Kujdes! Këto ushqime mund t’ju shkaktojnë diarre
Pëlqej
E di që nuk është një ndër gjërat më të bukura për të cilat mund të flasim, por të gjithëve mund të na ndodhë të vuajmë nga diarreja, dhe për ta parandaluar një gjë të tillë duhet të jemi të informuar mbi shkaktarët kryesorë të saj.

Duhet të dimë se diarreja shkaktohet nga viruset dhe bakteret, por gjithashtu shkaktohet edhe nga lloje të caktuara ushqimesh. Sipas dr. Shilpa Ravella, gastrointerologe dhe pjesë e stafit të Universitetit të Kolumbisë, mënyra më e mirë e shmangies së këtij problemi është mbajtja e një ditari ushqimor. Sepse nëse e dini se cili ushqim ju shkakton probleme të tilla, e keni më të lehtë ta shmangni atë dhe problemet që shkakton konsumi i tij. Ja cilat janë disa nga ushqimet që mund të shkaktojnë probleme me diarrenë:

Zëvendësuesit e sheqerit

Ushqimet pa përmbajtje sheqeri dhe çamçakëzët mund të jenë të shijshëm për t’u konsumuar, por, duke qenë se ata përmbajnë lëndë të tjera që zëvendësojnë sheqerin, mund të veprojnë edhe si laksativë dhe të ndikojnë në shfaqjen e problemeve të tilla si diarreja.

Kafeja

Dr. Ravella thotë se edhe kafeja është një ndër ushqimet që shkaktojnë diarre te disa njerëz. Kjo pasi kafeja bën që zorrët të zgjerohen dhe ushqimi të kalojë më shpejtë nëpër to dhe si pasojë nuk përthithet mjaftueshëm nga organizmi. Për më tepër, aciditeti i kafesë mund të përkeqësojë disa simptoma të çrregullimeve të tretjes.

Alkooli

Diarreja është një nga pasojat e konsumimit të tepërt të alkoolit, kjo pasi ai përshpejton procesin e tretjes së ushqimit, por prek edhe aftësinë e trupit për të përthithur ujin.

Qumështi dhe nënproduktet e tij

Sipas Institutit të Shëndetit Kombëtar Amerikan, rreth 50 milionë qytetarë amerikanë mund të jenë alergjikë ndaj qumështit. Nëse keni shqetësime në stomak pasi keni konsumuar një nga nënproduktet e qumështit, atëherë edhe ju jeni një prej tyre. Shenjat e para të alergjisë nga qumështi shfaqen rreth 3o minuta deri në dy orë pas konsumimit të ushqimit.

Gruri, thekra dhe elbi

Gluteni – një përzierje proteinash e gjendur të gruri, elbi dhe thekra – mund të shkaktojë diarre te disa persona, por lajmi i mirë është se alergjia ndaj glutenit është shumë e rrallë. Gjithsesi, për çdo rast sugjerohet që të mbani një ditar ku të shënoni të gjitha ushqimet që konsumoni dhe këshillohet që në shfaqjen e çdo problemi t’i drejtoheni mjekut gastroenterlog.

Fibrat

Fibrat bëjnë që sistemi tretës të punojë më shpejtë, që është një gjë e mirë por ndonjëherë është më efektiv seç duhet. Konsumimi i më shumë fibrave seç duhet sigurisht që shkakton diarre.

Speci djegës

Kur bëhet fjalë për alergjitë ndaj ushqimit pikant, çdo individ është unik. Sipas mjekëve, ushqimet pikante irritojnë stomakun dhe zorrët dhe bëjnë që ushqimi të lëvizë më shpejtë seç duhet nëpër to, duke shkaktuar diarre dhe probleme të tjera.
Shtuar më 22/09/2018, ora 14:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori