Kumbaro nënshkron në Berlin marrëveshjen e bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Gjermani
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro firmosi sot në Berlin marrëveshjen e bashkëpunimit kulturor Shqipëri–Gjermani 2015. Per palën gjermane, marrëveshja u nënshkrua nga Sekretari i shtetit federal të punëve të jashtme, z. Stephan Steinlein.

Marrëveshja në fushën e artit dhe kulturës, parashikon shkëmbimin e njohurive mbi artin, letërsinë, gjuhën, kulturën, gjeografinë dhe historinë e vendit dhe fusha të përafërta nëpërmjet organizimit të turneve të artistëve dhe ansambleve artistikë, organizimit të koncerteve, shfaqjeve teatrore dhe shfaqjeve të tjera artistike, zhvillimit të ekspozitave në gjini të ndryshme të artit pamor, brenda të cilave mund të përfshihen ekspoze apo shkëmbime të biznesit e turizmit, si një vlerë e shtuar e këtyre eventeve, dhe nxitjen e kontakteve mes shtëpive botuese, bibliotekave, arkivave dhe muzeve, përkthimet e letërsisë artistike, literaturës shkencore dhe asaj të specializuar.

Përveç Ministrisë së Kulturës në marrëveshje përfshihet edhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Arsimit si dhe institucione përgjegjëse për median.

Në këtë drejtim, marrëveshja mundëson shkëmbimet kulturore me pakicat kombëtare, mësimin e gjuhës së vendit tjetër përmes ndërmjetësimit dhe dërgimit të kuadrit mësimdhënës, lektorëve, këshilltarëve dhe ekspertëve të ndryshëm të fushës së arsimit, vënien në dispozicion të librave dhe materialeve didaktike, pjesëmarrjen e mësuesve dhe studentëve në kurse formimi dhe kualifikimi, shfrytëzimit të mundësive që ofron radio dhe media televizive në secilin vend për të përhapur gjuhën e palës tjetër.

Marrëveshja synon gjithashtu bashkëpunimin në të gjithë sektorët e arsimit duke shkëmbyer informacion, përvojë, por edhe delegacione e individë midis institucioneve përkatëse, ndër të tjera edhe të bibliotekave dhe arkivave, duke kërkuar kështu angazhimin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, por edhe të Ministrisë së Kulturës, të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Parashikohet që palët do të përkrahin shkëmbimin e shkencëtarëve, mësuesve, arsimtarëve, doktorantëve, studiuesve dhe personelit administrativ të shkollave të larta dhe institucioneve të tjera shkencore, duke nxitur pjesëmarrjen në konferenca shkencore dhe duke ofruar bursa me qëllim formimin, kualifikimin dhe kërkimin shkencor. Palët angazhohen që për personat që shkëmbejnë, të lehtësojnë procedurat e lëshimit të lejeve të qëndrimit dhe punës, duke bërë që për zbatimin e këtij neni, përveç Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të përfshihen edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Palët do të angazhohen gjithashtu të shqyrtojnë kushtet e njohjes reciproke të diplomave dhe titujve akademikë për qëllime akademike, si dhe mundësinë për të lidhur një marrëveshje të veçantë në këtë fushë.

Marrëveshja prek gjithashtu dhe bashkëpunimin në fushën e kinematografisë, teatrit, si dhe në trashëgiminë kulturore, duke nxitur bashkëpunimin në sektorët e kujdesit dhe ruajtjes së trashëgimisë, të monumenteve, ansambleve dhe qendrave të mbrojtura të trashëgimisë, fusha të Ministrisë së Kulturës por dhe të Ministrsië së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, për zhvillimin e turizmit kulturor.

Marrëveshja i mundëson gjithashtu shtetasve të dyja palëve, që jetojnë në territoret respektive të kujdesen për gjuhën, kulturën, traditat dhe besimin e tyre fetar sidomos në vend takimet e tyre, angazhim i Ministrisë së Kulturës dhe institucionit të Kulteve. Ato marrin në konsideratë të përshtatshme interesat e këtyre qytetarëve në kuadër të programeve të përgjithshme mbështetëse.

Institucionet kulturore të përmendura në këtë marrëveshje janë kryesisht: institutet e kulturës, shkollat e larta, organizatat shkencore, institucionet kërkimore, shkollat e formimit të përgjithshëm dhe atij profesional, të formimit profesional të fushës së turizmit, institucionet e formimit dhe kualifikimit të mësuesve, të arsimimit të rriturve, të formimit dhe kualifikimit profesional, bibliotekat dhe sallat e leximit.

Për zbatimin e kësaj marrëveshje, parashikohet ngritja e një komisioni të përbërë nga përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, për të përpunuar rekomandime dhe programe për bashkëpunimin e ardhshëm, si dhe për të bërë një bilanc të shkëmbimit të realizuar në kuadër të marrëveshjes. /albeu.com/



Shtuar më 26/11/2015, ora 16:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori