Kufiri Kosove - Maqedoni para finalizimit
Albeu.com
Procesi i përcaktimit të kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës pritet të përfundojë gjatë javëve të ardhshme. Ky vlerësim është bërë të premten në një takim të Komisionit të përbashkët teknik për shënimin e kufirit midis dy vendeve.Në një komunikatë të përbashkët, palët vlerësuan se shënimi i vijës kufitare është në përfundim e sipër dhe ky proces siç thuhet po zhvillohet në frymën konstruktive dhe në pajtueshmëri me planin e paraparë.

Komisioni i përbashkët maqedonas-kosovar gjithashtu miratoi protokollin për vendosjen e shtyllave përgjatë vijës kufitare. Në fazën e ardhshme ka ngelur shënimi i kufirit në sektorin e katërt që fillon në pikën e përbashkët të kufijve midis Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës dhe mbaron në perëndim deri në vendkalimin kufitar Bllacë.

Shënimi i kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë filloi në fund të qershorit të këtij viti dhe bëhet sipas Marrëveshjes për shënim dhe shtrirje të kufirit shtetëror që Maqedonia në vitin 2001 e firmosi me ish-RF të Jugosllavisë dhe në pajtim me planin e ndërmjetësuesit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.

Brezi kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës është me gjatësi të përgjithshme prej 150 kilometrave. (Ina)
Shtuar më 18/10/2008, ora 22:19
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori