Mbështeste pushtimin e Ukrainës, blogeri rus vritet në një shpërthim në Shën Peterburg

Një shpërthim në një kafene të Shën Petersburgut të dielën, vrau blogerin e njohur ushtarak rus, Vladlen Tatarsky. Ai e ka mbështetur publikisht sulmin kundër Ukrainës. Autoritetet thanë se si pasojë e sulmit në qytetin e dytë më të madh në Rusi, u plagosën edhe 16 persona.

Mediat ruse nuk thanë nëse dikush ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por përmendin një person që hyri në kafene me një mjet shpërthyes.

Ministria e Brendshme tha se do të hetohen të gjithë të pranishmit në kafene në kohën e shpërthimit.

Mediat ruse njoftojnë se blogeri ushtarak Tatarsky kishte shkuar në atë kafene për të takuar një pjesë të ndjekësve të tij. Sipas raporteve, një grua i dhuroi atij një kuti me një statujë, e cila me sa duket ishte mjet shpërthyer.

Tubimi ishte organizuar nga një grup nacionalist rus, i cili tha se kishte marrë masa paraprake sigurie por që “rezultuan si të pamjaftueshme”.

Nga fillimi i sulmit rus kundër Ukrainës, më 24 shkurt 2022, sulme dhe shpërthime të ndryshme kanë ndodhur në Rusi, por pa ndonjë lidhje të qartë me konfliktin.

Blogeri Tatarsky ka raportuar rregullisht nga Ukraina dhe Kremlini. Ai kishte mbi 560 mijë ndjekës në kanalin e tij në Telegram.

Ai njihej për retorikën e tij pro-luftës. Pasi Rusia shpalli aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës vitin e kaluar, ai postoi një video ku thoshte se“ne do t’i mposhtim të gjithë, do t’i vrasim të gjithë, do të grabisim kë të duam. Gjithçka do të bëhet siç duam ne”.

Shumë vende e kanë cilësuar të paligjshëm aneksimin e Krimesë. /VOA