Kuci: Nuk kemi frike nga Gjykata e Drejtesise
Albeu.com
Kosova nuk i frikësohet procesit gjyqësor që e pret në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pret opinion të drejtë nga kjo instancë e drejtësisë botërore.Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë kërkesë zyrtare te autoritetet e kësaj gjykate që Kosova të trajtohet si palë e barabartë në këtë proces. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi është shprehur të enjten se Prishtina pret përfaqësim adekuat në këtë gjykatë.
"Fillimisht duhet bërë kërkesa e cila është bërë dje nga ministri i Jashtëm që të pranohet Kosova si palë e barabartë për qasje në gjykim dhe pastaj do të vendoset se si do të shkojnë procedurat, por varësisht se si do të marrë vendim gjykata në raport me Kosovën ne do t'i përgjigjemi. Mendoj që do të jetë përfaqësim i drejtë dhe adekuat. Nuk i frikësohemi të drejtës sonë, por do ta mbrojmë shumë mirë", deklaroi Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka ratifikuar emërimin e ekspertit britanik të së Drejtës Ndërkombëtare, Michael Wood si përfaqësues ligjor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Qeveria e Kosovës ende nuk e din se cila do të jetë kostoja e këtij procesi por thotë se nuk do t'i kursejë paratë për ekipin e angazhuar të mbrojtjes.
"Është shumë e vërtetë që duhet ta ketë një kosto dhe Qeveria duhet t'i përgjigjet asaj kostoje, por askush nuk e di sa do të zgjasë procesi, cilat do të jenë format e përfaqësimit të Kosovës atje. Ne do t'i përgjigjemi sipas nevojës. Ne nuk kemi bërë një kalkulim të tillë por do ta kemi një fond rezervë të Qeverisë së Kosovës për nevoja të tilla. Nuk do të mbetet keq përfaqësimi i Kosovës për shkak të mjeteve materiale", tha Kuçi.
Serbia ka fituar të drejtën për ta paraqitur ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas dritës së gjelbër që mori nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 8 tetor. Shqyrtimi i rastit të Kosovës pritet të zgjasë 9 muaj deri në 2 vjet, por pavarësisht opinionit që do të dalë, ai nuk do të jetë obligativ për asnjërën palë.
Shtuar më 16/10/2008, ora 20:54
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori