nga datat, pasi ata nuk janë lejuar të punojnë me kohë të plotë, për shkak të ndërhyrjeve të herëpashershme të njerëzve me pushtet që duan medoemos të kalojnë nëpër tunel në vend të rrugës së vjetër apo mbikalimit të vështirë në Malin e Thirrës.
Kompania “Bechtel-Enka” asnjëherë nuk ka dashur të japë parashikime që nuk mund t’i mbajë, prandaj, siç tha një inxhinier i tunelit, premtimi për hapjen e tij më 15 maj është i mundur të mbahet vetëm nëse Qeveria do të sigurojë një gjë: të pengojë hyrjet arbitrare në tunel, të ndalojë kalimet në tunel të personave VIP dhe atyre me influencë. “Nëse ndalohet çdo kalim nëpërmjet tunelit i personave të pushtetshëm, tuneli hapet më datë 15 maj, nëse nuk bëhet kjo gjë, pritni datën 21 apo edhe më vonë”, ka thënë drejtuesi i punimeve të tunelit të Kalimashit. Ai ka përshkruar rastet kur njerëzit e pushtetshëm të Kukësit apo të tjerë nga Tirana, të lidhur me njëqind fije me pushtetin, depërtojnë në tunel për të udhëtuar nga Kukësi në Tiranë apo nga Tirana në Kukës.
Tuneli jugor, sipas raportimeve jozyrtare, ka përfunduar së betonuari, janë hequr tërësisht armaturat dhe pritet të asfaltohet. Por punët më të shumta, përveç instalimit të rrymës dhe aparaturave të ndryshme, si kamera etj., faqet e tunelit do të lyhen me bojë. Por deri te lyerja me bojë cilindri prej betoni duhet të thahet nga lagështira, gjë që do të bëhet në ditët në vijim. Pas përfundimit të tunelit jugor, që pritet të ndodhë brenda këtij muaji, e gjithë vëmendja do të kalojë në tunelin e veriut, i cili u vu në punë disa muaj në stinën e kaluar turistike dhe elektorale. Tuneli i veriut ka rreth 1 km gjatësi lineare të pabetonuar, ndërsa edhe asfalti aty do të ribëhet për shkak të deformimeve që ka pësuar nga shembja e tunelit jugor muaj më parë.
Shtuar më 03/05/2010, ora 17:54
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori