Rusia e hapur për negociata, por vendos kushte për Ukrainën

Kremlini ka përsëritur qëndrimin e tij se Rusia është e hapur për negociata për t’i dhënë fund luftës në konfliktin e Ukrainës, por përsëriti se realitetet e reja territoriale nuk mund të injorohen.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se Rusia kurrë nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj ndaj katër rajoneve të Ukrainës që Moska deklaroi se i kishte aneksuar vitin e kaluar pas referendumeve që Kievi dhe Perëndimi i cilësuan si fals dhe të paligjshëm.

“Ka disa realitete që tashmë janë bërë një faktor i brendshëm. E kam fjalën për territoret e reja. Kushtetuta e Federatës Ruse ekziston dhe nuk mund të injorohet. Rusia nuk do të jetë kurrë në gjendje të bëjë kompromis për këtë, këto janë realitete të rëndësishme”, tha Peskov të martën.

Rusia shpalli se kishte aneksuar rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia shtatorin e kaluar. Peskov tha se Rusia ishte e hapur për negociata nëse Kievi i dorëzonte rajonet, asnjë prej të cilave nuk kontrollohet plotësisht nga forcat e Moskës. /albeu.com


Shtuar 28.02.2023 11:31