Kryemadhi: Plani ynë është të vëmë Shqipërinë në punë
Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi, e shoqëruar nga të gjitha kandidatët e tjerë në këtë qark, ka zhvilluar një tur takimesh në Bashkinë e Rubikut dhe në katër komuna të tjera të Qarkut të Lezhës, përkatësisht në fshatin Rreps të Komunës Orosh, në Fan dhe në Blinisht.

Në bashkëbisedimin që zhvilloi me qytetarët znj. Kryemadhi deklaroi se ka ardhur koha që vëmendja të kthehet në Qarkun e Lezhës. Sipas saj politika duhet të mendojë në radhë të parë se si duhet t’i shërbejë lezhjanëve dhe të gjithë shqiptarëve dhe jo të shkëputet prej tyre dhe problemeve që qytetarët kanë.

“Mendoj se ka ardhur koha të kthejmë vëmendjen në Qarkun e Lezhës, mendoj se ka ardhur koha që të kthejmë vëmendjen në Rrethin e Mirditës, në Rrethin e Lezhës, në Rrethin e Kurbinit. Ne duhet të mendojmë, në radhë të parë, se si duhet t’i shërbejmë njerëzve dhe se si politika duhet të kthehet në funksion të qytetarëve, në funksion të votuesve, në funksion të elektoratit të saj. Politika duhet të shkëputet një herë e përgjithmonë nga mendimet se populli është shërbëtor i politikës. Jo, politika është në shërbim të qytetarëve të saj. Vetëm kështu ne do të arrijmë të ecim më shpejt drejt Bashkimit Evropian, duke menduar me zëmër. Kjo është shumë e rëndësishme, është shumë e rëndësishme që ne të mos shkëputemi nga qytetarët sepse duke u shkëputur nga qytetarët shkëputemi nga problemet”, tha kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi.

Shtuar më 07/06/2013, ora 15:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori