Kukan i shqetësuar për krizën politike në Shqipëri
Pëlqej
Bashkimi Evropian (BE) shprehet se ka ardhur momenti që klasa politike e Tiranës të tregojë pjekurinë e duhur për kapërcimin e mosmarrëveshjeve të brendshme dhe plotësimin e kuadrit konsensual për integrimin evropian të Shqipërisë. Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën juglindore, Eduard Kukan, thotë se situata politike është ende shqetësuese, ndërsa bën thirrje që palët politike të kapërcejnë krizën.

Edhe pse u largua i zhgënjyer nga Tirana në fillim të muajit, ai shprehet optimist se do të gjendet një zgjidhje, ndërsa mendon se propozimi i fundit i opozitës është një hap drejt kompromisit.

“Kriza politike në Shqipëri vazhdon tashmë prej shumë kohësh. Sigurisht që unë jam vërtet i shqetësuar dhe shpresoj se kjo krizë politike të marrë fund sa më parë. Për sa i përket propozimit të opozitës, unë këtë e shoh si një hap përpara në drejtimin e duhur dhe shpresoj se ky do të shërbejë për të gjetur zgjidhjen sepse kjo do ta ndihmojë edhe Shqipërinë. Unë shpresoj dhe jam optimist se politikanët shqiptarë janë tashmë të përgjegjshëm për këtë situatë dhe unë jam këtë herë pak më shumë optimist se kriza do të zgjidhet”, tha Kukan. Eduard Kukan bëri këto deklarata pas një takimi që pati në fokus të drejtat e njeriut në vendet e Ballkanit Perëndimor. Aty u theksua se problemet e mprehta që ekzistojnë ende në këtë drejtim të vlerësohen në vazhdimësi dhe si një kriter politik për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Delegacioni i parlamentarëve të BE-së të udhëhequr nga Kukan dhe Pack vizitoi pak ditë më parë Shqipërinë me synim gjetjen e një rrugëzgjidhje mes PD dhe PS, për kapërcimin e ngërçit politik, por dështoi në miratimin e marrëveshjes. Shkak për këtë u bë tentativa e opozitës për të miratuar rezolutën e europarlamentares Doris Pack, pa togfjalëshin “në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin elektoral”, çka do të shënonte një atentat të rrezikshëm të politikës ndaj sistemit gjyqësor.
Shtuar më 30/11/2010, ora 18:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori