Policia jep shpërblim të majmë për ata që japin info për atentatin me 3 të vrarë

Policia vë në dispozicion 3 milionë lekë për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në zbardhjen e autorëve të atentatit të rëndë të ndodhur pasditen e 17 korrikut në mbikalimin e Fushë Krujës.

Autorët që dyshohet se kanë qenë 4 ekzekutuan me automatik Diklen Vatën, Besmir Hoxhën dhe Brilant Martinaj të cilët po udhëtonin në makinë.

Policia e Shtetit

Në kuadër të veprimeve që strukturat hetimore të Policisë së Shtetit po kryejnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë me armë zjarri tre shtetas, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano gjatë takimit me krerët e DVP Durrës e Tiranë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale, për zbardhjen sa më parë të ngjarjes, grumbullimin e informacionit nga qytetarët apo dëshmitarët që mund të kenë parë ngjarjen apo kanë dijeni për autorët, ju informojmë se:

Policia e Shtetit ka vënë menjëherë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, 3 milionë lekë të rinj.

Cilido që ka informacion të vlefshëm ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin WhatsApp, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurtë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me strukturat policore në interes të rritjes së parametrave të rendit e sigurisë dhe të parandalimit të ngjarjeve kriminale që cënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.