"Kryqi i Kuq" do shkrirjen e "Gjysmë Hënës së Kuqe", por mungojnë argumentet
Pëlqej
Dy organizata botërore humanitare që veprojnë në Shqipëri janë përfshirë në një konflikt gjyqësor, ku njëra prej tyre konkretisht Kryqi i Kuq Shqiptar, kërkon shkrirjen dhe shpërbërjen e shoqatës “Gjysmë Hënës së Kuqe Shqiptare.

Konflikti tashmë ka mbërritur në dyert e gjykatës së Tiranës, ku në datën 3 shtator 2014, përfaqësuesit ligjor të Kryqit të Kuq Shqiptar i janë drejtuar me një kërkesë civile gjykatës së kryeqytetit duke kërkuar shpërndarjen e shoqatës “Gjysmë Hëna e Kuqe Shqiptare, duke e konsideruar këtë të fundit një rrezik që po shkakton një dëm të konsiderueshëm, por pa e specifikuar se çfarë dëmi, shkruan shqiptarja.com.

Momentalisht çështja është rregjistruar në sekretarinë e gjykatës së Tiranës dhe mban numrin 13402, ndërkohë që gjyqtarja që do shqyrtojë këtë konflikt ligjor është zgjedhur nga Enkela Vlora.

Objekti i padisë
Në objektin e padisë civile të Kryqit të Kuq Shqiptar më konkretisht thuhet se: ”Kërkohet shpërndarja e shoqatës “Gjysmë Hëna e Kuqe Shqiptare”, e regjistruar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nr.3449, datë 22.11.2012, pasi ushtron veprimtari të kundraligjshme. Kërkohet t’i rekomandohet shoqatës “Gjysmë Hëna e Kuqe Shqiptare”, se në zbatim të 4 Konventave të Gjenevës të 12 Gushtit 1949 dhe ligjit nr.7864, date 29.09.1994 "Për Kryqin e Kuq Shqiptare" e ligjit nr.7865, datë 29.09.1994 "Për mbrojtjen e Emblemës dhe të Emrit të Kryqit të Kuq”,të bëj ndryshimin e statutit dhe emrit të shoqatës. Kërkohet pezullimi i aktivitetit të shoqatës “Gjysmë Hëna e Kuqe Shqiptare”, duke pezulluar procedurën për zbatimin vendimit për regjistrin, pasi ekziston rreziku i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pazëvendësueshëm për interesat e shtetit shqiptar dhe të paditësit.

Interesat e shtetit
Në padinë civile të depozituar në gjykatë, “Kryqi i Kuq Shqiptar” pretendon se qëndrueshmëria dhe lënia në veprim të shoqatës humanitare “Gjysmë Hëna e Kuqe Shqiptare”sjell dëme shumë të rënda edhe për interesat e Shtetit Shqiptar. Në padinë civile nuk qartësohet se cilat janë këto dëme, por tashmë duket se mes këtyre dy organizatave mjaft të njohura humanitare ka lindur një konflikt i hapur.

Dy shoqatat humanitare që tashmë janë përfshirë në konflikt gjyqësor konsiderohet si më të mëdhatë në botë për ndihma dhe veprimet humanitare që kryejnë në shërbim të njerëzve në nevojë. Shoqata e Kryqit të Kuq, njihet si një shoqatë që ka prirje dhe mbështetje nga bota e krishterë, ndërsa shoqata humanitare “Gjysmë Hëna e Kuqe” ka prirje dhe mbështetje të plotë nga bora islame.
Shtuar më 06/09/2014, ora 20:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori