Kryesia e quan te panevojshme heqjen e imunitetit per Veliun
Albeu.com
Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Qarkut për heqjen e imunitetit të deputetit nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, duke e konsideruar si të panevojshëm një veprim të tillë.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se prokuroria nuk ka pasur nevojë të kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit Veliu, pasi që sipas tij, hetimet e prokurorisë mund të bëhen pa u hequr imuniteti.

Ai tha se kjo gjë është e rregulluar me kushtetutën e Kosovës, pikërisht sipas nenit 75 të saj.

“Siç duket prokuroria nuk e ka lexuar Kushtetutën. Nuk ka pasur nevojë që të kërkojë një gjë të tillë. Sipas nenit 75 të Kushtetutës së Kosovës, Prokuroria mund të zhvillojë hetimet pa bërë një kërkesë të tillë në Kuvend”, tha Krasniqi, për gazetarët, pas mbledhjes së Kryesisë.

Ndërkohë, në një konferencë për gazetarë, që e kanë mbajtur deputeti Agim Veliu, udhëheqësi i grupit parlamentar të LDK-së, Lutfi Haziri dhe kolegu i tyre i partisë, Ismet Beqiri, kërkesa e prokurorisë është quajtur e motivuar politikisht.

“Një kërkesë e tillë është me motive politike. Kjo pikërisht është bërë në kulmin e fushatës. Mirëpo, unë nuk do të zmbrapsem nga veprimet e mia politike dhe me 16 nëntor unë do të marr detyrën për kryetar të Podujevës”, tha Agim Veliu.

Ndërsa Haziri ka thënë se Prokuroria nuk ka ngritur padi ndaj Veliut, por vetëm e ka ftuar atë në bisedë. Sipas tij, çdo zyrtar i LDK-së është i gatshëm të japë përgjigje para ligjit për të gjitha dyshimet.

Padia ndaj Veliut e ngritur në bazë të dokumentacionit dhe dëshmive të dorëzuara në prokurori nga Agjencia Kundër Korrupsionit, lidhur me një tender prej 150 mijë eurosh për renovimin e një shkolle të mesme të Podujevës, të kryer në vitin 2005, në kohën kur Veliu ishte ministër i Arsimit.

Çka thotë neni 75 i Kushtetutës lidhur me imunitetin?

1. Deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit. Imuniteti nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Kuvendit.

2. Deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit. (nga Dafina Myrtaj, express)
Shtuar më 27/10/2009, ora 22:24
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori