Kunderpergjigjet Rexhepi: Njesite Speciale ne Kosove, jo ne Serbi
Albeu.com
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi iu përgjigjet reagimeve të Tadiqit dhe Këshillit Kombëtarë Serb për Kosovën lidhur me deklaratën e tij për dërgimin e njësiteve speciale të Policisë në pjesën veriore të Mitrovicës.Ai i tha sot KTV-së se deklaratat e Tadiqit janë të pamatura politikisht dhe se janë përzierje në punët e brendshme të shtetit. “Unë nuk do t’i dërgojë njësitë speciale të Policisë në Kragujevac e as në ndonjë qytet tjetër të Serbisë, por në territorin e shteti të Kosovës”, ka deklaruar Rexhepi.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, deklaratat e Bajram Rexhepit, për të dërguar njësi speciale të policisë në veri të Kosovës, i ka quajtur kërcënim i hapur për luftë. Sipas Tadiqit, institucionet e Kosovë do të jenë përgjegjëse për pasojat, siç ka thënë ai, tragjike të zbatimit të mundshëm të këtij plani. Tadiq ka thënë se deklaratat e tilla luftënxitëse (të ministrit Rexhepi) dhe provokimet e tjera kërcënojnë paqen e brishtë dhe stabilitetin në veri të Kosovës.

Po për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka reaguar sot edhe i ashtuquajturi Këshill Kombëtar Serb për Kosovën. “Deklarata histerike e ministrit të Policisë të Prishtinës, Bajram Rexhepi, se do të dërgojë në veri të Kosovës njësitë speciale të policisë me qëllim të vendosjes së rendit e të qetësisë, pa mëdyshje është shpallje e hapët e luftës ndaj serbëve të këtushëm, por edhe pasojë e drejtpërdrejtë e mbështetjes amerikane të pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, ka thënë se nuk ka pasur asnjë marrëveshje lidhur me dërgimin e Njësiteve Speciale të Policisë në këtë zone. “Ne vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët drejt themelimit dhe trajnimit të një Njësiti Special Policorë shumetnik” ka deklaruar de Kermabon. Sipas tij Policia e Kosovës po e mban rendin dhe ligjin në atë pjesë, e monitoruar dhe këshilluar nga EULEX-i.
Shtuar më 10/07/2010, ora 13:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori