Kryeministri Berisha, vizitë 3-ditore në Hungari
Kryeministri Sali Berisha u nis sot për një vizitë zyrtare tre ditore në Hungari me ftesë të kryeministrit hungarez Voktor Orban, e cila përkon gjithashtu me 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Hungarisë. Kryeministri shoqërohet gjatë kësaj vizite nga ministri i arsimit zoti Myqerem Tafaj dhe Zëvendësministri i Bujqësisë zoti Tokli Thomai.

Në ditën e parë të vizitës kryeministri Berisha do të pritet nga kryeministri Orban me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, i pasuar nga takimi zyrtar midis dy delegacioneve në fund të të cilit dy kryeministrat do të dalin në një konferencë për shtyp.

Gjatë kësaj vizite kryeministri do të zhvillojë takime edhe me Presidentin e Republikës së Hungarisë zotin Pal Schmitt, Kryetarin e Parlamentit zotin Laszlo Kover, si dhe Ministrin e Jashtëm zotin Janosh Martonyi. Një drekë për nder të kryeministrit Berisha do të shtrojë edhe kryetari i Bashkisë së Budapestit zoti Istvan Tarlosh.

Gjithashtu, kryeministri Berisha do të vizitojë edhe Universitetin ELTE të Budapestit ku do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës.

Kryeministri do të vizitojë një ekspozitë të çelur në ambientet e Ministrisë së jashtme të Hungarisë me rastin e 90 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve ku do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse.
Gjatë kësaj vizite zyrtare kryeministri do të takohet me përfaqësues të diasporës dhe miq të Shqipërisë në një aktivitet të organizuar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë gjatë së cilës do t’i dorëzohet titulli Konsull Nderi zotit Avni Hafuzi.

Kjo vizitë do të sjellë një kontribut të rëndësishëm në forcimin dhe rritjen e marrëdhënieve dypalëshe. Fokus të veçantë do të ketë thellimi i marrëdhënieve ekonomike në fusha me interes te përbashkët dhe rritja e investimeve. /albeu.com/
Shtuar më 19/03/2012, ora 11:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori