BE heq zyrtarisht kufizimet për qytetarët e Maqedonisë e Veriut (VIDEO)

Bashkimi Evropian hoqi zyrtarisht kufizimet për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Këshilli i BE-së pas azhurnimit të listës së vendeve, vendosi të hiqte kufizimet e udhëtimeve , duke shtuar në të Shqipërinë Serbinë  dhe disa shtete të tjera.

Ky vendim hyri në fuqi sot dhe në bazë të kritereve dhe kushteve të përcaktuara në rekomandim, shtetet anëtare të BE-së duhet t’i heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit nga kufijtë e jashtëm, për banorët e këtyre vendeve.

Azhurnimi i listës vjen pasi, në fillim të kësaj jave, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së rekomanduan heqjen e kufizimeve për nëntë vende, përshirë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

BE i azhurnon listat çdo dy javë, në bazë të situatës epidemiologjike në secilin vend veç e veç.

Ndërkaq, nga 20 qershori edhe Gjermania do t’i heq kufizimet për Shqipërinë, Serbinë, dhe Maqedoninë e Veriut. Shtetasit e këtyre vendeve  do të  mundë të hyjnë në Gjermani pa qenë nevoja e justifikimit për shkakun e udhëtimit. Këtë e bëri të ditur Ministria gjermane e Punëve të Brendshme në faqen e internetit.

Në këtë mënyrë Gjermania ndoqi rekomandimin e Këshillit të Bashkimit Evropian. Në listën pozitive të Gjermanisë përveç këtyre tre shteteve janë shtuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të tjera.

Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, secili shtet  duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100.000 banorë, në 14 ditët e fundit.

Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin.


Shtuar 18.06.2021 20:21