Kuci: Asnje kompromis qe shkel Kushtetuten e Kosoves
Pëlqej
Albeu.com
Prishtina zyrtare nuk do të bëjë kurrfarë kompromisi që shkel Kushtetutën e Kosovës dhe që cenon integritetin territorial të saj, ka thënë zv/kryeministri Hajredin Kuçi në një intervistë për RTK-në.
Numri dy i qeverisë tha se ky qëndrim do të mbahet deri në përfundim të bisedimeve për planin 6 pikësh të Ban Ki-Moonit, bisedime këto që po ndërmjetësohen nga vendet perëndimore.

“Nuk do të ketë kompromis më pak se që është në Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta ka qenë vetë kompromis dhe çdo kompromis tjetër është një lloj bartje e sovranitetit dhe bartja e sovranitetit nuk mund të bëhet nga individ të caktuar por duhet bëhet ashtu si është paraparë në Kushtetutë. Unë jam i bindur se edhe bashkësia ndërkombëtare do të ketë mirëkuptim në këtë çështje “, tha Kuçi.

Numri dy i qeverisë tha se refuzimi që i bëhet planit 6 pikësh, nuk është refuzim ndaj vendosjes së misionit të EULEX-it, por sipas tij, nuk mund të bëhet shtrirja e EULEX-it duke legalizuar strukturat paralele në Kosovë.

“Ne ngutemi që EULEX-i të shtrihet sa më shpjet që është e mundur por jo të shtrihet EULEX-it duke mundësuar ndoshta legalizimin e strukturave paralele apo krijimin e një realiteti që vështirë do të kthehej në pikën zero. Mbi të gjitha nuk dëshirojmë që të krijojmë iluzion që një pjesë e Kosovës po ndahet apo dikush që e ka fituar autoritetin mbi Kosovën”, tha Kuçi.

Kuçi tha se Prishtina tashmë i ka ofruar propozimet e veta lidhur me planin, të cilat janë në funksion të ruajtjes së tërësisë territoriale të Kosovës, respektimit të Kushtetutës dhe të Planit të Ahtisarit. Sipas tij, refuzimi i planit do të vazhdojë nëse tentohet që të anashkalohen këto tri çështje. (rtk)
Shtuar më 11/11/2008, ora 21:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori