Kur nis aplikimi i dozës së tretë të vaksinës anti-Covid në Shqipëri dhe te kush persona do të aplikohet

Doza e tretë e vaksinës anti-covid do të nisë të aplikohet nga data 1 Nëntor për kategoritë përkatëse.

Vaksina përforcuese do të aplikohet në popullsinë mbi 60 vjeç dhe tek ata persona që kanë mbi 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

Eksperti i Komitetit Teknik, Skënder Brataj, u bën thirrje qytetarëve për të kryer dozën përforcuese, si e vetmja mbrojtje ndaj formave të rënda të Covid-19 dhe humbjeve të jetës.

“Personat mbi 60 vjeç me sëmundje bashkëshoqëruese, ata me disa lloj sëmundjesh që godasin imunitetin, punonjësit e policisë, shëndetësisë dhe edukatorët”, tha Brataj për A2 CNN.

Ekspertët e imunizimit dhe më pas ata të Komitetit Teknik vendosën që doza e tretë të jetë ose vijim i të njëjtës vaksinë, ose alternim vaskinash për të ndikuar në rritjen e antitrupave.

Përmes marrëveshjes së re me Pfizer, Shqipëria ka blerë dhe 500 000 vaksina, gjysma e të cilave mbërritën në tetor. Pjesa tjetër do të vijë deri në fund të dhjetorit. Megjithatë, mbulesa vaksinale vijon të jetë e ulët, 40% e popullsisë ka marrë vetëm një dozë dhe 33% kanë kryer të dyja dozat.

Ndërkohë, infektimet nga koronavirusi dhe humbjet e jetës janë në nivele shqetësuese: 8 viktima thuajse çdo ditë dhe mbi 500 raste pozitive./albeu.com/