Kuotat gjinore, nga 2180 kandidatë për deputetë 909 prej tyre janë gra
Pëlqej
Në zgjedhjet që priten të mbahen më 18 Qershor, kuatat gjinore në listat e kandidatëve kanë një përmirësim të ndjeshëm.

Në këto lista janë 909 gra kandidate, nga 2180 kandidatë në total, ose 41.7%, të 15 partive politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ajo që bie në sy në këto lista është përmbushja e detyrimit ligjor nga ana e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje për respektimin e kuotës gjinore.

Neni 67 i Kodit Zgjedhor, në pikën 6 të tij, përcakton përfshirje të kandidateve gra në lista në masën 30 për qind.

Për zgjedhjet e 18 qershorit 2017, Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare kanë deklaruar mospjesëmarrjen e tyre, prandaj dhe kësaj liste i mungojnë partitë e opozitës.

Te Partia Socialiste, nga 161 kandidatë për deputetë, 58 prej tyre janë gra, ose 36,02%. Por është Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila nga 146 kandidatë për deputetë, ka përfshirë 62 gra, ose 42,47%.

Në pjesën më të madhe të qarqeve, LSI arrin kuotën e 50 përqindëshit gra në listat e kandidatëve. Te Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, nga 144 kandidatë për deputetë, 65 prej tyre, ose 45,14%, janë gra.

Ajo që bie në sy në listat e kandidatëve është fakti se sa më të vogla të jenë partitë, aq më i madh është numri i grave në lista, edhe pse ato kanë respektuar rreshtimin e një kandidateje në tri vendet e para të listës, siç e përcakton ligji. Kuotën më të lartë e ka Aleanca Popullore për Drejtësi, që nga 143 kandidatë për deputetë, 69 janë gra, ose 48,25%, shkruan Panorama.

“Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini”, thuhet në pikën 6 të nenit 67 të Kodit Zgjedhor. Për mosrespektim të këtij neni, nga listat aktuale, vetëm 2 parti u gjobitën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Partia Socialiste u gjobit me 1 milion lekë të rinj për mosrreshtim në tri vendet e para në qarkun e Beratit të një kandidateje grua.

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim u gjobit po me 1 milion lekë, sepse në qarkun e Tiranës, në tri vendet e para në listë kishte përfshirë tri gra dhe asnjë kandidat burrë, duke diskriminuar gjininë tjetër.

Në zgjedhjet parlamentare të 2013-s, partitë pjesëmarrëse u gjobitën në total me 22 milionë lekë të rinj për shkelje të kuotës gjinore në listat e tyre. Duket se partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 2017-s kanë evituar gjobitjen, duke zbatuar në mënyrë më korrekte ligjin.

Zbatimi i kuotës gjinore

1. Fryma e Re Demokratike, 47,33%
2. Partia Demokracia Sociale, 43,26%
3. Aleanca Demokratike, 34,48%
4. Aleanca Popullore për Drejtësi 48,25%
5. PDIU, 45,14%
6. SFIDA, 42,86%
7. Partia Aleanca Demokristiane, 45%
8. Aleanca Arbnore Kombëtare 37,59%
9. MEGA, 38,57%
10. Partia Kristian Demokrate, 40.71%
11. LIBRA, 38,04%
12. PSD, 39,16%
13. Partia Komuniste, 47,55%
14. LSI, 42,47%
15. PS, 36,02%

Në total, janë 2180 kandidatë për deputetë nga të cilët 909 ose 41,70% janë femra. /albeu.com/

Shtuar më 10/05/2017, ora 10:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori