Kuqi: Maqedonia ta njeh Kosovën, pastaj demarkacioni
Albeu.com
nga Bekim BuçiQeveria e Maqedonisë përmes një letre ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të formohet një komision i përbashkët për të filluar sa më parë demarkacioni i vijës kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës.Por, Qeveria e Kosovës ka kërkesën e saj në lidhje me këtë cështje. “Shkupi duhet të njohë shtetin e ri të Kosovës, e më pas të kërkojë formimin e komisionit të përbashkët për të përcaktuar vijën kufitare midis dy vendeve”, ka deklaruar të enjten për “Alsat” zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi.
Sipas tij, çështja e përcaktimit të kufirit mes dy vendeve është parashikuar të zgjidhet sipas planit Ahtisaari, mirëpo pas njohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë.
”E udhës wshtë që Maqedonia fillimisht ta njeh Republikën e Kosovës, si shtet sovran dhe të pavarur, kurse pastaj, sipas asaj që është e paraparë më planin Ahtisaari, një përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, një i Maqedonisë dhe një ndërkombëtar, të vendosin për vijën e demarkacionit”, tha Hajredin Kuqi
Sipas Kuqit, askush nuk mund t’i vendosë kushte Republikës së Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të saja diplomatike me shtetet tjera. Ai shpreh bindjen se edhe Maqedonia, përkundër rezervave për njohje që ekzistojnë për shkak të çështjes së kufijve shtetërorë, së shpejti do ta njohë Republikën e Kosovës.
Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska thotë se kërkesa për demarkacionin, është në korniza të planit të Ahtisarit. “Kërkesa e Qeverisë për fillimin e demarkacionit të kufirit është aktivitet, i cili del nga Plani i Marti Ahtisarit”, tha Jankullovska, duke shtuar që, “punët të kryhen me kohët”.
BDI kërkoi që Qeveria e Maqedonisë dhe kryetari i shtetit, të kenë qasje më serioze ndaj Kosovës. “I porosis autoritet e Maqedonisë, se me institucionet e shtetit të Kosovës nuk komunikohet kështu. Shteti i Kosovës sot ka institucionet e veta legjitime. Qasja e autoriteteve të Shkupit është e ulët dhe jokorrekte”, tha Ademi.
Zëdhënësi qeveritar Ivica Bocevski s’deshi të komentojë deklaratën e njeriut të dytë të Qeverisë së Kosovës. Ai tha se presin përgjigje nga Prishtina në lidhje me kërkesën e Maqedonisë. Ndryshe, të mërkurën Qeveria e Maqedonisë ka kërkuar nga Kosova, përmes një shkrese zyrtare, formimin e një komisioni të përbashkët për përcaktimin e kufirit. Problemi i përcaktimit të kufirit është ndezur në fillim të vitit 2001, kur Qeveria e Maqedonisë ratifikoi marrëveshjen me ish Republikën Federale të Jugosllavisë për shënimin e vijës kufitare midis dy vendeve përfshirë këtu edhe pjesën e kufirit me Kosovën. Kontestuese mbeten rreth 2.500 hektarë në mes të dy vendeve në rajonin e Tanushës. (G. LAJM)
Shtuar më 28/02/2008, ora 22:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori