KShM i jep “shuplakë” Ramës: Të mos kopjojë Erdoganin!
Këshilli Shqiptar i Medias i ka dërguar një raport të hollësishëm Këshillit të Evropës, ku e informon mbi këtë çështje dhe i jep një “goditje” qeverisë.

Në raportin e KShM thuhet qartë se qeveria nuk mundet të ndalojë një qytetar apo një media të raportojë keqmenaxhimin e situatës pas tërmetit.

Po ashtu, Këshilli Shqiptar i Mediave thekson se qeveria nuk ka të drejtë as të mbyllë një portal vetëm për një lajm, duke iu referuar këtu rastit të “JOQ”.

Qeveria nuk mund të ndalojë qytetarët ose portalet të denoncojnë keqmenaxhimin e situatës (aty ku ekziston) dhe, për më tepër, nuk mund të bllokojë një portal të tërë për një botim të vetëm. Çështja “JOQ” pasqyron qartë se çfarë do të ndodhë me median në të ardhmen nëse qeveria miraton ligjin famëkeq të të ashtuquajturës “anti-shpifje.

Qeveria ka të drejtë të ndjekë penalisht këdo që ka shkelur ligjet, madje edhe në kontekstin e gjendjes së jashtëzakonshme, por nuk mund të mbyllë asnjë media përmes AKEP ose ndonjë instrumenti tjetër që posedon pa një vendim gjykate. Media duhet të përmbajë përhapjen e mundshme të lajmeve të rreme”, thuhet në raportimin e KShM për KiE.

Aty përmendet edhe arrestimi i qytetares Xhuliana Aliaj. Këshilli Shqiptar i Mediave e cilëson këtë veprim si të paligjshëm sepse Xhuliana në këtë rast vetëm ka rishpërndarë një lajm.

Këshilli ka edhe një thirrje për median që të shmangë fjalët që përhapin panik tek qytetarët. “Gjithashtu, media duhet të shmangë përdorimin e terminologjisë bombastike si “frika”, “tmerri”, “apokaliptik”, etj., sepse këto terma nuk shprehin fakte, por thjesht mendime të reporterëve”, vijon raportimi.

Në fund të raportit, Këshilli Shqiptar i Mediave i kërkon Edi Ramës që të mos kopjojë presidentin turk Recep Tayip Erdogan, i cili shfrytëzoi grushtin e shtetit për të sulmuar mediat.

Këshilli i Mediave Shqiptare, gazetarët dhe mediat që ai përfaqëson, urgjentisht kërkojnë nga qeveria të mos kopjojë çështjen famëkeqe të Erdoganit që përdori situatën pas grushtit të shtetit për të sulmuar, arrestuar, mbyllur dhe goditur mediat kritike; për të heshtur mendimet e pavarura; dhe të instalohet diktatura e mendimit”, përfundon raporti i KShM.
Shtuar më 06/12/2019, ora 16:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori