Kujt i shkojne votat shqiptare ne Eurovision?
Albeu.com
Ne historine e deritanishme te Eurovision, Shqiperia me shume pike i ka dhene Greqise. Njekohesisht Greqia eshte shteti qe urrehet me shume nga Shqipetaret. Atehere dyshimi bie mbi AMC dhe Vodafone.Piket e Shqiperise ne vite:

1 Greqia 39
2 Turqia 33
3 Bosnja dhe Hercegovina 30
4 Maqedonia 22
5 Slovenia 19


Autoritetet e RTSH-së vendosin bllokadë për të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me mënyrën e organizimit të votimit. A do të vazhdojnë votat e shqiptarëve për Eurovizionin të numërohen nga kompani greke? A do të rezultojë përsëri Greqia si vendi që merr maksimumin e votave të Shqipërisë?

Gjatë gjithë vitit 2007 shqiptarët u lodhën e punuan, dorëzuan taksat në buxhetin e shtetit dhe më në fund kur djersa e tyre u nda në disa pjesë me anë të të cilave do të mbaheshin më këmbë institucionet publike, një pjesë e mirë e këtyre parave që iu mblodhën shqiptarëve u dërguan në Televizionin Publik Shqiptar. Mes dhjetëra emisioneve të bukura, informacioneve të paanshme dhe tepër profesionale, programacionit të larmishëm që i mban qytetarët të gozhduar para ekranit të TVSH-së etj etj, një nga evenimentet që u financua me paratë që iu mbajtën nga rrogat e përvitshme qytetarëve të ndershëm shqiptarë, ishte edhe Festivali i Këngës. Fituesja e këtij festivali u zgjodh edhe vjet si përherë në mënyrë tejet të diskutueshme dhe taksapaguesit patën vërejtjet e tyre, por si përherë, edhe këtë radhë askush nuk i dëgjoi.

Sidoqoftë, kënga që do të përfaqësojë edhe fytyrën e taksapaguesve që janë pronarët e vërtetë të RTSH-së, u dërgua të këndohet në Beograd, ku televizionet publike të Evropës, kontinentit ku bëjmë pjesë ne, janë mbledhur për të zgjedhur këngën më të mirë të prodhuar gjatë vitit të fundit.

Në vija të trasha, kjo është situata. Dhe ky rrëfim i përmbledhur, shërben për të treguar se në të vërtetë kujt i përket ky eveniment i madh. Kujt i përket kënga fituese e festivalit dhe në fund të fundit, kujt i përket Radio Televizioni Publik. Logjikisht, i binte që t’i përkiste tërë publikut shqiptar. Sa herë që përfaqësuesit e këtij institucioni do të duhej të kishin përballë një qytetar shqiptar, do të duhej të silleshin me të si me punëdhënësin e tyre. Do të duhej, që në mos ta respektonin, së paku të mos e fyenin. Por nëse ju jeni një qytetar që s’e keni problem nëse ju trajtojnë sikur jeni juve skllavi dhe ata pronarët tuaj, guxoni e foluni në këto ditë të lavdishme përfaqësuesve tanë të nderuar të Radiotelevizionit shqiptar të cilët janë shpërngulur të gjithë me kuç e me maç në Serbi a thua se janë të gjithë autorë të ndonjë komponenti të këngës me të cilën përfaqësohet Shqipëria. Guxoni e pyetini ata - si qytetarë të mirë e të interesuar që keni paguar taksat në mënyrë që ata të marrin rrogat - pyetini për shembull sa është buxheti që i kanë vënë në dispozicion delegacionit shqiptar në Beograd. Pyetini, meqënëse është e drejta juaj të dini se si po shpenzohen paratë tuaja: pse edhe sivjet kënga jonë përfaqësuese pati një promovim të mjerueshëm. S’ka mundësi të ketë qenë për mungesë fondesh, sepse s’ka sesi të kenë munguar fondet për të dërguar Olta Bokën të promovojë këngën në vende të ndryshme përderisa paska buxhet për të mbajtur në hotelet më të mira të Beogradit një staf të stërfryrë me burokratë që s’kanë lidhje me këngën në vetvete. Pyetini përse ka vite që ndodh e njëjta situatë? Pyetini meqë ra fjala edhe për disa detaje të tjera që përherë merren vesh në momentin e fundit dhe që kalojnë ashtu si shkarazi dhe pa u vënë re. Si e kanë përzgjedhur ata kompaninë që numëron votat telefonike të shqiptarëve? A ka konflikt interesi në faktin që origjina etnike e kësaj kompanie që është Greqia përputhet përvit me vendin që rezulton si fituesi i votave më masive të shqiptarëve? Rregullisht përqindjet etnike në vendet e Ballkanit janë reflektuar në numrin e votave që këto vende u japin këngëve të fqinjëve. Shqipëria është votuar me kuota të larta nga Serbia (për shkak se votat e shqiptarëve të Kosovës janë përllogaritur si të atij shteti). Shqipëria është votuar rregullisht nga Maqedonia, për shkak të 25-30% të popullsisë së atij vendi që është shqiptare. Dhe Shqipëria është votuar rregullisht nga Greqia, Zvicra, Anglia dhe Belgjika, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve shqiptarë në ato vende. Tani lind pyetja, si ka mundësi që Shqipëria i jep maksimumin e pikëve Greqisë? Kaq e lartë të jetë përqindja e grekëve në vendin tonë? Këto pyetje, ne të Korrierit deshëm t’ua bënim dje zyrtarëve të RTSH-së. Atyre që edhe nëse do t’u prezantoheshim si qytetarë të thjeshtë e jo si gazetarë, do të duhej të ndalnin një sekondë e të na kushtonin pakëz vëmendje. Por, të dashur bashkë-taksapagues shqiptarë e dini se çfarë përgjigjesh arrogante, fyese, të dyshimta dhe shmangëse japin zotërinjtë drejtorë të Radio Tiranës, apo drejtorë të përgjithshëm të RTSH-së? Më mirë të mos i dëgjoni. “Nuk flas unë për juve që s’e pasqyroni evenimentin pozitivisht”, hakërrehet Zamira Koleci, drejtoreshë e Radio Tiranës. Prit një sekondë: “Pozitivisht”??? Domethënë, sipas kësaj zonje që ndoshta beson se është pronarja e Festivalit Europian por që në fakt thjesht paguhet për të dhënë llogari deri më një para nesh që e paguajmë, nëse qytetarët janë të pakënaqur me punën e saj, ajo i bie shkurt duke i injoruar?

Një këshillë për zotërinjtë e radiotelevizionit PUBLIK: më shumë thjeshtësi dhe më pak mendjemadhësi me qytetarët që ju mbajnë me rrogë. Askush nuk i do të keqen përfaqësueses së Shqipërisë ndaj mjaft me pozat protektive apo me ndarjet në “tanët” dhe “të atyre”. RTSH është i të gjithëve ne dhe askush nuk është pronar. Më shumë ajër e dritë brenda ngrehinës suaj e kështu do të jetë më mirë për të gjithë. Dhe në fund: Suksese të gjitha vendeve përfshi Greqinë, në mënyrë që t’i meritojnë vërtet votat e shqiptarëve. (Albeu.com/Korrieri)
Shtuar më 26/05/2008, ora 16:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori