Kur Charlie "vret"!
nga Idaver Sherifi

I dashur Charlie,
Nuk do t’a filloj këtë letër timen duke të shprehur ngushëllime dhe keqardhje për atë që të ndodhi disa ditë më parë, pasi besoj se tashmë e di që edhe unë si miliona të tjerë, jam solidarizuar me ty, dhe ripërsëritja e keqardhjes nuk do duket gjë tjetër veçse një shenjë hipokrizie e tepruar tashmë.

Me ditë të tëra, qamë dhe vajtuam së bashku, pasi të vranë ty. Po, ata ishin dy vrasës.

Por ti, Charlie, mua që u solidarizova dhe ndjeva dhimbjen bashkë me ty, vetëm disa ditë më vonë, mu përgjigje jo në frymën që unë u solla. Ti, në vend të më falënderoje, më ofendove mua dhe ata që të mbështetën. Të them të drejtën, me këtë që bëre, u tregove shumë egoist dhe mosmirënjohës. E vërtetë fjala, njeriu dallon në situata të vështira. Ne, treguam që jemi me ty kur ty të bënë atë që nuk e meritoje, por ti çfarë bëre Charlie?

I dashur Charlie,

me publikimin e karikaturës së Profetit, nuk ofendove vrasësit, por ata që u bënë bashkë me ty kundër vrasësve. Ti ofendove mbi 1 miliardë njerëz që e konsiderojnë të shenjtë figurën që t’i publikove. Në besimin e tyre, ajo figurë asnjëherë nuk bëhet as pikturë, as skulpturë e as karikaturë. Ajo është një figurë që si hije drite, ekziston në imagjinatën e çdo besimtari mysliman.

Charlie, gjërat duhen thënë troç. Si thonë, njeriu që të do të mirën, t’a thotë troç të vërtetën. Ti Charlie u solle si vrasësit por me një ndryshim të vogël. Ata vranë 12 anëtarë të familjes tënde ndërsa ti vrave shpirtrat e mbi 1 miliardë të dashuruarve pas asaj figure që t’i guxove t’a kthesh në karikaturë.

Sikur të mos e bëjë Charlie, përveç atyre miliona eurove që fitove nga shitja rekorde e revistës, vallë çdo humbisje tjetër? Përgjigjen e di edhe ti, asgjë. Përkundrazi, në mendjen e gjithë njerëzve do të ishe kujtuar gjithmonë si një revistë që u bë viktimë e disa vrasësve të pabesë që vjellin vrerë kundër atyre që mendojnë ndryshe.

Por ti Charlie, fatkeqësisht e humbe këtë shans. Për këta 1 miliardë njerëz, ndjekës të këtij Profeti, që ti e ke kthyer në versionin siç e sheh me syzet e tua, je kthyer në një revistë hakmarrëse, duke e bërë “të dashurin” e një besimi të tërë, “armë” kundër dy vrasësve. Ti sikur mezi prisje që dikush të të bënte një padrejtësi dhe të gjeje shkas për t’a ribërë gabimin që kishe bërë dikur, Charlie.

Pafajësia jote u kthye në një urrejtje hakmarrëse jo ndaj atyre që të vranë, por ndaj atyre që thjesht kishin besimin e njëjtë me ta.

Charlie, po e mbyll këtë letër duke të t’a kujtuar atë që pretendoja që e dije edhe ti. Ata që janë të civilizuar, nuk i përgjigjen urrejtjes me urrejtje, vrasjes me vrasje, e as ofendimit me ofendim. Ata, në çdo situatë sillen si të civilizuar.

*Kryeredaktor i Portalit Albeu.com
Shtuar më 15/01/2015, ora 19:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori