Kryeministria: Ristani do të paditet për shpifje monstruoze
Në daljen e radhës për mediat, sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani, u shpreh se kryeministri i ofroi të gjitha lehtësitë Emiliano Shullazit në lidhje me ngjarjen e fundit kriminale.

“Të gjitha këto shkojnë përtej mundësive të një banditi. Këto janë rrethana që Emiliano Shullazit i'a krijoi kryeministri i vendit, sipas paktit kriminal.

Cila është marrëveshja që ke ti z.Rama me Emiliano Shullazin? A e lirove ti atë nga burgu, për të shërbyer porositë e tua politike, kërcënimet ndaj opozitës?

A e lirove ti Shullazin, që të kërcënojë kryetarin e opozitës siç edhe ai veproi pak orë pasi doli nga ambjentet e policisë?

Je sot z.Rama përballë këtyre pyetjeve, që janë padyshim jo vetëm akuzat, por edhe provat për lidhjen organike që ti ke me këtë bandë”, deklaroi Ristani.

Menjëherë pas këtij qëndrimi, një kundërpërgjigje e hapur ka ardhur nga ana e kryeministrit Rama. Me anë të një deklarate të ardhur nga zyra e shtypit e kryeministrit bëhet me dije se:

"Ndërkohë që zyra juridike e kryeministrit po përfundon dokumentin e padisë së dyfishtë, penale dhe civile, për kryetarin e Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, sapo nisi puna për të përgatitur edhe një padi tjetër të dyfishtë për Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Arben Ristani.

Edhe Arben Ristani do të paditet për të njëjtën shpifje monstruoze përmes të cilës, të dy shpifësit profesionistë, tanimë edhe figura të larta zyrtare të PD, synojnë të lidhin në mënyre kriminale botën e krimit, me qeverinë e personalisht me kryeministrin.

Kjo përpjekje e orkestruar për të përdorur krimin kundër qeverisë dhe kryeministrit, kërkon një hetim serioz penal e po ashtu edhe një gjykim të plotë civil.

Ashtu si lideri i grupit të PD edhe lideri organizativ i saj, duhet të provojnë me patjetër para prokurorëve dhe gjykatës akuzat e tyre. Shqipëria nuk mundet kurrsesi të ketë një kryeministër të lidhur në çfarëdo forme qoftë me krimin.

Shqiptarët meritojnë transparencë të plotë për gjithçka kanë dëgjuar nga zyrtarët më të lartë të PD. Kryeministri Edi Rama i siguron që të gjithë se një provë e vetme e kësaj natyre, mjafton që ai të tërhiqet nga detyra e nga politika dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë.

Por nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë është i vendosur të përballet deri në fund me mjetet e ligjit, kundër kësaj politike të rrezikshme që synon kriminalizimin e politikës në sytë e shqiptarëve dhe më keq akoma, synon të përdorë krimin për interesa mjaft të errëta dhe kërcënuese për shoqërinë.

Duke garantuar të gjithë shqiptarët pa dallim, se kjo qeveri po e lufton dhe do ta luftojë krimin e shkeljen e ligjit nga kushdoqoftë, gjithnjë e më fort, kryeministri i garanton po ashtu shqiptarët se klithmat antikrim të opozitës janë shprehje inkurajuese e faktit se po tronditen themele të forta të bashkëpunimit të vjetër mes politikës e krimit", përfundon deklarata në fjalë. /albeu.com/
Shtuar më 09/01/2015, ora 14:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori