Kryeministri Berisha: Çështja çame nuk është mbyllur
Pëlqej
Albeu.com
Një përkrahje për shkeljen e të drejtave të pronarëve çamë ka dhënë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. “Çështja çame nuk është mbyllur”, tha ai gjatë një prononcimi të djeshëm për mediat. Berisha theksoi se vendimi i gjykatës së lartë greke nuk është një vendim, i cili mposht të drejtën e një pronari për të gëzuar pronën e tij.Ndërkohë, sipas burimeve nga mediat greke, shteti i vendit tonë fqinj mund të kalojë në pronësi të tij, tokat të cilat nuk përdoren nga pronarët çamë për një afat prej 20 vjetësh. Këto prona janë sekuestruar nga shteti grek qysh në vitin 1945 dhe si rrjedhim vendimi i gjykatës së lartë të këtij vendi ka ngritur në këmbë të gjithë pronarët e tokave çame. Këta të fundit nuk janë dakord të bëhen shpronësime dhe kompensime, por duan kthimin e pronës së babës së tyre.
Reagimi i shtetit shqiptar
Në lidhje me çështjen e shumëpërfolur këto kohët e fundit për çamët, Berisha shtoi se kjo çështje nuk është e mbyllur ende. Sipas tij, e drejta ndërkombëtare del mbi çdo vendim të gjykatave të një shteti. Kjo ka qenë edhe deklarata e djeshme e kryeministrit, i cili ka vijuar se nuk do të lejohen shkelje të këtyre të drejtave për këta pronarë çamë. Së fundi, Berisha ka theksuar se ky vendim do të rishikohet, duke dhënë shpresa për çështjen çame.
Vendimi
Gjykata e lartë greke ka miratur para ca ditësh vendimin për shitjen e tokave came, duke treguar se shteti grek ruan të drejtën mbi tokën çame. Pas kërkesës së Prokurorisë së përgjithshme greke, gjykata e lartë e këtij vendi vendosi të mërkurën shitjen dhe tjetërsimin të popullësisë çame të dëbuar me dhuna nga trojet e saj. Sekuestrimi i këtyre pronave është bërë qysh në vitin 1945, dhe aktualisht vendimet e shtetit fqinj janë marrë pa pasur parasysh reagimin e Gjykatës së Strasburgut. Kjo Gjykatë i ka lejuar shtetit grek që të shesë tokat e konfiskuar për të cilat pronarët e ligjshëm nuk janë interesuar në më shumë se 20 vjetë. Ndër trojet e konfiskuara nga shteti Helen në periudhën e lartë përmendur janë dhe ato të komunitetit Çamë.

Opinione

Ilir Meta
Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, ka deklaruar se çështja e pronave çame duhet të zgjidhet me bashkëpunim dhe mirëkuptim me Greqinë si vend fqinj dhe partner i rëndësishëm i Shqipërisë. Ai tha se “për sa i përket vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë të Greqisë, mendoj se kjo çështje vazhdon të mbetet një çështje ligjore, e cila duhet zgjedhur në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar. Shteti shqiptar duhet të ushtrojë detyrimet e tij ndaj shtetasve dhe bashkëkombësve të vet, për t’i ndihmuar ata në realizimin e zgjedhjes ligjore të kësaj çështje në instancat kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Servet Mehmeti
Kreu i shoqatës “Çamëria” është shprehur se ky vendim tregon se sa më tepër del në pah drejtësia çame dhe padrejtësia greke, shteti grek kryen veprime që nuk janë gjë tjetër veçse zbatimi i platformës së megaloidesë. Shteti shqiptar, të gjithë organizmat e tij, të gjitha forcat politike t’i kërkojnë shtetit grek ndalimin e veprimeve arbitrare grabitëse. Ai vijon se, shteti shqiptar menjëherë duhet të denoncojë në organizmat ndërkombëtarë veprimet greke që bien ndesh me të drejtat e njeriut. “Vendimi i gjykatës greke krijoi një klimë tensionimi që nuk i shërben miqësisë midis dy vendeve, si dhe paqes ndërkombëtare”, tha ai.

Dashamir Shehi
Drejtuesi i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, (LZHK) Dashamir Shehi, është shprehur se “ky është një vendim i pashembullt në botën demokratike, aq më tepër kur bëhet fjalë për një vend i cili është anëtar në Bashkimin Evropian”. Ai ka shtuar se “vendimi i gjykatës greke është jokorrekt ndaj popullit çam, dhe shteti shqiptar duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e kësaj çështje sa më shpejtë të jetë e mundur”. Shehi vijon se, mënyra më e mirë për hedhjen poshtë të këtij vendimi të gjykatës greke është bashkëpunimi midis dy shteteve dhe arritja në një përfundim të pëlqyeshëm për popullin çam.

Ermir Dobjani
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, sapo është vënë në dijeni të vendimit të marrë nga gjykata greke ka reaguar menjëherë. Ai është shprehur se “popullsia çame kërkon me të drejtë njohjen e pronave të tyre, sepse ata janë të pajisur dhe me dokumente origjinale”. Dobjani shton se “çdo justifikim, se këta persona kanë mbi 20 vjet që nuk janë interesuar për pronën e tyre është fals dhe spekulativ”. Sipas Avokatit të Popullit, shoqata “Çamëria” nuk ka ndjekur rrugën më të mirë të mundshme, për zgjidhjen diplomatike të çështjes, pasi duhet të kishte pajtuar në këtë proces avokatë ndërkombëtarë.

Historia e shpronësimeve
Shpronësimet kanë ndodhur në fshatrat e Paramithisë, Gardhitës, Dhrahumit, Karbunarit, Veliat, Filatit, Galbaqit dhe Spatarit gjatë vitit 1945. Në këtë zonë u grabitën 4949000 okë drithë, 2217500 okë tërshërë dhe elb, 361500 okë djathtë, 457700 okë vaj ulliri, 12850 okë gjalpë, 27020 krerë bagëti të imta, 18500 okë duhan, 26800 okë oriz, 37000 okë bajame, 2500-3000 shtëpi të djegura dhe dëme të tjera të pronës. Një tjetër shkak i nxitjes së protestës nga pala çame ishte edhe propozimi i shitjes dhe tjetërsimit të pronave. Një gjë e tillë u hodh me datë 21 tetor të vitit të kaluar nga kryeprokurori grek përpara Gjykatës së Lartë Greke. Në këtë vendim vihet theksi se shteti helen ka të drejtën të përvetësojë zotësinë e pronës sipas Ligjit 2636 të vitit të vitit 1940 për të gjithë ata persona që janë konsideruar në të shkuarën kundërshtarë të shtetit grek apo që kanë luftuar kundër tij, ose qoftë edhe për ata që janë parë si ndërmjetës të pasurive të këtyre kundërshtarëve.
Tirana Observer
Shtuar më 11/02/2006, ora 16:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori