Kuci: UNMIK-u ta permbylle mandatin e vet
Albeu.com
Përderisa në New York ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni ka ngritur zërin e Prishtinës zyrtare sa i përket misionit të UNMIK-ut, duke thënë se ai tashmë është i panevojshëm në Kosovë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të opozitës, vlerësojnë ...... se ka ardhur fundi i këtij misioni dhe se nuk ka nevojë më për funksionimin e këtij misioni.
Nga ana tjetër, përshkrimi për gjendjen në Kosovë që është paraqitur para Këshillit të Sigurimit është vlerësuar se ka qenë mjaft real.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se është vërejtur se ka shtete që ende kanë qëndrim të ngurtë sa i përket zhvillimeve legale dhe politike në Kosovë, por ka edhe shtete që e kanë mbështet pavarësinë e Kosovës dhe që kanë qëndrim shumë pozitiv dhe që i vlerësojnë të arriturat në Kosovë.

Kurse sa i përket UNMIK-it, Kuçi ka thënë se ky është mision i tejkaluar dhe si i tillë duhet të pushojë së funksionuari.

Përderisa shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier në New York ka përmendur disa fusha në të cilat ende është i nevojshëm UNMIK-u si në çështjen e personave të pagjetur dhe trashëgiminë kulturore, zv/kryeministri Kuçi ka thënë se institucionet e Kosovës kanë aktet e veta juridike dhe se në Kosovë funksionojnë të gjitha institucionet komplete shtetërore, duke përfshirë edhe funksionimin e misionit civil ndërkombëtar EULEX.

Ndërkohë, nënkryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini ka thënë se kërkesa për largimin e UNMIK-ut nga Kosova është legjitime, por asaj duhet t'i shtohet një punë më konkrete e Qeverisë së Kosovës që qëndrimi i UNMIK-ut të jetë i panevojshëm.

Sipas tij, UNMIK-u do të bëhej totalisht i panevojshëm nëse Kosova do të shihte një zhvillim siç është premtuar, një zhvillim ekonomik, zhvillim institucional, luftim të korrupsionit, sundim të ligjit, sistem të edukimit më të avancuar etj. /rtv21/
Shtuar më 19/06/2009, ora 06:27
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori