KSHH publikon raportin e të drejtave të njeriut
Albeu.com
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, bëri publik të enjten raportin e të drejtave të njeriut në Shqipëri 2007. Raporti thekson ndër të tjera, se Qeveria Shqiptare bëri përpjekje për integrim në Bashkimin Europian dhe NATO.“Gjatë vitit 2007, vazhdoi procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, u realizua procesi i rishikimit të Planit Kombëtar të Zbatimit të MSA-së dhe u miratua Plani Kombëtar i Zbatimit të MSA për vitet 2007-2012”, thuhet në raport.

“Respektimi i të drejtave të njeriut nga ana e policisë vazhdoi të jetë në vëmendje të KSHH-së”, thuhet në raport.

Në këtë raport thuhet se, “gjatë vitit 2007, KSHH, vazhdoi të marrë ankesa nga qytetarë ose persona të ndaluar, apo të arrestuar që pretendonin për shkelje të të drejtave të tyre nga ana e punonjësve të policisë dhe ka kërkuar marrjen e masave për parandalimin e rasteve të përdorimit të dhunës dhe kryerjen e hetimeve të shpejta, të gjithanshme dhe objektive”.

Ndërkohë, po sipas këtij raporti të publikuar sot, trajtimi i personave të mitur dhe të dënuarve të sëmurë, me sëmundje fizike ose psikike vazhdon të përballet me shkelje të rënda të të drejtave që ligji njeh për ta.

“Mosekzekutimi i vendimeve civile të formës së prerë nga ana e shërbimit përmbarimor ,vazhdon të mbetet një problem shqetësues’, theksohet më tej në këtë raport.

“KSHH vlerëson kalimin në fakt të sistemit të paraburgimit në varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. KSHH-ja është e ndërgjegjshme që ky proces përbën një sfidë për administratën e burgjeve. Gjatë viteve në vazhdim kërkohet vëmendje maksimale e të gjithë autoriteteve të larta përgjegjëse për administrimin e këtyre institucioneve”, thuhet më tej në raport. Në të theksohet se "problem shqetësues në të gjitha burgjet dhe institucionet e paraburgimeve të vëzhguara mbetet mbipopullimi, numri i konsiderueshëm i personave të privuar nga liria që vuajnë me probleme psikike, të cilët mbahen në burgje dhe paraburgime të ndryshme dhe një pjesë në Qendrën Spitalore të Burgjeve."

Të drejtat e minoriteteve janë çështje tjetër e raportit të KSHH-së. “Gjatë vitit 2007, Qeveria shqiptare mori disa masa me karakter ligjor dhe institucional në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve të organizmave ndërkombëtarë, për një respektim më të mirë të të drejtave të minoriteteve”, theksohet në këtë raport.

"Gjatë vitit 2007 përmirësime pozitive u bënë në kodin penal, duke parashikuar si rrethanë rënduese kryerjen e veprës penale, shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjet politike, fetare ose sociale", theksohet në raportin e KSHH.

Sipas raportit, "gjatë vitit 2007, media ka rritur vëmendjen e saj ndaj çështjeve të minoritetit rome, por ka ende vend për përmirësime. Etika gazetareske ka nevojë të respektohet më shumë. Për të rritur profesionalizimin e gazetarëve dhe për të informuar lidhur me konceptet lidhur me mosdiskriminim janë zhvilluar disa trajnime nga Instituti i Medias dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, por mbetet ende për të bërë në këtë drejtim".

Sipas raportit, "KSHH, vlerëson përpjekjet e institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe të donatorëve të ndryshëm të cilët kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe të ambienteve të pikave kufitare në Shqipëri." (gazetastart.com)
Shtuar më 09/05/2008, ora 17:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori