Kumbaro në Dubrovnik: Sot Ballkani flet vetëm në gjuhën e kulturës
Pëlqej
"Sot Ballkani flet vetëm në gjuhën e kulturës-rruga më e sigurt dhe afatgjatë për integrim, ku të gjithë kuptohemi pa përkthim se kemi shumë për të ndarë së bashku: një hapësirë pa kufi: art, kulturë e trashëgimi. Vullnet për të dëgjuar tjetrin, më shumë se kurrë, për të marrë e për të dhënë". Kështu u shpreh ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro
në konferencën për shtyp, pas takimit që pati në Dubrovnik me homologen kroate.

Në takimin dypalësh mes ministres Andrea Zlatar Violic dhe ministres Mirela Kumbaro u diskutua në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e kulturës dhe trashëgimisë mes dy vendeve.

"Të dy ministret ranë dakord në parim për trajnime në fushën e trashëgimisë kulturore, një nismë për të eksploruar mundësitë për organizimin e seminareve dhe trajnimeve të rregullta drejtuar specialistëve shqiptarë për restaurimin; për restaurim të manuskripteve, mes BK dhe Bibliotekës Kombëtare Universitare të Zagrebit, pjesëmarrje të filmit shqiptar në festivale ndërkombëtare të filmit në Kroaci, bashkëpunime në shfaqje baleti mes TKOB-së dhe Teatrit Kombëtar të Zagrebit, asistencë dhe bashkëpunime në fushën juridike për hartimin e ligjeve të trashëgimisë dhe pronësisë intelektuale, etj." thuhet ne deklaraten per media te ministrise.

Pjesë e axhendës së Ministres Kumbaro ishte edhe takimi me kryetarin e bashkisë së Dubrovnikut, Andro Vlahusic, ku u diskutuan bashkëpunime të ndërsjellta në fushën e kulturës si dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në festivalin e ardhshëm veror të Dubrovnikut, edicionin e 66-të.

Takimi rajonal mes Ministrave dhe përfaqësuesve të Kulturës së Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi në qytetin e Dubrovnikut është një hap i mëtejshëm për të zgjeruar marrëdhëniet rajonale në fushën e diplomacisë kulturore dhe për të bashkuar përmes artit hapësiart e përbashkëta në Ballkan e më gjerë.

Gjatë qëndrimit në Dubrovnik, Ministrja Kumbaro zhvilloi edhe takime të tjera të rëndësishme dhe të vlefshme për forcimin e bashkëpunimeve të ardhshme në fushën e kulturës, si takimi me ministrin e Punëve Civile të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës Sredoje Nović dhe ambasadorin e Malit të Zi në Serbi, Branislav Mićunović.

Ministrja Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit "Orlando" dhe koncertin përmbyllës në Festivalin Veror të Dubrovnikut.
Shtuar më 26/08/2014, ora 16:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori