Kryeministri Kosumi mori mbështetjen e plotë të Sllovenisë për proceset pozitive në Kosovë
Albeu.com
Gjatë qëndrimit në Slloveni, Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansha dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Dimitrij Rupel dhe autoritet e tjera të larta sllovene.Kryeministri Kosumi ka vlerësuar rolin e Sllovenisë në çështjen e Kosovës që nga koha e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, duke rikujtuar kohën kur lidershipi slloven ishte bartës i proceseve demokratike dhe pluraliste në ish federatën ish jugosllave.
Po ashtu, dy autoritetet e larta vlerësuan nivelin e mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e konsideruar si një moment të rëndësishëm vizitën e kryeministrit të Kosovës në Slloveni për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Kosumi dhe Jansha ndanë të njejtin vlerësim që kjo vizitë do t'i japë një impuls të ri edhe marrëdhënieve ekonomike midis Sllovenisë dhe Kosovës.
Z. Jansha vlerësoi progresin shumë të shpejtë që Kosova ka bërë në vitet e pasluftës në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe efektive, duke shprehur mbështetjen e plotë të Sllovenisë për proceset pozitive në Kosovë dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike.
Gjatë takimit, Kosumi dhe Jansha u shprehën se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet në bazë të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës.
Gjithashtu, kryeministri Bajram Kosumi gjatë qëndrimit të tij në Slloveni ka zhvilluar një takim të veçantë ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë dhe njëkohësisht kryesues i radhës së OSBE së, Dimitri Rupel. Gjatë këtij takimi z.Rupel ka përgëzuar kryeministri Kosumi për punë e mirë që është duke bërë ai dhe Qeveria e Kosovës, duke shprehur besimin se Kosova do të kalojë me sukses fazën e vlerësimit gjithëprfshirës të standardeve.
Kosumi dhe Rupel kanë vlerësuar pozitivisht qëndrimet e fundit të këshillit të Sigurimit të OKB së, me ç'rast Kosova kaloi testin e vlerësimit teknik të standardeve. Në këtë kontekst, ai njoftoi kryeministrin Kosumi për takimin e tij me Kai Aide dhe bisedimet për gjendjen politike në Kosovë dhe çështjen e definimit të statusit të saj politik, duke shtuar se Kai Aide ka shprehur qëndrimin e tij se bisedimet për definimin e statusit të Kosovës duhet të ndodhin sa më shpejtë.
Po kështu, Rupel tha se OSBE mbetet e angazhuar në Kosovë dhe në përkrahjen e proceseve politike dhe jemi të gatshëm të kemi parasysh rekomandimet dhe vlerësimet për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB së, Kofi Annan. Rupel ka vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës dhe OSBE së. "Ne kemi një bashkëpunim te suksesshëm ekonomik që dëshirojmë ta zhvillojmë edhe më tutje në të ardhmen. Unë shpresoj që Kosova një ditë do të jetë partneri ynë në Bashkmin Evropian", deklaroi Rupel, duke shtuar se ai është i kënaqur që mund të jap kontributin e tij në Kosovë.
Nga ana e tij, kryeministri Kosumi ka theksuar se që nga takimi i parë i zhvilluar në Prishtinë më 25 mars, në Kosovë kanë ndodhur zhvillime shumë pozitive, duke shtuar se vlerësimet pozitive për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB së kanë inkurajuar institucionet e vendit për të vazhduar në përmbushjen e standardeve. Prandaj, shtoi kryeministri Kosumi, muajin qershor dhe korrik është shpallur muaj i standardeve dhe të dinamizimit të punës në përmbushjen e standardeve prioritare.
Po kështu, kryeministri Kosumi ka vlerësuar kontributin e OSBE së në proceset politike në Kosovë, respektivisht në ngritjen e SHPK së dhe institucioneve tjera demokratike.
Në këtë takim, po ashtu është biseduar edhe për pozitën e minoritetit serb dhe nevojën e integrimit të tyre në institucionet e Kosovës. "Ne dëshirojmë që serbët Kosovën ta shohin atdhe të vetin dhe të ndiehen të barabartë si të gjithë qytetarët tjerë", tha kryeministri Kosumi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për dialog me autoritet e larta politike të Beogradit, por për këtë duhet të kemi rezultate të prekshme në dialogun teknik.
Rupel i ka premtuar kryeministrit Kosumi se Qeveria e Sllovenisë do të angazhiohet për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, duke shtuar se ajo do të inkurajojë investitorët , sipërmarrjet dhe ekspertët slloven për të investuar në Kosovë.
Kosumi dhe Rupel kanë biseduar edhe për zhvillimet tjera në rajon dhe në BE, si dhe për reflektimet e tyre në Kosovë e më gjerë.

Gjatë ditës së djeshsme kryeministri Kosumi ka zhvilluar edhe një takim në Odën Ekonomike të Sllovenisë, ku është pritur nga nënkryetari Sveto Staçiç. Në këtë takim merrnin pjesë edhe biznesmenë dhe afaristë sllovenë. Temë e takimit ishin zhvillimet aktuale ekonomike në Kosovë, me ç'rast biznesmenët nga Sllovenia shfaqën interesime të veçanta për sektorin e energjisë, infrastrukturës rrugore, minierat, turizmin dhe sektorë të tjerë ku ata mund të jenë prezent me kapitalin e tyre.

Po kështu, kryeministri Kosumi me bashkëpunëtorë është takuar edhe me biznesmenët kosovarë në Slloveni, me të cilët ka biseduar për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Kosumi i ka njohur ata me angazhimet e Qeverisë së Kosovës për krijimin e një ambienti sa më të sigurt për investitorët kosovarë dhe ata të huaj, duke shtuar se definimi i statusit të Kosovës hap perspektiva edhe më të mëdha për zhvillimin ekonomik të vendit, thuhet në një komunikatë të zyrës së kryeministrit.
Ndërsa, sot, (e premte) kryeministri Kosumi do të marrë pjesë në Zagreb të Kroacisë në konferencën rajonale "Zgjerimi kah Evropa Juglindore - edhe një hap drejt kompletimit të zgjerimit", që do të mbahet në Zagren më 3 4 qershor, në organizim të fiondacionit gjerman Bertelsman.
Gjatë qëndrimit të tij në Zagreb kryeministri Kosumi pritet të ketë takime me kryetarin kroat Stipe Mesiq dhe kryeministrin Ivo Sanader. qik
Shtuar më 03/06/2005, ora 14:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori